Kur mbarë njerëzimi po përballet me sfida të reja të krizës më të rëndë shëndetësore që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe akoma nuk janë kapërcyer pasojat e kësaj pandemia fatale kovidiane, e cila, në fakt, vazhdon edhe me variante të reja sikurse është ai kohëve të fundit Delta, po përshkallëzohet një ofensivë e orkestruar nga një grup vendesh perëndimore nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara për politizimin e origjinës së COVID-19 në një përpjekje tjetër për të devijuar hetimet e mëtejshme reale shkencore dhe për te sabotuar përpjekjet globale për të mposhtur këtë epidemi që ka pllakosur të gjithë botën.
Është krijuar një situatë paradoksale, e cila të kujton tensione të inskenuara në shumë raste më parë prej tyre kur me manovra dhe manipulime politike, duke përdorur edhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, madje edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), për të çorientuar opinionin e tyre të brendshëm publik dhe atë ndërkombëtar duke krijuar mjegullnaja se e kanë gjetur ‘fajtorin’, e kanë zbuluar origjinën e virusit dhe as më shumë e as më pak por është laboratori i Wuhanit në Kinë. Duke e kthyer gjurmimin e origjinës së paracaktuar të virusit në një operacion zbulimi agjenturor administrata amerikane nuk bën gjë tjetër veçse e fut një problem të fushës së shkencës mjekësore në hullitë e metodave të errëta të spiunazhit, që të kujtojnë Luftën e Ftohtë. Madje institucioneve të zbulimit u jepen ultimatume me afate që të ‘vërtetojnë’ origjinën e virusit duke patur vetëm një objektiv në tërë botën.
Përballë këtyre zhvillimeve sikurse pjesa më e madhe e përfaqësuesve më të lartë të vendeve të botës, nuk është aspak indiferent edhe opinioni publik botëror, madje është i shqetësuar per këtë ofensivë stigmatizuese në rritje amerikane kundër popullit kinez, këtë radhë nën kartën politike të gjurmimit të origjinës së virusit.
Që në krye të herës të lind natyrshëm pyetja: a mund të bëhet një gjurmim i tillë i origjinës së një virusi duke patur vetëm një objektiv dhe burim? Mund të duket sempliste e foshnjarake por edhe një mjek i thjeshtë do të ngrinte supet se shkolla e puna e kanë mësuar që për të arritur në një konkluzion edhe për një sëmundje të zakonshme të një pacienti janë të nevojshme disa procedura.
Më vjen në ndihmë në argumentin tim të thjeshtë një pyetje e një sondazhi si më poshtë: "A i përkrahni hetimet në disa vende për gjurmimin e burimit të koronavirusit?" Dhe përgjigja që ishte pjesë e këtij sondazhi të kryer nga Instituti i Studimit të Politikave pranë Rrjetit Televiziv Global të Kinës (CGTN) dhe i bërë publik më 26 korrik 2021 ishte shumë e qartë dhe konkrete: “Nga rezultati i sondazhit del se ndër përdoruesit e internetit, që morën pjesë në votim, në "Twittër" përqindja e përkrahjes ishte 83 për qind, ndërsa në "Facebook" 79 për qind”. (CRI, 27 korrik 2021)
CGTN e ka publikuar raportin me titull "A mendoni se gjurmimi i burimit të COVID-19 është politizuar?" mbi një sondazh në internet, ku 80 për qind e përdoruesve të internetit në mbarë globin që morën pjesë, janë të mendimit se gjurmimi i burimit të COVID-19 është politizuar.
