Intervistë me dr.shkencave epidemiologun Ilir Alimehmeti, zëvendësdekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës

CMG: Si paraqitet aktualiteti pandemik në Shqipëri?

Ilir Alimehmeti: Qartësisht kemi një rritje të infeksioneve prej tre javësh, rritje kjo që i atribuohet variantit Delta, e cila është shoqëruar me një farë rritje spitalore, por jo me rritjen e valëve të tjera. Nëqoftëse ne shohim janarin, kur kishim 500-600 raste në ditë, spitalet po tejmbusheshin dhe humbjet e jetës ishin në numër të madh, ndërkohë që nuk kemi të njejtën situatë. Ne këtë e quajmë “ndarje të kurbave”, pra kurba e rasteve të reja rritet me shpejtësi, por është ndarë nga kurba e rasteve të rënda. Deri para pak muajsh kur rriteshin rastet e reja, dhjetë ditë apo dy javë më pas rriteshin paralelisht shtrimet në spital, ndërsa tani kjo diferencë është bërë më e madhe dhe nuk e ndjek paralelisht. Pra, ka një rritje, por jo me shpejtësinë e rritjes së rasteve të reja.

Kjo është arsyeja përse në 2021 ne duhet të kemi një konsideratë tjetër për kurbat epidemiologjike dhe duhet të shohim spitalet, rastet e rënda dhe humbjet e jetës.

CMG: Jemi në prag të vjeshtës dhe flitet se pritet një valë e re infeksion

esh nga koronavirusi. Mendoni se kjo valë e re duhet shoqëruar patjetër me masa kufizuese?

Ilir Alimehmeti: Jo, nuk ka logjikë. Vala që ne do të prisnim ishte vala Delta dhe jemi në mes të kësaj vale, që do të vazhdojë të rritet dhe do të ketë efektet në shtator. Ndërsa në dyjavëshin e parë të shtatorit pritet zbritja ose normalizimi, por kemi ende tani rritje të kurbës. Ndërsa për periudhën e mëvonëshme tetor, nëntor, dhjetor duhen parë variantet, sepse po ta shihni çdo tre muaj lind një variant i ri më transmetues dhe askush nuk mund ta dijë nëse në tetor, nëntor dhe dhjetor do të kemi një variant të ri. Duhet të dimë dhe se akoma nuk e kemi stresuar sa duhet virusin me vaksinimin, sepse në momentin që ke ngritur një gardh rreth virusit në sajë të vaksinimit, ai mundohet të krijojë variante që të kapërcejë gardhin. Delta duket si një prej tyre dhe po ta vini re efektiviteti i tij ka rënë me vaksinat. Të ardhmen nuk e shohim dot nëse do të ketë një variant tëri, por ajo që është e rëndësishme si me çdo virus, variantet kanë tendencë që të bëhen gjithmonë e më të transmetueshëm, por gjithmonë e më pak vdekjeprurës.

CMG: Po të ecim me këtë logjikë, ne si qytetarë duhet që në të ardhmen ta shohim koronavirusin si një grip stinor?

Ilir Alimehmeti: Si endemik. Po, kjo është mundësia më e madhe që të shkojë te familja e viruseve të ndryshëm që ne e fusim te gripi sezonal, sepse ka shumë viruse të ndryshëm. Përgjithësisht pandemitë kanë një kohë, një kronologji që është pak a shumë deri në dy vjet, pra rreth mars-prillit të 2022, që do të thotë se kemi dhe një vjeshtë e dimrin përpara, por nuk do të jenë kurrë si vjeshta e dimri i kaluar.

CMG: Ndalemi te vaksinat. Në bazë të raportimeve zyrtare në media janë vaksinuar më shumë se 1 milion e 350 mijë qytetarë, ndër të cilët rreth 570 mijë me të dy dozat e vaksinave. Kemi të bëjmë me shifra optimiste, sa i përket popullsisë së Shqipërisë?

