Megjithëse një vend i vogël si gjeografikisht, ashtu edhe në popullsi, Shqipëria ka qenë disa herë në qendër të litarit të tërheqjes së forcës midis të mëdhenjve. Historia i ka rezervuar këtij vendi jo thjesht qenien spektator në këto ndeshje, por të referencës së sjelljes për t’u ndjekur më pas nga të tjerët. Jo vetëm për veçanësinë gjeografike, por edhe për një rrugë politike të ndryshme nga shumë vende, ka bërë që Shqipëria të ndërmarrë hapa që kontrastonin me fuqinë e vet si shtet. Dalja nga Traktati i Varshavës disa dekada më parë, ndofta ishte një vendim i papritur për Fuqitë e Mëdha, por ata po e shikonin këtë si një moment kur vende të tjera duhej të ndiqnin shembullin e Shqipërisë, apo ta kundërshtonin hapur atë. Shqipëria u vendos me këtë veprim në qendër të vëmendjes së politikës globale , sjellje që i shkonte për shtat pikërisht atyre shteteve me të cilat ajo nuk kishte asnjë lidhje , madje kishte ndarje të thella e konflikte të hapura.

Dalja nga Traktati i Varshavës nuk është i vetmi moment kur një vend i vogël me veprimet e veta politike, ka tërhequr vëmendjen e politikës dhe diplomacisë botërore. Mund të sjellim këtu disa shembuj , por ky që nënvizuam është dhe mbetet një veprim i përmasave jo të zakonshme .

Pa analizuar shkaqet historike dhe politike që çuan në marrjen e këtij vendimi, sjellje të tilla në periudhën që kalojmë sigurisht që jo vetëm do ishin absurd, por edhe me një kosto të lartë. Kohët kanë ndryshuar dhe ndeshjet e të mëdhenjve, nuk kanë luksin t’i japin Shqipërisë avantazhin e përfituesit nga përplasje të tilla. E nënvizoj këtë për faktin se tashmë ne jemi larg Luftës së Ftohtë , kur vendi ecte me hapa shumë të vegjël në drejtim të zhvillimit të tij. Jemi në epokën e zhvillimeve e komunikimeve globale, pa paragjykime e komplekse inferioriteti, me mundësi të hapura e oferta të cilat nuk lidhen me pengmarrje politike.

Në veprimet e veta çdo shtet udhëhiqet nga veprime pragmatiste, që kanë në themel sovranitetin, integritetin, por edhe zhvillimin e gjithanshëm. Shqipëria ka ditur mirë të orientohet në tre dekadat e fundit në orientimet e saj, pavarësisht presionit që vjen për të rritur influencat rajonale. Një presion I formës direkte dhe pa finesë diplomatike ishte edhe letra që i erdhi asaj nga Presidenti amerikan Donald Trump për të ndaluar përdorimin e pajisjeve kineze të 5 G-së, për të dalë nga iniciativa e bashkëpunimit 17 + 1 si dhe për zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem.

Letra e cila fillonte me vlerësime për kryeministrin shqiptar , vijonte pastaj me kërkesa ultimative, të pazakonta për komunikimin midis shteteve. I gjithë shtypi shqiptar e pasqyroi menjëherë letrën si dhe përgjigjen e kryeministrit Rama lidhur me zhvendosjen e ambasadës. Duke iu përgjigjur interesit të medias , në një konferencë shtypi ai tha: “Shqipëria është vendi që ka pasur më shumë hebrenj pas luftës së përpara. Është vendi ku hebrenjtë kanë gjetur strehë. Është vendi ku shqiptarët ku janë dorëzuar tek nazistët duke u paraqitur sikur janë ato hebrenjtë që kishin marrë në shtëpi. Është vendi që ka lidhje të veçantë me Izraelin. Në këtë aspekt është komplet e linjëzuar me BE”

Në daljen e tij mediatike Rama iu përgjigj interest të medies sa i përket nxitjes nga ana e Presidentit Trump për të dalë nga "Nisma 17 + 1": "Ne kemi qartësisht qëndrime të përbashkëta, në drejtimet strategjike. Më vjen shumë mirë që në rastin tonë burojnë nga bindja, jo nga imponime apo konjuktura dhe përsa i përket lëvizjeve konkrete, kjo është një çështje e jona dhe si e tillë, ne i trajtojmë me shumë kujdes dhe i vendosim në momentin e duhur, në funksion të interesave strategjike të Shqipërisë".

