Në Kinë, në 19 gusht 2021 u organizua një tubim shumë madhështor me rastin e 70 vjetorit të çlirimit paqësor të Tibetit. Çatia e botës, siç emërtohet ndryshe Tibeti, përgjatë kësaj periudhe 70 vjeçare ka njohur një zhvillim të qendrueshëm dhe banorët e këtij rajoni të Kinës së madhe kanë njohur përmirësim të cilësisë së jetës së tyre në vazhdimësi.

Wang Yang, një ndër drejtuesit kryesorë të Partisë Komuniste të Kinës si dhe njëkohësisht edhe drejtues i një organizate, që operon në nivel kombëtar për bashkimin dhe bashkëpunimin gjithpërfshirës të gjithë qytetarëve dhe organizatave të ndryshme politike dhe ekonomike e sociale të Kinës, i cili, në këtë tubim, kryesonte një delegacion të qeverisë qendrore, e emërtoi çlirimin paqësor të Tibetit në vitin 1951 si “një fitore të madhe të kauzës së çlirimit të popullit kinez dhe ribashkimit të Kinës.Tibeti mund të zhvillohet dhe përparojë vetëm nën udhëheqjen e partisë dhe socializmit.Së bashku me pjesën tjetër të vendit, Tibeti, siç ishte parashikuar, ka përfunduar ndërtimin e një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet. Kontributi dhe mbështetja e vendit për zhvillimin e Tibetit do të shtohet. Tibeti do jetë një rajon demonstrues në shkallë kombëtare në lidhje me mbrojtjen e mjedisit”, tha ai në këtë tubim në kryeqytetin e rajonit të Tibetit, Lhasa, mbajtur pranë Pallatit Potala, një nga simbolet historike dhe kulturore më të rëndësishme të Tibetit.

Sot, Tibeti përfaqësohet në Asamblenë Popullore me më shumë se 35.000 deputetë dhe ka mbi 8.000 anëtarë në konferencën konsultative politike. Në këtë konferencë konsulative politike më shumë se 90% e anëtarëve vijnë nga pakicat kombëtare të mbarë vendit, si shenjë e demokracisë dhe e vjeljes së mendimit nga të tërë qytetarët e Kinës, për të përmirësuar edhe më tej qeverisjen dhe marrjen e vendimeve në të mirë të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në mbrojtjen më të mirë të mundëshme të interesave shumëplanëshe të Kinës dhe popullit të saj.

Me një rritje në 29 miliardë USD të prodhimit të brendshëm në vitin 2020, krahasuar me vetëm rreth 20 milionë USD në vitin 1951, rajoni i Tibetit renditet ndër tre rajonet me rritjen më të mirë ekonomike në tetë vitet e fundit në Kinë, parë kjo edhe në kuadër të luftës për eliminimin e varfërisë në mbarë vendin.

Në vitin 1051 jetëgjatësia mesatare e popullsisë së Tibetit ishte vetëm 35 vite dhe shumica dërrmuese e popullsisë, mbi 95%, ishte tërësisht analfabete, por kjo as që mund të krahasohet me vitin 2021, kur jetëgjatësia e popullsisë së Tibetit ka arritur në mesatarisht mbi 71 vite dhe kur arsim I 15 vjeçar realizohet dhe mbështetet me anë të financimin publik, kjo pasi në Kinë shtimi i jetëgjatësisë së popullsisë së vendit dhe përmirësimi i nivelit arsimor mbarëkombëtar shikohen si dy aspekte shumë të rëndësishme zhvillimore shumëplanëshe.

Ekonomia e Tibetit, që prej shekujsh ishte e lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë, tashmë po diversifikohet, si pasojë e reformave ekonomike dhe sociale të ndërmarra përgjatë kësaj periudhe 70 vjeçare.