Risia e këtij sondazhi ishte se ai u bë në gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së: kinezisht, anglisht, rusisht, frëngjisht, spanjisht dhe arabisht, pra përfshinte mbarë rruzullin tokësor, ishte shprehja e mendimit të një ‘OKB’-je të tërë popullore në mënyrë demokratike. Ai nisi nga mëngjesi i 24 korrikut sipas orës së Pekinit duke përfunduar në orën 22 të 25 korrikut dhe ja disa hollësi që të tërheqin vëmendjen: 90 për qind e përdoruesve të internetit në gjuhën spanjolle, që morën pjesë në sondazh në "Twitter", iu përgjigjën “po” pyetjes nëse ka pasur "politizim të gjurmimit të burimit të COVID-19", ndërsa shifrat në frëngjisht, rusisht dhe anglisht janë përkatësisht 88 %, 83 % dhe 70 %. Ndërkohë, 68 për qind e përdoruesve të internetit në gjuhën arabe ranë dakord me këtë mendim. Në "Facebook", mesatarisht 83 për qind e përdoruesve të internetit në anglisht, spanjisht, frëngjisht, arabisht dhe rusisht janë të mendimit se gjurmimi i burimit të COVID-19 është politizuar.
Komentet e pjesëmarrësve në këtë sondazh janë vërtet interesante. Një përdorues i internetit në gjuhën angleze vinte në dukje se OBSH-ja duhet të zgjidhë problemin e trysnisë politike dhe se gjurmimi i burimit të koronavirusit është një taktikë politike e SHBA-së për frenimin e ngritjes së Kinës. Një përdorues i internetit në spanjisht është i mendimit se opinioni i gjurmimit të burimit të COVID-19 kontrollohet nga mediat kryesore. Një frëngjishtfolës shkroi se SHBA-ja orvatet të sanksionojë më tej Kinën. Arabishtfolësit në internet komentuan se koronavirusi është politizuar në periudhën e Trump-it dhe se kjo është një gënjeshtër e fabrikuar nga vendet perëndimore, por publiku nuk duhet të mashtrohet nga politikanët. Ndonjë përdorues interneti në gjuhën ruse tha haptazi se kjo është një luftë e shpërthyer nga vendet perëndimore. Gjatë analizës, Instituti i Studimit të Politikave pranë CGTN-it zbuloi se, ndër komentet e përdoruesve të internetit në mbarë globin, u përdorën më shumë fjalët "trysni politike", "sanksione amerikane", "kontroll mediatik", "shpërblime ekonomike" dhe "frenimi i zhvillimit të Kinës".
Duket qartë nga sondazhi se shigjetat e propagandës së kësaj administrate amerikane, që tashmë është e njëllojtë me atë të asaj të mëparshme, orvatet më tërë mënyrat e makinacionet ta bëjë Kinën ‘fajtore’ pa ditur asgjë realisht për origjinën e virusit.
Bllofi amerikan…
Po të kthehesh pak në kohë është e lehtë të gjykosh se sa e paprinciptë ka qenë dhe fatkeqësisht vazhdon të jetë politika amerikane në rastin e kësaj krize globale shëndetësore që kur shpërtheu e deri tani me aktorë kryesorë figurat më të larta të administratës amerikane. Ndodhi që aleatët më besnikë perëndimorë të Uashingtonit, kryesisht në Evropë, nuk ishin në vijën e parë anti-kineze se u zunë të papërgatitur dhe të çorientuar nga çfarë po u ndodhte. Madje disa syresh i janë shumë mirënjohës Kinës që edhe pse vetë në luftë me pandeminë filloi me shpejtësi të shpërndajë ndihma mjekësore anti-kovid.
Për t'u kthyer në temën e ‘bllofit amerikan’ mjafton të kujtojmë se në fillim të 2020 presidenti i asaj kohe Donald Trump deklaronte se Kina ishte “duke punuar shumë” dhe “me sukses” lidhur me çështjen e virusit. Në një postim në twitter në atë kohë ai shkruante lidhur me Presidentin Xi Jinping: “Ai është i fortë, i mprehtë dhe fuqimisht i fokusuar për të drejtuar kundërsulmin nga koronavirusi”. (CNN, 27 maj, 2021).