Komentet e Kryeministrit sigurisht që zunë një vend të rëndësishëm në median e shkruar dhe ato televizive, por më pas mungoi një debat dhe analizë që ishte e domosdoshme për këtë çështje. Në çdo rast tjetër gjykoj se një letër e kësaj natyre nga Presidenti I SHBA-ve dhe reagimi i kryeministrit nuk do do kalonin me kaq pak komente dhe analiza. Për të mos krijuar një stuhi të panevojshme diplomatike, ku në analizën e këtij problemi ishte përplasja midis SHBA dhe Kinës, preferenca për ta kaluar pa komente i zuri vendin një debati që ishte I arsyeshëm të zhvillohej. Një debat shterues do të ishte I nevojshëm për opinionin publik, aq më shumë që lidhjet me Kinën dhe ndihma e saj në vite, mbeten referenciale për brezin e viteve 60- 70 –të, por edhe pas ndryshimeve të mëdha politike që kanë ndodhur në Shqipëri në këto tre dekadat e fundit. Përpjekjet për t’i vënë pikpyetje marëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe ndihmave bujare që ka dhënë Kina ndër vite, domosdo duheshin sqaruar në një sërë ballafaqimesh dhe idesh në shtypin e përditshëm shqiptar. Ndryshe nga se çfarë pritej, reagimet e ballafaqimet mediatike ishin shumë pak. Kompleksiteti për të mos u përplasur me SHBA edhe në një rast si ky, kur kërkohet hapur dhe jashtë klauzolave diplomatike të ndërmerren veprime që bien ndesh me sjelljen normal; e shtetërore e politike, me sa duket pati ndikimin e vet . Stuhia mediatike e lajmeve, nuk u pasua nga një e tillë stuhi analizash se çfarë përfaqëson një kërkesë e tillë, sa legjitime dhe korrekte është, cilat është sjellja që duhet të ketë Shqipëria dhe duhej analizuar ne detaje gjithë marëdhënia ndër vite e Kinës me Shqipërinë, ku kjo e fundit ka qenë një përfituese e përhershme , përmes një bujarie kineze që nuk ka munguar, pavarësisht ngjyrave të pushtetit që kanë qenë në Shqipëri.

Shqipëria është një vend sovran, me integritetin e vet politik dhe diplomatik dhe çdo veprim I imponuar, duke u mbështetur tek njëra palë dhe rrëzuar anën tjetër, do të kishte një kosto të lartë për të sotmen , por edhe më tej. Në ato pak komente që shoqëruan reagimin pas letrës, ndjehej qartë fryma se vendi nuk ka më luksin të jetë me njërën kundër tjetrës, siç kërkonte letra. Madje pati në disa komente përgëzime për kryeministrin Rama lidhur me kundërshtimin e menjëhershëm për të mos e lëvizur ambasadën nga Tel Avivi ne Jerusalem.

Marrëdhëniet me Kinën dhe në mënyrë të veçantë nisma 17+1 dhe përdorimi i pajisjeve kineze të 5 G-së , kërkojnë një vëmendje të shtuar nga shtypi shqiptar. Shqipëria gjithnjë ka qenë një adresë dashurie për Kinën e cila mirënjohjen për kontributin në pranimin e saj në OKB, e ka përkthyer në mbështetje të vazhdueshme ekonomike dhe në përmasa të mëdha, pa paraqitur siç kanë dëshirë të alarmojnë pa të disa, asnjë rrezik për Shqipërinë. E kundërta është e vërtetë, ndihma ka qenë përherë bujare dhe vendi i vogël buzë Adriatikut përfitues i madh.

