Zhgënjimi i përsëritur për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut me BE-në pritet të marrë një kthesë tani që Sllovenia ka marrë kryesimin e radhës te vendeve të Unionit. Kryeministri Janez Jansha në kuadër të marrjes së Presdiencës së BE-së nga Sllovenia deklaroi se do të investohet në mënyrë intensive diplomatike për përshpejtimin e procesit të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor në BE. Kryeministri slloven planfikon që në muajin tetor të këtij viti të organizojë një samit midis udhëheqësve të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një përpjekje për të fuqizuar raportet. Angazhimi i kryeministrit slloven vjen pas dështimesh të përsëritura në këtë proces.

Në mjedisin politik të Shkupit ka një atmosferë pak më optimiste për të kaluar këtë ngërç, i cili ashtu si vite më parë me Greqinë lidhur me kontekstin e emrit, vijon të ketë pengesa që nuk po kapërcehen. Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë në Ballkanin Perendimor që ishte më afër fillimit të negociatave dhe pranimit në Bashkimin Europian, por rruga iu vishtirësua deri në kufijtë e të parealizueshmes në fillim nga Greqia e tani nga Bullgaria, dy vende fqinje, por me kontekste historike të ndryshme lidhur me të.

Pas përfundimit të Presidencës portugeze, Shkupi zyrtar është më optimist, megjithëse ngjan paksa e vështirë të ketë një kthesë që mund ta tejkalojë murin bullgar. Portugalia, si një nga vendet themeluese të BE-së, me një peshë specifike shumë më të madhe se Sllovenia kishte një angazhim serioz për ta realizuar hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në gjatë mandatit të saj, por nuk e arriti.

Duke njohur lidhjet e vjetra të shteteve të ish-Jugosllavisë, Shkupi politik ka një optimizëm më të lartë se diplomacia sllovene do të jetë më aktive dhe do të rrisë presionin ndaj Bullgarisë, gjë që nuk ngjan si shumë e mundur. Në periudhën e parë të këtij viti, jo vetëm Portugalia, por edhe Gjermania që është shteti më i fuqishëm dhe lider i Europës, megjithë angazhimin dhe mbështetjen për reformat e kryera dhe plotësimin e mjaft nga standardet e kërkuara, nuk bënë të mundur marrjen e dritës jeshile në samitin e qershorit.

Në periudhën e parë të këtij viti u angazhuan një sërë diplomatësh të lartë për gjetjen e një zgjidhjeje midis dy vendeve, por përsëri vetoja bullgare rezistoi dhe nuk u arrit zhbllokimi i rrugës së Shkupit drejt BE-së, duke penalizuar kësaj radhe edhe Tiranën zyrtare. Shpresa se Sllovenia do të ketë një ndikim më të madh për të bindur Bullgarinë, ka krijuar optimizëm, i cili me shumë gjasa është më tepër një dëshirë se sa një realitet i mundur. Lubjana megjithë vullnetin e saj pozitiv ka një peshë më të vogël se Portugalia e në mënyrë të veçantë Gjermania, për të ushtruar presion ndikues ndaj vetos bullgare.

Vetoja bullgare për RMV (Panorama)

Vetoja bullgare për RMV (Panorama)

Shkupi zyrtar në këtë çështje para së gjithash duhet të krijojë një unitet për një qëndrim të harmonizuar përmes gjithë fakto

rëve politikë, me qëllim që në negociatat e vështira më palën bullgare, të ketë një unision brenda vetes. Duke ndjekur trajektoren politike të qëndrimeve që kanë partitë në pushtet dhe opozitë për çështje të tilla, një përafrim qëndrimesh është i domosdoshëm. Marrëveshja e Prespës lidhur me çështjen e emrit vijon të mos pranohet nga opozita aktuale, kësisoj qëndrimi me Bullgarinë, domosdoshmërisht kërkon një akord të brendshëm politik, me qëllim që ai të jetë i qëndrueshëm e të prodhojë një rezultat pozitiv afatgjatë.

Ditët e fundit partia opozitare VMRO-DPMNE ka propozuar një rezolutë për të përcaktuar kufijtë e paprekshëm në bisedimet me Bullgarinë. Rezoluta përmban përcaktime të tilla, të cilat mund ta çojnë procesin drejt një tuneli me shumë pak dritë në fund të tij.

Në rezolutën e saj VMRO-DPMNE kërkon “të respektohen studimet shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore e kulturore”. Me gjithë refuzimet e para, Lidhja Socialdemokrate e kryeministrit Zaev e ka mbështetur rezolutën, gjë që do të bëjë edhe më të vështirë mundësinë e gjetjes së konsensusit me palën bullgare. Zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, i shtyjnë forcat politike të gjejnë një gjuhë të përbashkët për tema të tilla të nxehta, pasi në të kundërt do të kishin një faturë të rëndë në këtë ballafaqim elektoral.

Duke parë situatën e brendshme problematike dhe pamundësinë për të marrë e vetme një vendim lidhur me bisedimet me Bullgarinë, kryeministri Zaev po investohet për të gjetur mbështetjen që duhet përtej kufijve ballkanikë. Ai është fokusuar në të gjithë këtë periudhë në gjetjen e një sponsorizimi të Brukselit në këtë pikë, më shumë se sa të krijimit të një atmosfere bashkëpunuese brenda klasës politike në vend. Kohët e fundit ka rritur presionin ndaj Brukselit, duke afishuar rritjen e frymës nacionaliste në vend. Rritja e kësaj fryme është përcjellë në Bruksel nga Zaev si një paralajmërim që tensionet etnike do të shtohen, ndaj investimi europian e ndërhyrja kërkohet të jetë më e fuqishme. Kryeministri ka lëshuar disa herë deklarata “frikësuese” ndaj BE-së, ku në brendësi të tyre qëndrojnë ato që parashikojnë edhe destabilitet rajonal, nëse investimi për dhënien e statusit vend kandidat do të vijonte të endej nëpër kalendat greke.