Kurse më 7 tetor 2020 në finishin e fushatës elektorale presidenciale kandidati për president Biden duke sulmuar politizimin e pandemisë nga administrata e Trumpit deklaronte se është një virus, nuk është një armë politike! Dhe më tej ai kumtonte: “Le ti japim fund politikës dhe të ndjekim shkencën… Ne nuk mund të ç’bëjmë çfarë është bërë. Ne nuk mund të ecim mbrapa. Por ne mund të bëjmë më mirë”.
E në mes të deklaratave të Trump dhe Biden me ngjyrim politik elektoral, shpesh herë në pozita të sikletëshme deri në kërkesë për dorëheqje, qëndronte Dr. Anthony Fauci, autoriteti më i lartë qeveritar për sëmundjet infektive. Sintezë e qëndrimit të shkencës mjekësorë ishte sa tha ai në vazhdim: “Shumica prej nesh jemi të mendimit se janë më shumë gjasat se kjo është një ngjarje natyrore… ku ajo kalon nga një rezervuar kafshësh tek një njeri”. Në fakt, kjo nuk është gjë e re në gojën e tij; ai këtë qëndrim ka mbajtur që me fillimet e pandemisë. Domosdo edhe ai nuk mund t'u shpëtojë presioneve politike në oshilacione të qëndrimeve, por mohimi monstruoz i vetvetes nuk ka patur kufi në rrethin presidencial.
Konfuzioni i dukshëm amerikan në trajektoren nga Trumpi deri tek Bideni lidhur me origjinën e virusit nuk lë vend për asnjë dyshim se kjo kartë po përdoret si gjethe fiku për të fshehur dështimet e pritshme sapo ndihen shenjat e stuhisë përpara. Biden e kishte nxjerrë jashtë axhendës së tij çështjen e origjinës së virusit pasi e quajti përdorimin e saj politike sikurse u vu në dukje më sipër dhe u përbetua t’mos ndiqte shembullin e ‘keq’ te paraardhësit të tij duke e ‘gjurmuar’ virusin në hone të panjohura. Të mësuar për t’ua hedhur fajin të tjerëve, Biden i ‘harroi’ çfarë kishte thënë dhe tani ka mobilizuar tërë aparatin e tij propagandistik dhe agjenturor për të ‘provuar’ se laboratori i Wuhanit ishte origjina.
Por tek ‘Eureka!’ e Bidenit lindin disa probleme: Fanatikët e Trumpit, të cilët e kanë ndjerë veten të poshtëruar se teoria e tyre konspirative anti-kineze dështoi edhe në Shtëpinë e Bardhë, tani bëjnë fajtor Biden për akuzat kundër tyre.
Ndërkohë opinioni i gjerë publik amerikan jo vetëm që është skeptik, por është i zemëruar se si ia lejon vetes administrata e tyre të nxjerrë në plan të parë konspiracione të kësaj natyre të pabazuara kërkund dhe të neglizhoje kujdesin për çdo qytetar të çdo seksi, race, besimi, bindje politike, moshe apo profesioni.
Nuk e kanë kaluar dhimbjen familjet e 650.000 viktimave që humbën jetën nga COVID-19 si pasojë e një sistemi inefiçent mjekësor dhe një neglixhence të dënueshme. Nga ana tjetër, me miliona qytetarë, që u prekën nga infeksioni, por ishin fatlum të shpëtonin, po përjetojnë makthin e tragjedisë që kaluar. Ata e kërkojnë fajtorin brenda shtëpisë së tyre. Kina e vende të tjera, që e kanë mposhtur pandeminë, janë shembuj që amerikanët i shikojnë, e madje me pyetjen: si e kanë arritur këtë?
