Para disa kohësh Lituania deklaroi se u tërhoq nga iniciativa kineze e 17+1.Me këtë hap kuptohet që kjo iniciativë rikthehet te formula 16+1. Ky vendim i një vendi të vogël anëtar i Bashkimit Europian ka shkaktuar diskutime dhe po përcillet si një lajm "tronditës" në marrëdhëniet midis Europës dhe Republikës Popullore të Kinës. Me këtë rast u ringjallën përsëri dilemat nëse do të ketë sukses ose jo bashkëpunimi në tregti dhe investime midis dy partnerëve të fuqishëm ekonomikë. Nuk dihet se cilat janë prapaskenat e kësaj iniciative lituaneze. Ndoshta kjo lidhet me faktin se Pekini nuk ka mundur të jetë sa duhet prezent në këtë vend dhe për shkak xhelozie Lituania të shpallë largimin e saj nga kjo nismë! Ndoshta ky vend anëtar i BE-së e sheh veten të përjashtuar, ndërkohë që vende të tjera si Serbia, Hungaria etj duken të favorizuara në marrëdhëniet me Pekinin!

Ajo që duket qartë ka të bëjë me një lloj diskutimi të ringjallur për dilemën, nëse Europa do të duhet t'i qëndrojë besnike ose jo marrëdhënieve dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me Kinën! Në fakt gjithçka po përdoret më shumë për efekt politik dhe mediatik, sesa shihet në realitetin praktik. Tashmë shumë vende të Bashkimit Europian janë integruar plotësisht në linjat e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, financiar e teknologjik me tregun kinez. Investimet dypalëshe arrijnë qindra miliardë dollarë amerikanë dhe do të ishte absurde të mendoje se kompanitë investitore europiane në territorin e Republikës Popullore të Kinës do të hiqnin dorë nga projektet e tyre. Ndërkaq vende të ndryshme europiane janë përfshirë në marrjen e kredive të buta nga bankat kineze dhe tashmë ato kanë filluar shlyerjen e detyrimeve.

Megjithatë lajmet e medies së kohëve të fundit shkruajnë se në marrëdhëniet kino-europiane "muaji i mjaltit ka mbaruar". Sipas këtyre medieve, BE-ja nuk mund të pranojë sanksionet kineze përkundër autoriteteve europiane, ndaj dhe do të reagojë kundër marrëveshjes së investimeve të nënshkruar nga dy palët kontraktuese me datën 30 dhjetor të vitit të kaluar. Në fakt ky konstatim nuk është i vërtetë edhe pse herë pas here dalin ose krijohen probleme, sidomos të karakterit politik, midis Pekinit dhe Brukselit.

Por çfarë thonë statistikat? Sipas gazetës gjermane "Handelsblatt" në vitin 2019 volumi i eksporteve kineze në drejtim të Europës kapi shifrën e 387 miliardë dollarëve, ndërsa eksporti europian në drejtim të Republikës Popullore të Kinës ishte në nivelin e 252 miliard dollarëve amerikanë. Megjithë vështirësitë që krijoi pandemia, edhe gjatë vitit 2020 eksporti i ndërsjellë ishte thuajse në të njëjtin nivel si një vit më parë. Investimet kineze në teknologji në Gjermani janë domethënëse, ashtu si në industrinë e ndërtimit të makinave në Suedi. Ndaj të pretendosh se njëra ose tjetra palë në këtë marrëdhënie kaq voluminoze në tregti, investime dhe eksporte mund të heq dorë dhe ta paralizojë këtë lloj veprimtarie ekonomiko-financiare është thjesht utopi.

Tregu është synimi kryesor i Fuqive të Mëdha e madje edhe vendeve të vogla. Lufta tregtare dhe transferimi i kapitaleve është njëkohësisht shkaku i konflikteve, përfshirë këto konfliktet e vogla në lidhje me marrëdhëniet ekonomiko-tregtare me Kinën. Nëse BE do të humbiste tregun kinez, ose Pekini do të hiqte dorë nga tregu europian, të dy palët do të shkonin në paralizë ekonomike e financiare. Ndaj është e pamundur që të "ketë mbaruar muaji i mjaltit" kino-europian. Përkundrazi, investimet kineze në Europë dhe ato europiane në Kinë do të rriten dhe këto investime do të shërbejnë për dyfishimin e eksporteve dhe tregtisë midis dy palëve.

Është e qartë se marrëveshja e investimeve midis Pekinit dhe Brukselit e nënshkruar një ditë para se të niste viti i ri 2021 do të duhet të miratohet gjatë këtij viti nga qeveritë e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Dhe mundet që ndonjë prej këtyre vendeve, i cili nuk e sheh veten si përfitues të kësaj marrëveshjeje të bëhet pengesë në këtë drejtim. Megjithatë, derisa marrëveshja nuk kushtëzohet nga ratifikimi në parlamentin e secilit vend anëtar i BE-së, miratimi i saj duket gjithësesi i lehtësuar. Por edhe nëse ndonjë vend nuk pajtohet me marrëveshjen, kjo nuk mund të ndalojë vendet anëtare veç e veç që të rritin bashkëpunimin në investime, tregëti, eksporte, investime dhe financime për projekte të caktuara në të dy zonat e tregut të madh të botës.

Megjithatë, nëse studiojmë hartën e marrëdhënieve midis Kinës dhe vendeve të veçanta të Europës Lindore dhe Qendrore, rezulton se në investimet e kapitalit kinez ka vende më të "favorizuara" dhe vende të tjera të lëna jashtë interesit të Pekinit. Kjo ngjall diskutime dhe dyshime në perspektivën e marrëdhënieve të Pekinit me vendet e Bashkimin Europian si tërësi. Në këtë prizëm duhet parë edhe dalja e Lituanisë nga Iniciativa 17+1-shit. Kësisoj është e udhës që balanca dhe ekuilibri të ruhen, me qëllim që nga bashkëpunimi kino-europian të përfitojnë të gjitha vendet e kontinentit të vjetër. Kjo nuk do të thotë se duhet një uniformitet. Me rëndësi është krijimi i kontakteve dy-palëshe dhe shmangja e keqkuptimeve, si dhe keqinterpretimeve.

Sido që të jetë, Pekini do të duhet të përballojë presionin europian sa i përket liberalizimit të tregut, sepse në Europë tregtia, investimet, eksportet dhe marrëdhëniet ekonomike funksionojnë bazuar në lirinë e plotë të tregut. Ky presion rritet ose ulet si pasojë e ndikimit të faktorëve të shumtë. Por loja politike do të luhet deri në fund për të realizuar kushtëzime të natyrave të ndryshme, të cilat shndërrohen në një presion në rritje për Pekinin. Një trysni të tillë nuk e bëjnë vetëm shtetet, përkundrazi e kërkojnë gjithashtu kompanitë e fuqishme europiane, të cilat gjenden tashmë ose duan të investojnë në Republikën Popullore të Kinës.

Ndoshta në këtë aspekt duhet vlerësuar edhe reagimi i parlamentit europian muajin e kaluar apo ndonjë vendi anëtar si Lituania, sa i përket raporteve me investimet, tregtinë dhe eksportin kinez. Ndërkohë askush nuk duhet të presë se marrëdhëniet në ekonomi midis dy palëve do të bëjnë mbrapsht. Muaj të tjerë mjalti do të ketë në këto marrëdhënie, sepse është interes i dyanshëm shfrytëzimi i mundësive në tregjet reciproke.

Enver Bytyçi