Viti i mbrapshtë 2020 në arenën ndërkombëtare do të ketë implikime shumëdimensionale, dhe kjo po bëhet e qartë nga dita në ditë. Nën kthetrat e pandemisë, mes konfliktesh lokale, rajonale, kufitare, ideologjike, etj., në këto muaj të tensionuar, shumë aspekte negative të njerëzimit po dalin në pah.

Ndërkohë që proteksionizmi po lëshon rrënjë në perëndim, kur praktikat e bullizmit politik po vihen në rend të axhendës se shteteve më të fuqishëm të planetit, ku aktorët kryesorë po betonizojnë sferat e tyre të influencës, me sa duket ka ardhur momenti ku qartazi, vendet e vogla po vihen në pozicion kushtëzimi total: të të zgjedhurës një anë, ose tjetrën! Kjo nuk është një praktikë e re, fuqitë e mëdha e kanë aplikuar në rrjedhat e historisë në mënyrë të përsëritur, por shumë pak vende të vogla kanë dalë flamurtarë në përkrahje dhe njëanësi.

Kuadri konceputal - Një letër dhe shumë pikëpyetje

Një stuhi mediatike rrëmbeu Shqipërinë në fillim tetori me tematikë një letër nga Presidenti i SHBA drejtuar kryeministrit Rama, ku u nënvizua besnikëria e Shqipërisë kundrejt SHBA dhe u falënderua Rama për qëndrimet e tij kundër veprimtarive "malinje" të Kinës.

Përveç faktit që kjo gjuhë urrejtjeje për të cilën adminstrata Trump është qortuar si brenda dhe jashtë vendit (në Kongresin dhe mediat Amerikane dhe në Europë nga shumë rryma liberale) nuk përbën ndonjë risi, thjesht ajo tani po eksportohet në vendet partnere. Që në kohën e fushatës së 2016-ës, ku Kina u bë lajtmotiv i frustrimit të brendshëm të fushatës së Trump, përshkallëzimi nga retorika në fakte nuk vonoi. Që nga "Lufta Tregtare" deri tek etiketimi "virusi Kinez", asnjë frazë denigruese nuk u kursye. Duke dashur të lokalizojmë mendimet në botën shqiptare, lindin natyrshëm shumë pyetje.

Ҫfarë ka "malinje" nga Kina drejt Shqipërisë?

A ishin malinje ato miliona të dhëna Shqipërisë gjatë viteve 1960-70, ndihma që mbajtën gjallë ekonominë e vendit? A ishte malinje sjellja e qeverisë Kineze kur marrёdhëniet dypalëshe u ngrinë? A ishte malinje tregtia që shqiptarët bënë dhe vazhdojnë të bëjnë me Kinën? A kanë qënë malinje deklaratat dhe mbështetja diplomatike në kohë tranzicioni? Malinje ishin të gjitha ato ndihma që u dhanë pa u trumbetuar gjatë pandemisë nga Ambasada Kineze në Shqipëri si shenjë solidariteti nga populli kinez gjatë kohëve të pandemisë?

Historia e ka treguar se pavarёsisht çfarë tipologjie ose inklinacioni ka pushteti në Shqipëri, Kina ka qenë dhe mbetet një vend mik dhe i është gjendur pranë shqiptarëve si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë krize. N.q.s. duam të krijojmë ose të gjejmë patjetër armiq imagjinarë, ato mund të gjenden kudo përveçse në Kinë. Nuk ka asgjë malinje në Kinë për shqiptarët! Përkundrazi, në mënyre konstate dhe me shumë përkushtim, vetёm solidartiet dhe shprehje të një mbështetjeje të pakushtëzuar ka ardhur nga Kina. Retorika anti-Kinё nuk i shkon për shtat Shqipërisë, thjesht duke patur parasysh faktin qё, qasja e Republikës Popullore të Kinës (RPK) ndaj vendit tonë nuk ka qënë as me shumë as mё pak, veçse një dorë mbështetjeje e zgjatur nga mijëra kilometra larg për një vend që Kina e quan komb mik.

