Ka kaluar më shumë se 1 muaj që kur kanë përfunduar zgjedhjet në Malin e Zi, kur rrugët u mbushën nga opozita më brohorimat e fitores dhe nga maxhoranca në ikje me kundërmitingje që prodhuan vetëm tension. Rezultati i ngushtë 41 me 40 që në fillim është konsideruar nga politologët dhe analistët që ndjekin me vëmendje zhvillimet, si një bast i vështirë për t’u arritur deri tek formimi i qeverisë.

Bartësi i listës “ Për ardhmërinë e Malit të Zi “, Zdravko Krivokapiç nuk ka mbështetjen unike të koalicionit, deri në momentin që të fitojë besimin e partisë. Takimi i fundit i mbajtur në Manastirin e Ostrogut pritej të dilte me një qëndrim unik, por problemet vazhdojnë.

Mali i Zi ia doli që pas 30 vitesh të realizonte zgjedhje të pakontestuara dhe ta bënte një rrotacion pushteti. Partia e Presidentit Milo Gjukanoviç sëbashku me aleatët humbën shumicën dhe kjo u konsiderua si një goditje ndaj korrupsionit, aq prezent në Malin e Zi. Mbështetësit e zotit Gjukanoviç u përpoqën ta konsiderojnë fitoren e opozitës, si pjesë e skenarëve serb dhe rus, ndërhyrjes së Kishës dhe një kthim mbrapa në orientimin që ka patur Mali i Zi, që kur ai arriti të shkëputej nga Serbia.


Ndërhyrjet në zgjedhje kanë qënë gjithnjë prezente në Republikën e vogël ballkanike. Akuzat që vijnë nga pushteti në ikje, të cilët harruan shumë shpejt atë që dy kryeministra të Rajonit, kryeministri Rama nga Tirana dhe kryeministri Zaev nga Shkupi bënë thirrje të hapura për mbështetje ndaj partisë së zotit Gjukanoviç , duke ndërhyrë jashtë çdo parametri etik dhe standardi ndërkombëtar, në zgjedhjet e një shteti tjetër, janë më shumë një justifikim i humbjes jo krejt të papritur. Kisha ortodokse serbe mbështeti opozitën, dhe kleriku Afilije e pohoi këtë, por ai u tregua i kujdesshëm për të mos vënë njerën palë kundër tjetrës. Ai në fakt vazhdon të jetë prezent edhe tani që po zhvillohen negociatat e vështira për formimin e qeverisë së re.

Qëndrimet ndaj zgjedhjeve, ose më saktë ndaj rezultatit janë të ndryshme, që lidhen edhe me simpatinë e palëve. Rezultati nga disa analistë është konsideruar deri edhe paradoksal, por nuk ka arësye të konsiderohet i tillë.

Në fakt nuk është paradoksale. Së pari, sepse ky rotacion i pushtetit në Mal të Zi, që pritet të implementohet, gjithsesi u mundësua pikësëpari nga zgjedhjet e lira. Republika e vogël fqinje dëshmoi se nuk i ka fiktive arritjet që janë shënuar prej disa vitesh në implementimin e standardeve demokratike dhe funksionon mbi principin e votës së lirë. Pavarësisht çmimit që mund t’i duhet të paguajë ndryshimit që ndodhi. Por kjo llogari nuk bëhet kur është fjala për respektimin e standardeve të demokracisë. Demokracia nuk mund të mohojë vetveten për asnjë arsye. Zgjedhjet e lira, si themeli i saj, janë mbi gjithçka. Për ketë arsye pyetja kush duhet të drejtojë, është një pyetje e gabuar për kulturën demokratike. Drejtuesit i cakton vota e lirë. Nga kjo pikëpamje, SHBA dhe vendet e Evropës mund të ndjejnë keqardhje për rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Mal Zi, por asgjë më tepër. Uashingtoni dhe Brukseli do të presin krijimin e qeverisë se re dhe programin e saj për të ofruar e vazhduar bashkëpunimin pa paragjykime me Podgoricën.

Në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi ndodhi ajo që do të ndodhte dhe s’mund të mos ndodhte një ditë: humbja e njeriut-pushtet Milo Gjukanoviç, që sundon prej rreth tre dekadash, fitorja e partive opozitare, filoruse dhe antiNATO më e madhja prej tyre, por jo të gjitha. Rezultatin e dobët të DPS-së, analistët ia atribuojnë përplasjeve me Kishën Ortodokse Serbe, e cila për muaj të tërë ka mbizotëruar debatin politik në këtë vend.

Rezultatet e zgjedhjeve janë një dështim i madh për DPS-në, e cila ka qenë në pushtet për tre dekada, si dhe Gjukanoviçin, i cili e drejtoi vendin përgjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, shkëputjes nga Serbia më 2006 dhe anëtarësimit në NATO më 2017, nënëvizon agjencia Reuters.

Duket paradoksale nga një pikëpamje, që një vend anëtar i NATO-s, që ka nënshkruar hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, që është para vendeve të tjera të rajonit sa u takon tregueseve të zhvillimit dhe standardit të jetesës së qytetarëve, u heq timonin e pushtetit aktorëve politikë që i mishërojnë këto arritje të mëdha dhe ia kalon një konglomerati partish e aktorësh ku peshën më të madhe nga pikëpamja e numrave, e kanë nacionalistët e stampës së vjetër.