Por politizimi i gjurmimi të origjinës së virusit ka vënë në vështirësi edhe aleatët e SHBA në Evropë e gjetkë, të cilët gjatë 10 ditëve të veprimtarive të Biden në G7, takimet e niveleve të larta BE-SHBA dhe të NATO-s në pranverë të këtij viti në Evropë nuk arritën të kuptonin nëse kishin të bënin me një qasje të re të administratës amerikane, pra të Bidenit, ndaj marrëdhënieve të trazuara me pasoja të rënda deri në humbje besimi në lidhjen transatlantike apo me një deja vy trampiste narrativa e së cilës është: ‘Ora ka mbetur tek fronti anti-kinez!’
Se sa e vërtetë është kjo mjafton të risjellim në vëmendje çfarë tha Presidenti Biden më 21 korrik 2021 se agjencitë agjenturore amerikane ishin të ndara nëse COVID-19 “doli nga kontakti njerëzor me një kafshë të infektuar ose nga një aksident laboratorik”. A me të vërtetë pret Biden që pas 90 ditësh agjenturat amerikane ti japin lajmin e ‘gëzueshëm’ se Wuhani ishte origjina e daljes së virusit nga një laborator atje?
Studimi i origjinës së virusit është punë shkencore
Po citojmë një qëndrim më të fundit të një vendi perëndimor, të Maltës, vend i vogël por i rëndësishëm nga ana strategjike, dhe në fakt ka patur shumë qëndrime të tilla realiste, konstruktive dhe bashkëpunuese, i shprehur nga Ministri i Jashtëm Evarist Bartolo në një takim me Ministrin e Jashtëm Wang Yi gjatë vizitës së maltezit në Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore, javën e kaluar.
Sipas shefit te diplomacisë malteze, gjurmimi i origjinës së virusit duhet të bazohet në fakte, dhe sipas tij “uniteti kundër pandemisë nuk është një mundësi, por një domosdoshmëri”.
Republika Popullore e Kinës e ka thënë fjalën e vet që në fillim lidhur më këtë aspekt dhe po e përforcon me fakte konkrete, duke hedhur poshtë narrativën amerikane të politizimit të origjinës së COVID-19. Në mënyrë të përsëritur botërisht por edhe nëpërmjet komunikimit me Organizatën Botërorë të Shëndetësisë (OBSH) autoritetet kineze e kanë bërë të qartë se studimi mbi origjinën e virusit është një punë shkencore dhe ka nevojë për bashkëpunimin e shkencëtarëve të mbarë botës, dhe është i papranueshëm dhe i dënueshëm përpjekja për politizimin e çështjes së origjinës së virusit nga një grup vendesh perëndimorë të orkestruar nga SHBA.
Në një komunikim me OBSH-në më 18 korrik 2021 Ministria e Jashtme e Kinës i bëri thirrje këtij institucioni ndërkombëtar të ruajë pozitën e tij shkencore dhe profesionale në gjurmimin e origjinës së COVID-19 dhe të kundërshtojë prerazi politizimin e kësaj çështjeje në përgatitjen për fazën e dytë të studimeve.
Raporti i parë i bërë publik në maj të këtij viti nga një ekip i përbashkët ekspertësh i Kinës dhe OBSH-së për gjurmimin e origjinës së koronavirusit të ri arriti në konkluzionin pas inspektimeve dhe studimeve të gjata në mars 2021 se teoria e rrjedhjes nga laboratori është ‘jashtëzakonisht shumë pak e mundur”.
Propozimi i fundit i OBSH-së nuk përputhet me pozicionin e Kinës dhe të shumë vendeve, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian në një konferencë shtypi.
Kjo agjenci e OKB-së propozoi më 16 korrik 2021 një fazë të dytë të studimeve në Kinë mbi origjinën e koronavirusit dhe i bëri thirrje asaj të “jetë transparente dhe e hapur në bashkëpunim”.