Kuadri praktik - Kreditë kineze, 5G dhe “17+1”

Për sa i përket kredive qe vijnë nga RPK, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Linja Kreditore e platformёs Kinё-EQL. Kjo linjë krediti është ofruar që prej fillimeve të “17+1” me një fond bazë prej 10 miliardë dollarësh, një pjesë e mirë e të cilave janë për kredi koncesionare, me fokus në projektet e bashkëpunimit në fusha si infrastruktura, teknologjitë dhe ekonomia e gjelbër. Këto linja kreditimi vijnë me interesa të ulëta, periudha pritjeje para fillimit të pagesës dhe mbi të gjithe pa kushtëzime strukturore ose politike. Shqipëria nuk ka aplikuar asnjëherë për tërheqje fondesh nga kjo linjё. Pavarёsisht se linjat kreditore tё ofruara nga EXIM Bank janë me periudhё tё gjatё pritjeje dhe norma intersi shumë të ulëta, Shqipëria zgjedh banka me norma interesi më të larta për kreditë e saj.

Për rrjetin 5G Shqipëria e shprehu qartazi se nuk do të përdorë Huawei si ofrues të shërbimeve 5G, pavarёsisht se Huawei i oftron produktet e nevojshme mesatarisht 40% me lirë se çdo kompani tjetër, dhe të mos harrojmё që Huawei është i vetmi që e zotёron sot për sot teknologjinë 5G, me pak fjalë po ndalet progresi.

Vetëm fakti që u përmend dalja nga “17+1” përbën një problem madhor!

Mekanizmi i bashkëpunimit “17+1” është një qasje multifunksionle me të cilën RPK ka shfaqur interesin për bashkëpunim në një territor që shkon nga vendet balltike deri në ballkan. E themeluar në 2012, kjo platformë është integruar më tej nën çadrën e nismës globale të RPK “Një Brez, Një Rrugë” ose BRI. Në 2019 kësaj nisme ju bashkёlidh edhe Greqia. Në nivel multilateral, Shqipëria ka një platformë unike në bashkëpunimin me mekanizmin "17 + 1". Samitet e Nivelit të Lartë në bazë vjetore e Kryetarёve të Shteteve të këtyre 17 vendeve dhe prania e Kryeministrit kinez në këto ngjarje, ka krijuar mundësi të shumta për të shfaqur axhendat përkatёse dhe një rritje dialogu edhe nё baza bilaterale.

Në mënyrë të pashpjegueshme rëndësia aktuale ekonomike dhe politike kineze në skenën botërore nuk perceptohet ose portretizohet si duhet në Shqipëri, pra veprimet dhe reagimet e Shqipërisё në këtë aspekt dukeshin hezituese, deri në tetor 2020 kur u shpreh haptaz ku qëndron Shqipëria në lidhje me RPK.

Duhet çrrënjosur njëherë e përgjithmonë mentaliteti i Luftës së Ftohtë

Sjellja aktuale politike e Shqipërisë ndaj RPK është vetëm simptomatikё e çështjeve më të thella,të pathëna e të panjohura. Do të jetë detyrё e historianёve të ardhshёm të gjejnë arsyet dhe rrënjёt e kësaj sjelljeje. Nëse në vitet e mëparshme, politika zyrtare nga Tirana do të rrëshqiste nga ngurrimi në plogështi, tashmë u mor një qëndrim. Nga këndvёshtrimi i marrëdhёnive ndërkombëtare kjo sjellje lehtësisht mund tё karakterizohet si dogmatizëm politik. Dogmatizmi, i përshkruar si qëndrim pa një arsyetim, kur zbatohet në marrëdhëniet dypalëshe, mund të dëmtojë vetëm marrësin përfundimtar të asaj mungese logjike - popullin. Dogmatizmi politik i ka kushtuar shtrenjtë shqiptarëve e me sa duket mund t’ju kushtojë shtrenjtë sërish.

Nuk gjendemi as në vitet 70, as në fillimet e Glasnonsit dhe Perestrojkës, jetojmë në një botë të globalizuar e multipolare dhe kryefjala e çdo prespektive në marrёdhёniet me jashtë duhet të jetë multilateralizmi, bazuar në interesin pragmatik kombëtar.