Pavarësisht drejtimit pozitiv që mori Mali i Zi nën qeverisjen e Gjukanoviçit, “ai e bëri baltë”, siç thuhet në shqip dhe gati po e parodizonte idenë e demokracisë me përjetësinë e tij në pushtet. I përkëdhelur prej gjeopolitikës, Gjukanoviç dhe regjimi i tij ishin lënë në një farë mënyrë në regjimin e radarëve shpeshherë të fikur të Perëndimit, që bënte një sy qorr e një vesh shurdh për zhvillimet e brendshme në republikën e vogël. Podgorica zyrtare e ka përdorur me sa duket këtë rrethanë për të miksuar pushtetin me korrupsionin dhe për t’i veshur republikës pushtetin prej monarku të presidentit. Njihet shprehja e famshme e lordit Acton, se “pushteti tenton të korruptojë dhe se nuk ka herezi më të madhe se sa të mendosh se posti shenjtëron mbajtësin”. Gjukanoviç nuk mund të bënte përjashtim. Mund ta kishte zgjidhur përmes një rotacioni të brendshëm çështjen e vazhdimësisë së pushtetit brenda llojit, por preferoi t’i shkonte deri në fund fabulës së tij politike të njeriut-pushtet. Dhe erdhi dita të largohej.

Qeveria pro-serbe mund ta afrojë vendin më pranë Serbisë dhe Rusisë, por nuk pritet që ta largojë atë nga NATO-ja ose të heqë dorë nga planet për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, thekson në një analizë të saj agjencia Reuters.

Liderët e opozitës dhe drejtuesit e organizatave për demokraci dhe të drejtat e njeriut, shkruan Reuters, kanë akuzuar prej kohësh Gjukanoviçin dhe PDS-në se po drejtojnë Malin e Zi si një feud të tyre korruptiv përmes lidhjeve me krimin e organizuar.

"Çdo qeveri e ardhshme do të duhet të angazhohet për të zgjidhur situatën e rënies ekonomike që filloi në vitin 2019, e cila më pas u përkeqësua nga pandemia e koronavirusit, që përfshiu të ardhurat e turizmit".

Rotacionin në Mal të Zi e përcaktoi në thelb përballja klasike midis shumicës dhe opozitës së atij vendi për mënyrën e qeverisjes, për problemet konkrete të malazezëve, për pritshmëritë e tyre. Pra një problematikë klasike e zgjedhjeve në çdo vend demokratik të Europës, së cilës, siç merret me mend, i qëndronte bashkangjitur dikotomia e njohur e orientimit gjeopolitik diametralisht të kundërt mes palëve. Por nuk ishte tema e orientimit- me Perëndimin apo me Lindjen-që prodhoi ndryshimin. Ndryshimin e prodhoi filli përbashkues i konglomeratit opozitar, që ishte të qenët kundër Gjukanoviçit dhe qeverisë së tij. Kjo do të thotë se mjaft zgjedhës opozitarë nuk donin më në pushtet Gjukanoviçin .

Ajo që duhej të ndodhte tani ka ngjarë. Njeriu që ishte në konflikt midis arritjeve e suksesit, me abuzimin masiv të pushtetit, vërtet është akoma President i vendit dhe jep mandatin për formimin e qeverisë, por tashmë është përfaqësues i një partie që ka humbur zgjidhjet.

Për të bërë qeverinë, nacionalistët janë të kushtëzuar nga grupimet që ruajnë orientimin perëndimor të Malit të Zi, siç është lëvizja “Ura” e Dritan Abazoviçit . Zoti Abazoviç ka deklaruar disa herë në mediat e ndryshme se: a) qeveria e re e Malit të Zi do të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, b) Mali i Zi do të qëndrojë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, c) qeveria e re do të jetë qeveri ekspertësh, duke përfshirë pakicat etnike dhe fetare. Këto tri pika duket se janë edhe kushtet e lëvizjes “Ura” për qeverinë e re. Pika të cilat duket të jenë bërë pjesë e një qëndrimi të përbashkët të opozitës malazeze, pa qenë nevoja të trajtohen si kushte të një pale. Nuk është hera e parë as e fundit që thirrjes së fuqishme të pushtetit i sakrifikohen qëndrime dhe vet përcaktime politike, që jo rrallë janë thjesht mjete elektorale, të cilat “varen në gozhdë” kur ia arrijnë qëllimit. Në këtë rast kapërcimin e madh nuk e ka bërë Abazoviç i cili është koherent me qëndrimet e tij në fushatë, por partitë filoserbe a filoruse të Malit të Zi, që kanë bërë hapa prapa. Duhet të presim skenarët e zhvillimeve pas zgjedhore atje, duhet të presim sa përcaktues do të jetë vërtetë një politikan i ri shqiptar, i cili ngjan i paprekur nga viruset e “shkollave” politike të fryrjes dhe artificialitetit në Tiranë dhe Prishtinë dhe prandaj duket i çiltër.

Negociatat në mes palëve vazhdojnë, interferecat janë rritur si për të bërë të mundur marrëveshjen e partive opozitare, ashtu edhe për të krijuar përplasje në këtë front, që situata të shkojë përsëri në favor të DPS-së.

Nëse partitë opozitare nuk arrijnë akordin e marrëveshjes, atëherë do të kemi një tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve dhe një tension politik prezent. Artificet politike gjithnjë krijojnë kriza.

Gëzim Podgorica