Ilir Alimehmeti: Jo, nuk është optimiste. Do ta konsiderojmë sipas përqindjes dhe ne kemi aktualisht rreth 20 për qind të popullatës që kanë kryer dy dozat e vaksinës dhe rreth 5-6 për qind me një dozë, që patjetër do të marrin dhe dozën e dytë. Bashkimi Europian është te shifra mbi 60 për qind me dy doza dhe ka shtete të tjera me përqindje më të lartë. Me shifrat 20 apo 25 për qind nuk ja del dot me këtë virus dhe duhen përqindje shumë më të larta, ose kemi një përqindje të lartë të njerëzve që e kanë kaluar virusin dhe i shtohet kësaj përqindje të të vaksinuarve . Përndryshe kjo shifër nuk është askund dhe duhet të shkojë niveli i vaksinimit në 70-75 për qind. Nuk jemi aty ku duhet me vaksinimin, ndonëse nisëm shpejt dhe fort e mbërritëm shumë, por mbetëm në vend. Të gjitha shtetet e tjera janë qartësisht në nivele më të larta.

CMG: Kemi mësuar nga informacionet në media se varianti Delta është shumë i transmetueshëm, madje dhe po të jesh plotësisht i vaksinuar mund të prekesh prej tij. A nuk është demoralizuese t’i thuash të vaksinuarit se mund të infektohesh?

Ilir Alimehmeti: Kjo është e vërtetë. Mund të ndodhë, por fatkeqësisht kështu është. Të gjitha vaksinat kanë pësuar rënie përsa i përket infektimit. Pra të qenurit pozitiv, thjesht të kesh Sars Covid 2 në trupin tënd nuk do të thotë se je i sëmurë, por je risk për të tjerët. Ajo që ka mbetur fatmirësisht është efektiviteti për format e rënda dhe ky efektivitet, sidomos në vaksinat më të studiuara, është i lartë, në shifrat 90 e mbi. Idealisht do të donim një vaksinë neutralizuese që të mos lejojë fare infektime, por në një vit e gjysmë histori të zhvillimit të vaksinave boll është bërë edhe kaq, sepse nuk e mendonte kush që do të ishim këtu ku jemi. Një vaksine që t’ja kërkojmë këto cilëso do 4-5 vite dhe në mjekësi cilësia dhe shpejtësia nuk janë shoqe të mira. Ne kemi vaksina emergjence dhe kjo do të thotë të evitojmë format e rënda.

CMG: Disa kolegë tuajët kanë hedhur idenë në media për një dozë vaksine përforcuese për personat me sëmundje të rënda dhe të moshuarit. Këta të fundit në Shqipëri kanë kryer më së shumti vaksinat kineze Sinovac dhe Coronavac. Ju jeni pro dozës përforcuese?

Ilir Alimehmeti: Kjo do parë nga rasti në rast. E para, e kemi luksin që ta bëjmë këtë pyetje sepse kemi vaksina. Le t’i marin me radhë. Ne tre vaksina kemi në Shqipëri, Pfizer, Astra Zeneca dhe Sinovac e Coronavac. Vaksinat Pfizer dhe Astra Zeneca nuk duhet të kenë nevojë, ose ndoshta tek disa persona me sëmundje të veçanta dhe të rënda por është një minoritet. Gjithashtu kur themi Coronavac duhet të kemi parasysh që në bazë të shifrave që kemi ne personat që e kanë kaluar virusin dhe kanë bërë të dyja dozat e Coronavac nuk kanë nevojë për dozë përforcuese. Ndërsa personat e moshuar që nuk e kanë kaluar virusin, por kanë bërë të dy dozat e vaksinës, duke pasur parasysh imunitetin e tyre të ulët për këtë përgjigje na jep CDC e Kinës, e cila dhjetë ditë më parë nxorri të dhënat e studimit të bërë për fazën e parë dhe të dytë klinike për dozën e tretë të Coronavac në moshat mbi 60 vjeç. Ata thonë që brenda 6 muajve vetëm 17.8 për qind e personave në këtë grupmoshë kanë antitrupa neutralizues. Atyre u është bërë doza e tretë e vaksinës dhe brenda 7 ditësh 100 për qind e njerëzve kishin antitrupa neutralizues. Si rrjedhojë, ky studim mbështet nevojën për një dozë të tretë të Coronavac dhe ndoshta për personat mbi 60 vjeç ndoshta është për ta bërë. Studimi i Kinës është i fortë dhe i qartë dhe duke patur një të dhënë kaq të fortë të autoriteteve zyrtare të Kinës që e nxjerrin këtë studim, kjo evidencë duhet marrë patjetër parasysh.

Intervistoi Eda Merepeza