Plani për fazën e ardhshme të studimeve mbi origjinën e virusit duhet të drejtohet nga vendet anëtare të OBSH-së, ashtu si rezoluta e miratuar në Asamblenë e 73-të Botërore të Shëndetësisë, tha Zhao duke shpresuar se organizata dhe vendet anëtare do të komunikojnë plotësisht dhe të konsultohen me njëri-tjetrin dhe të dëgjojnë gjerësisht opinionin dhe sugjerimet e të gjitha palëve, që të sigurojnë që procesi i hartimit të planit të punës të jetë i hapur dhe transparent. Ndërkohë ai bëri të ditur se propozimet e OBSH-së mbi studimet në prejardhjen e koronavirusit po studiohen nga ekspertët kinezë.
A duhet OBSH-ja të hetojë laboratorin amerikan të Fort-Detrikut?
Ministria e Jashtme e Kinës i ka bërë thirrje Uashingtonit t’u japë përgjigje preokupimeve ndërkombëtare mbi laboratorët e tij biologjikë dhe të ftojë ekspertët ndërkombëtarë për hetimin e rreziqeve të tyre.
Kujtojmë se me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë, Bideni vendosi që SHBA-ja të kthehen në OBSH, të cilën e kishte braktisur Trump. A nuk hap rrugë ky rikthim që edhe SHBA-ja duhet të jetë fokusi i veprimeve të konkrete për gjurmimin e origjinës së virusit? Sidomos duhet të hapet biolaboratori i Fort-Detrikut për ekspertët e OBSH-së.
Pas kësaj, puna përkatëse duhet të vazhdojë në vendet ose rajonet e tjera që janë prekur rëndë nga epidemia, thekson Grupi Mediatik i Kinës në një koment të tijin. SHBA-ja renditet në vendin e parë në botë për numrin e rasteve të prekur dhe të vdekjeve.
Sipas një peticioni në internet të zhvilluar nga gazeta kineze “Global Times”, mbi 13 milionë përdorues kinezë të internetit kanë nënshkruar kërkesën që OBSH-ja të zhvillojë hetime në laboratorin e Fort-Detrikut. Por SHBA-ja ka mbajtur heshtje dhe serveri në internet i këtij peticioni madje ka pasur shumë sulme kibernetike nga IP brenda SHBA-së.
Përse në dhjetor 2019 ka pasur një pacient që ka testuar pozitiv për koronavirusin në SHBA? Çfarë lidhjeje ka pneunomia e cigareve elektronike në shtetin e Merilandit me mbylljen e laboratorit të Fort-Detrikut? Si është bërë SHBA-ja “kampione” në numrin e rasteve të konfirmuara dhe të vdekjeve? Përballë dyshimeve të ndryshme të komunitetit ndërkombëtar, pala amerikane nuk duhet ta bëjë veshin të shurdhër, por duhet të tregojë sa më parë një qëndrim transparent dhe të përgjegjshëm, duke e ftuar OBSH-në të bëjë hetime në SHBA, posaçërisht në laboratorin e Fort- Detrikut, përfundon komenti i Grupit Mediatik të Kinës.
Në fund të fundit si në politikë, ekonomi, diplomaci ashtu edhe në shkencë, aq më shumë për çështje të tilla sensitive, parimi i reciprocitetit është rregullatori më i mirë i bashkëpunimit. Kinës i kërkohet në formë presioni (!!!) që t'u jap hetuesve të huaj më shumë akses mes akuzave që SARS-CoV-2 rrodhi nga një laborator i specializuar në kërkimin e koronavirusit në qytetin e Wuhanit. Po a janë treguar të gatshëm SHBA e vende të tjera të dyshuar si burim i hershëm i virusit të hapin dyert për studiuesit ndërkombëtar, përfshi edhe ata kinezë?
Për t'i vënë gjërat në shinat e duhura të multilateralizmit dhe bashkëpunimit, si dhe në radhë të parë për mposhtjen e kësaj murtaje që po pjell përbindësha të tjerë duke e mbajtur njerëzimin nën kërcënim të përhershëm për jetën, zhvillimin normal dhe paqen në botë shikoj më vend të përmend dy momente nga takimi i Këshilltarit të Shtetit dhe Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi me zëvendëssekretaren amerikane të Shtetit Wendy Sherman në Tianjin të Kinës Veriore, më 26 korrik 2021 të cituar nga CRI më 27 korrik 2021.
