Vera mjaft e nxehtë e këtij viti, pavarësisht problemeve të tjera që lidhen me klimën, ka sjellë edhe situata të paparashikuara si Afganistani, i cili po merr përherë e më tepër vëmendje ndërkombëtare.

Tani të gjithë e kanë drejtuar shikimin atje, pas tërheqjes amerikane, 20 vjet pas ngjarjeve të 11 shtatorit. Zhgënjimi për këtë tërheqje është kudo i madh, pasi problemet që pasojnë janë të shumta dhe dështimin atje nuk e justikojnë deklaratat e ndryshme. Pavarësisht këndvështrimit, kriza do të ketë dallgë të mëdha, që do përplasen brenda Afganistanit, në rajon, por të fuqishme do të jenë edhe mbi Evropën. Në këtë valë të madhe dallgësh problematike që ka shkaktuar dështimi në Afganistan, Evropa po përpiqet të menaxhojë kujdesshëm edhe kriza të tjera, ndër të cilat është edhe ajo e gazit. Meqenëse pas një dimri të gjatë ajo ka konsumuar pothuaj edhe rezervat e shumta që kishte, vera e nxehtë nuk i ka krijuar asnjë komoditet që të jetë e qetë përsa i takon dimrit, i cili duket ende larg.

Rritja e menjëhershme e çmimit të gazit, madje në mënyrë të frikëshme po të gjykosh nga shifrat, bën që Evropa të përballet me një nevojë serioze për të cilën nuk mund të sillet gjeopolitikisht, pavarësisht se për një kohë të gjatë kjo sjellje ka dominuar në politikën e saj ekonomike me gazin. Tre deri katërfishimi i çmimit të gazit krahasuar me vitin 2020, nuk janë një kokëçarje pa efekte të gjithanëshme për blerësit e gazit dhe mundësitë e sigurimit të tij. Vetëm brenda një muaji çmimi i gazit është rritur me 200 dollarë për 1.000 metër kub mbi çmimin bazë, kur vitin e kaluar ishte 170 dollarë për 1.000 metër kub. Shifrat e rritjes janë të tilla që të surprizojnë, por pas tyre vijnë edhe një varg problemesh me adresat e furnizuesve të mëdhenj, që i largohen tregut evropian, duke shikuar për tregje të tjera më të leverdisshme.

Furnizuesit amerikanë të Evropës dhe ata të Katarit nuk orientohen shumë nga gjeopolitika, se sa nga përfitimet e drejtëpërdrejta që vijnë nga tregtia e gazit. Ndërkohë që Evropa vite me radhë e ka orientuar përmbushjen e nevojave me gaz në përputhje me besnikërinë politike ndaj Uashingtonit, tregtarët e gazit, kanë tani të tjera interesa, aq më shumë që çmimi njeh vetëm rritje. Më shumë se 16 miliardë metër kub gaz i kanë munguar Evropës gjatë këtij viti nga furnizuesit e mëdhenj si pasojë e ndryshimit të destinacionit.

Si do të mbushet gjithë ky vakuum dhe nevojë jetësore? E fokusuar vetëm në gjeopolitikë në këtë çështje, Evropa ndjehet disi e zbuluar, ndërsa i duhet të merret me zgjidhjen e situatave të paparashikuara siç është Afganistani në të gjithë problematikën komplekese që e shoqëron.

Problemi i sigurimit me gaz çdo ditë e më shumë po vjen në qendër të angazhimeve serioze evropiane dhe sytë po drejtohen sërish nga Moska. Rusët qëndrojnë të ftohtë dhe e dijnë shumë mirë tani se dera e tyre do të ketë trokitje të vazhdueshme për të zgjidhur nevojat në rritje për gaz, pavarësisht deklaratave se nuk ka asnjë ndërvarësi në këtë çështje ndaj Rusisë. Prodhimi i gazit në Rusi është shumë më i lirë se në SHBA apo Katar. Krahas problemeve që shkakton në ekosistem, prodhimi i gazit në SHBA nepërmjet teknologjisë “fracking” është shumë i shtrenjtë në kushtet e tanishme dhe tundimi përballë ofertës ruse, por edhe nevojave urgjente është i parezistueshëm.