Shqipëria sot nuk mund të dalë në mënyrë absurde nga nisma si 17+1 , apo të tjera që nxisin zhvillimin ekonomik dhe rritin investimet. Ajo duhet të bëjë që të rrisë vëmendjen dhe angazhimin për të realizuar projekte sa më efektive të cilat thithin investime, i bashkojnë dhe integrojnë këto investime me vendet e tjera të rajonit, qofshin apo jo anëtare të BE-së. Duke krjiuar mundësinë dhe hapësirën e projekteve të përbashkëta brenda vendeve të nismës 17+1 , apo të Rrugës së Mëndafshit, Shqipëria bën të mundur një integrim më të shpejtë midis vendeve të rajonit, por edhe përtej tyre, duke ditur që këto nisma nuk janë thjesht rajonale, por me shtrirje dhe impakt global. Vendi ka nevojë me shumë se kurrë për investime , pasi ato vitet e fundit nuk kanë trendin që kërkon një ekonomi e zhvilluar dhe që lipset të bëjë hapa galopantë për të kaluar krizën. Kina ka dëshmuar se ofron bujarisht dhe me procedura që nuk zgjasin ndër vite. Kryeministri Rama , është kryeministri që ndër 30 vitet e tranzicionit shqiptar ka patur më së shumti rastin të takohet e të bisedojë me homologun e tij , por edhe zyrtarë të tjerë të lartë kinezë për këto çështje. Korridoret dhe atmosfera e ngrohtë e komunikimit nuk kanë munguar, por vullnetit politik I duhet më shumë pragmatizëm për të parë nga interesat e vendit , se sa nga erërat e politikës globale, që lidhen me Shqipërinë vetëm në momente të caktuara. Duke analizuar në thellësinë e vet historike sjelljen e Kinës veçanërisht në rajonin tonë, konstatohen e dëshmuar se ajo priret drejt paqes e zhvillimit dhe e një bashkëpunimi të sinqertë e të ndërsjelltë ekonomik. Në kushte të tilla, veprimet që ridimensionojnë komunikimin e bashkëpunimin, do I shërbenin vendit për të bërë hapa të qëndrueshëm në zhvillim, por edhe për të dëshmuar se jemi larg periudhës së braktisjes nga traktet dhe kalimit nga njeri prehër politik tek tjetri. Sot jemi në kohën e multilateralizmit, komunikimi në mes vendeve e lidhjet e ndërsjellta forcojnë aftësinë për të përballuar sfidat që vetëm rriten.

Kontributi që jep Kina në rritjen e ekonomisë globale , duke u renditur në vendin e parë në këtë drejtim, është një pikë e rëndësishme orientimi për të parë gjithë marrëdhënien me këtë qendër referenciale zhvillimi ekonomik e teknologjik. Shtypi shqiptar disa herë e ka trajtuar këtë prirje të zhvillimit të sotëm ekonomik kinez, por në kushtet kur ndaj Shqipërisë ka edhe presione për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, nevojitet që këto zhvillime e fakte të merren në analizë e të kthehen në vëmendjen e shtetit dhe publikut shqiptar. Përballë tezave të doktrinës izolacioniste, që rrjedhin nga letra e dërguar në adresë të shtetit shqiptar, asnjë vend, aq më shumë vende të vogla si Shqipëria nuk mund të shkojë në rrugën e vetizolimit.

Integriteti i një vendi dhe pavarësia në vendimmarrjet e rëndësishme dëshmojnë pjekurinë, por edhe aftësinë e të sjellurit në situata të komplikuara që vijnë nga korrente politike të ndryshme. Shqipëria është një shtet me histori të shumta divorcesh politike, ndaj sjellja e saj me pjekuri dhe vështrim afatgjatë, jashtë kërkesave ultimative e presioneve të ndryshme, do dëshmojë pavarësinë e vet dhe standardin mirënjohës ndaj atyre që e kanë ndihmuar e mbështetur pa rezerva dhe pa asnjë paragjykim. Rasti I Kinës në këtë drejtim flet shumë !