Duke iu referuar projektit të Iliridës, një projekt që u soll në skenë pas dështimit të përsëritur të negociatave, Zaev kërkon t’i dërgojë mesazhe të drejtëpërdrejta Brukselit dhe Sofjes se terësia territoriale e vendit vihet në pikpyetje nëse vijon i njejti qëndrim ndaj Shkupit dhe ky destabilitet nuk lidhet thjesht me Maqedoninë e Veriut, por rezonanca është më e gjerë.

Por as ky presion i kryeministrit maqedonas dhe as argumentet e tjera shtesë nuk dhanë rezultatin që pritej në samitin e qershorit, duke i lënë gjërat pezull dhe për një kohë që mbetet e pacaktuar.

Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së vijon të mbetet peng i vetos bullgare, e cila pavarësisht marëdhënieve që kanë dy vendet, marrëveshjeve e memorandumeve për bashkëpunim, mbetet e palëvizëshme. Bullgaria në mënyrë të përsëritur konteston identitetin maqedonas. Këtu në këtë pikë maqedonasit reagojnë dhe përpiqen të mos bëjnë të njëjtat lëshime si në rastin e Greqisë, lëshime ku rezonanca politike vijon të jetë e fortë dhe mbase edhe destabilizuese nëse nuk ka një reformim qëndrimi nga VMRO DPMNE, e cila është deklaruar se me ardhjen në pushtet, nuk do ta njohë Marrëveshjen e Prespës.

As 2 gushti i vitit 2017, kur dy vendet nënshkruan marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, nuk arriti dot t’i japë zgjidhje konteksteve me bazë historike midis dy vendeve dhe entuziazmi i Shkupit që po çelej rruga për negociatat, nuk do të rezultonte i vërtetë.

Presidenca sllovene e BE-së (REL)

Presidenca sllovene e BE-së (REL)

Pse është e vështirë zgjidhja e kësaj mosmarrëveshjeje pavarësisht se investimi i vendeve më të fuqishme të BE-së nuk ka munguar dhe vullneti pozitiv i Brukselit është gjithnjë prezent? Si dy vende ku fryma nacionaliste gjithnjë e më shumë ka inspiruar politikën, ndjeshmëria ndaj gjuhës, historisë dhe indentitetit është e lartë dhe Sofja pikërisht këto konteston dhe nuk i pranon. Ky mospranim rrit edhe më shumë tensionet në Shkup, veçanërisht tek pjesa që vijon të ushqehet me nacionalizëm.

Këmbëngulja e Sofjes për gjuhën maqedonase ka qënë një pikë pothuaj e panegociueshme në takimet që kanë patur negociatorët e palëve lidhur me gjetjen e një rruge që mund t’i sheshojë mosmarrëveshjet. Bullgarët i qëndrojnë tezës se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe ajo është krijuar në vitin 1945, si një dialekt i gjuhës bullgare.

Para vitit 1945 theksohet se banorët sllavë në Maqedoni gjuhë të folur kanë patur bullgarishten dhe krijimi i gjuhës maqedonase dhe mbrojtja e saj si gjuhë kombëtare nuk qëndron, pasi kemi të bëjmë me një zgjidhje artificiale dhe që nuk është në përputhje me të vërtetën historike.

Jo vetëm gjuha, por edhe identiteti maqedonas është një artific i krijuar nga regjimi i pas vitit 1944, ndërkohë që Sofja arsyeton nga ana e saj, se gjeneza e popullit të sotëm sllav të Maqedonisë së Veriut, është bullgare. Madje kohë më parë Bullgaria hapi një proces ligjor të dhënies së nënshtetësisë për të gjithë sllavo –maqedonasit. Megjithë reagimin e ashpër të Shkupit ndaj këtij procesi, pati aplikime të shumta që lidheshin më teper me arsyet utilitare, gjë që i vuri autoritet zyrtare në Maqedoninë e Veriut në një pozitë të vështirë për të gjetur argumenta kundërshtues në këtë proces.

Përplasjet midis dy vendeve krahas gjuhës dhe identitetit të kombit janë edhe për disa figura të spikatura historike si Jane Sandanski, Kliment Ohridski dhe Gode Delçevi, ky i fundit një personazh ku pretendimet e palëve për përkatësinë e tij, krijojnë përplasjen më të ashpër. Akademikët e dy vendeve pretendojnë sipas tyre me fakte të provuara që i përket njeres apo tjetrës palë, duke e radikalizuar edhe më tepër marëdhënien.

Kryeministri maqedonas Zaev (European Western Balkans)

Kryeministri maqedonas Zaev (European Western Balkans)

Shkupi, i gjendur përballë këtyre pretendimeve, por edhe të tjerave që kanë marrë mjaft vëmendje, i ka hedhur poshtë pretendimet bullgare dhe ka pohuar se do të bëjë sakrifica politike (nënkupto: mosçeljen e negociatave) nëse Bullgaria nuk tërhiqet nga tezat e saj. Kohët e fundit janë shtuar së tepërmi përplasjet dhe do të jetë një mision i vështirë i Presidencës sllovene, realizimi i tejkalimit të konfliktit, i cili nuk është i ngrirë, por ka marrë një dimension që mund të kthehet në destabilzues .

Parë në këtë këndvështrim, Sllovenia nevojitet të jetë e mbështetur nga aktorë të fuqishëm potencialë europianë për të rritur presionin ndaj Bullgarisë, ndaj së cilës BE-ja është investuar fuqishëm në vitet e fundit.

Gëzim Podgorica