Kancelarja Merkel vetëm pak ditë pas kthimit të saj nga Uashingtoni, ku në qendër ishte edhe Gazësjellësi “Rryma e Veriut 2”, shkoi në një vizitë të shpejtë në Moskë. Temat e diskutimeve ishin të shumta, por vëmendjen e mori diskutimi i gazjesjellësit “Rryma e Veriut 2”, mbasi pas përfundimit të mandatit të saj në shtator, siç është shprehur edhe vetë kancelarja, kërkon doemos të shmangë një problem mbi ekonominë dhe kurrizin e gjermanëve në dimrin e ardhshëm. Të dy palët janë të interesuara që të vijojnë normal komunikimet e shkëmbimet në këtë fushë, për të anashkaluar me kujdes atë që prodhoi situata në Ukrainë. Si në bisedën telefonike, ashtu edhe në takimin e drejtpërdrejtë, palët ishin të kujdesëshme për t’iu baraslarguar këtij sindromi në marëdhënien në mes tyre. Gjermania ka nevojë për energjentët rusë, ndërkohë që palës tjetër i duhet t’i shesë ato në Gjermani, po edhe vende të tjera evropiane. Pikërisht këtu ata takojnë interesat.

Sjellja politike e Evropës ndaj Rusisë në këtë çështje nuk ka rezultuar e suksesëshme, pasi mekanizmat e kontrollit të tregut të gazit janë të tilla, që domosdo kërkonin të llogariteshin edhe ambiciet ruse dhe fuqia e tyre në këtë çështje. Përpjekja për t’i vënë kushte Rusisë në fushën e tregtimit të gazit dhe për të mos u ndërvarur nga ajo, nuk rezultoi një ide racionale dhe e suksesëshme dhe Brukseli në një mënyrë apo një tjetër do të jetë i detyruar të anashkalojë gjeopolitikën dhe t’i drejtohet tregut rus.

Gazprom ka dëshmuar jo vetëm stabilitet, por edhe çmime konkurruese, pavarësisht se edhe nga kjo adresë e fuqishme furnizuese me gaz, nevojat e Evropës nuk përmbushen plotësisht dhe ajo mund të marrë frymë lirisht në dimrin e këtij viti. Vetë Rusia është konsumatore shumë e madhe gazi dhe ka kontrata edhe me blerës aziatikë, ndaj të cilëve kërkon të qëndrojë korrekt, pavarësisht ofertave të tregut. Gjeopolitika që është përpjekur për ta ndëshkuar, ka bërë që të ketë kontrata afatgjata me përdorues aziatikë, ndaj të cilëve furnizimet do të vazhdojnë.

Vënia në funksion e gazsjellësit “Rryma e Veriut 2”, ndaj të cilit aleancat për sanksione nuk rezistuan deri në fund, do të bëjë të mundur që Evropa të ketë një shtim të ndjeshëm të furnizimit me gaz nga kompania Gazprom. Kapaciteti prej 55 miliardë metër kub në vit i “Rryma e veriut 2”, një sasi e barabartë me prodhimin e “Rryma e Veriut 1”, krijon një mundësi eksportimi që Evropës i zgjidh një situatë emergjente, ndërkohë që politikisht Rusisë i jep një protagonizëm edhe më të madh në skenën politike .

Kundërvënia që ka ndodhur për vite me radhë ndaj gazsjellësit, e cila tani konsiderohet si një fitore e heshur e Rusisë, ka bërë që këndvështrimi gjeopolitik të bjerë dhe vende si Polonia që kanë udhëhequr këtë betejë, tani ta shohin situatën në mënyrë më pragmatiste dhe larg konteksteve që e kanë politizuar. Rusia normalisht ka luajtur e luan edhe kartën gjeopolitike, por Evropës në këtë çast nuk i intereson të futet në kanale të tilla, aq më shumë që problemi i gazit mbetet i mprehtë dhe serioz. Lufta tregtare e kthyer në luftë politike është e papërshtatëshme jo vetëm për momentin, por edhe në vijimësi, pasi projekte private të mëdha, nuk mund t’i nënshtrohen e të bëhen gjithnjë pjesë e skemave politike.

Marëdhënie e Rusisë me Evropën mbetet mjaft e komplikuar. Tregu i gazit mbetet një korridor komunikimi të cilin as Evropa dhe as Moska nuk duan ta mbyllin, pavarësisht korridoreve të reja që mund të krijojnë palët. Interesat afatgjata gjeopolitike dhe ekonomike nuk krijojnë një komoditet të tillë të mbylljes së këtyre korridoreve.

Gëzim Podgorica