Kultivimi i elbit, grurit, patateve, frutave dhe perimeve, së bashku me mbarështimin e bagëtive të imta dhe kuajve kanë qenë veprimtaritë tradicionale ekonomike të këtij rajoni për dhjetra e qindra vite, por, vitet e fundit ka një rritje të interesit nga ana e turistëve për të vizituar Tibetin, dhe, për shkak edhe të promovimi të këtij sektori nga ana e autoriteteve të pushtetit qendror dhe vendor, në pesë vjetët e fundit në Tibet, janë organizuar më shumë se 160 milionë vizita turistike, ndërsa 140 linja ajrore e lidhin Tibetin me pjesën tjetër të vendit dhe botës, duke sjellë të ardhura të shumta për ekonominë e zonës.

Kjo ka sjellë edhe zhvillimin e artizanatit, pasi punimet artizanale të Tibetit janë ndër më të kërkuarat nga ana e turistëve. Kapelet tibetiane, bizhuteritë prej ari dhe argjendi, të punuara në mënyrë të mrekullueshme, figurinat prej druri, veshjet shumëngjyrëshe, pëlhurat dhe qilimat tibetianë tashmë janë ndër më të kërkuarat në tregu nga ana e turistëve.

Një burim i mirë të ardhurash për banorët e zonës është vjelja e kërpudhave Ophiocordyceps sinensis, që si biznes sjell rreth 230 milionë USD në vit.

Hekurudha Qingzang që lidh Rajonin Autonom të Tibetit me Provincën Qinghai, hapur në 2006, ka sjellë një zhvillim të madh të transportit të mallrave dhe njerëzve.

Depozita të mëdha mineralesh janë zbuluar këto 20 vitet e fundit, duke dyfishuar rezervat e Kinës në hekur, zink, bakër, plumb, etj. Kjo shikohet edhe si një mundësi për të eliminuar në një masë të madhe varësinë e ekonomisë së vendit nga importet e këtyre burimeve të vlefshme. Qeveria qendrore po merr masa të shumta që zhvillimi sektorit minerar dhe përpunimit të metaleve në mbarë Kinën, të jetë në përputhje me mbrojtjen e mjedisit, pa dëmtuar ekosistemin dhe pa dëmtuar jetën urbane dhe rurale dhe kur bëhet fjalë specifikisht për Tibetin, qeveria qendrore dhe ajo vendore kanë marrë masa që ekosistemi i brishtë i Tibetit dhe kultura tibetiane, jo vetëm që të mos dëmtohen, por të mbrohen e zhvillohen edhe më shumë, pavarësisht zhvillimeve të reja, bashkëkohore me karakter urban, industral dhe kozmopolitan.

Këshilli i Shtetit i Kinës, në vitin 2001, miratoi Zonën e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik të Tibetit, Lhasa si një zonë zhvillimi në nivel shtetëror.

Në vitin 2009, me një projekt që kushtoi më shumë se 230 milionë USD u ndërtua autostrada që lidh aeroportin Lhasa me pjesën juperëndimroe të vendit.

Gjithashtu, në vitin 2010 u shpall plani për përmirësimin e zhvillimit të zonave të vendit, ku i sinjalizua edhe angazhimi i udhëheqjes së lartë kineze për zhvillimin të Tibetit dhe zonave etnike të tij, duke synuar shtimin e të ardhurave të banorëve të Tibetit, arsimin falas për të gjithë fëmijët tibetianë, etj.

Gjuha tibetiane përdoret gjerësisht. Veprat e çmuara klasike tibetiane janë ruajtur dhe grumbulluar. Afro 800 projekte, duke përfshirë pikturën thangka, operën tibetiane dhe mjekësinë tibetiane, janë përfshirë në “Listën e trashëgimisë kulturore jomateriale” të Kinës dhe kjo si pjesë e politikës së kujdesëshme te lidershipit kinez të nivelit të lartë.

Tashmë Tibeti mund të konsiderohet si një rajon që mund të ketë një zhvillim të pandëprerë të qendrueshëm dhe me një kujdes të veçantë në aspektet e manaxhimit strategjik dhe politikave zhvillimore i ka të tëra mundësitë që të kthehet në një motor me vlerë për ekonominë e madhe të Kinës.

Nga: Dr. Enriko Ceko