Tre “vijat e kuqe” në marrëdhëniet e Kinës me SHBA-në përmblidhen në sa më poshte: Shtetet e Bashkuara nuk duhet të sfidojnë, të përbaltin apo edhe të përpiqen të minojnë rrugën dhe sistemin e socializmit me karakteristika kineze; SHBA-ja nuk duhet të përpiqet të pengojë ose të ndërpresë procesin e zhvillimit të Kinës. Populli kinez ka të drejtë të bëjë një jetë më të mirë dhe Kina ka të drejtë të modernizohet, dhe të kërkojë që SHBA-ja të heqë të gjitha sanksionet e njëanshme, tarifat e larta dhe bllokadën e teknologjisë që i ka vendosur Kinës sa më shpejt të jetë e mundur; dhe se fundi SHBA të mos shkelin sovranitetin kombëtar e të mos dëmtojnë integritetin territorial të Kinës sa u përket çështjeve lidhur me Xinjiang-un, Tibetin, Hong-Kongun dhe Tajvanin e Kinës. Këto çështje nuk kanë pasur kurrë lidhje me "të drejtat e njeriut" ose "demokracinë", por me "pavarësinë” e Xinjiang-ut, Tibetit dhe Hong-Kongut. Asnjë vend nuk mund të lejojë që sovraniteti dhe siguria e tij kombëtare të cënohen.
Wang theksoi më tej se problemi i Tajvanit është edhe më i rëndësishëm. Ai tha se fakti që të dyja palët e ngushticës së Tajvanit i përkasin së njëjtës Kinë dhe që Tajvani është pjesë e Kinës nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë. Nëse forcat për "pavarësinë e Tajvanit" guxojnë të provokojnë, Kina ka të drejtë të marrë masat e nevojshme për ndalimin e tyre, vuri në dukje kryediplomati kinez, duke i bërë thirrje palës amerikane të mbajë premtimet e saj për problemin e Tajvanit dhe të veprojë në mënyrë të matur.
Diplomatja e lartë amerikane Sherman ritheksoi se SHBA-ja respekton parimin e “Një Kine” dhe nuk e mbështet "pavarësinë” e Tajvanit.
Si konkluzion më duket tejet e arsyeshme sjellja në vëmëndje e faktit se politizimit të punëve botërore me synime hegjemoniste, dhe konkretisht përdorimit të gjurmimit të origjinës së virusit nga disa vende perëndimore për kapitale politike, Presidenti Xi Jinping i ka vënë përballë qëndrimin e mbështetjes tek shkenca.
“Përballë COVID-19 që vazhdon, ne kemi nevojë të vazhdojmë më një qëndrim dhe përgjigje të mbështetur në shkencë dhe të nxisim solidaritetin dhe bashkëpunimin në mënyrë që të mbyllim ‘hendekun e imunizimit’”, deklaroi Xi në takimin virtual të nivelit të lartë të Partisë Komuniste të Kinës dhe Partive Politike Botërore që u zhvillua më 5 korrik 2021 me rastin e 100-vjetorit të themelimit të PKK-së.
Të gjitha përpjekjet duhen bërë kundër pandemisë përfshi edhe evidentimin e origjinës së virusit, por më kryesorja aktualisht është mbrojtja e jetës së njerëzve dhe një front i bashkuar mbarëbotëror për vaksinimin do të ishte shpëtimi i njerëzimit, rruga e rimëkëmbjes dhe zhvillimit të të gjithë vendeve dhe popujve. Virusi kovidian nuk pyet për politizim, kush e përdor atë skemë është i destinuar të deshtojë.
Genc Mlloja