Në 75 vjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara një seri aktivitetesh janë organizuar në shumë vende për të na kujtuar edhe një herë rëndësinë e kësaj organizate e cila shërben si një forum i lartë ku kombet diskutojnë dhe marrin vendime për çështje të rëndësishme që i përkasin të gjithë njerëzimit.

Kina, që prej ditës së anëtarësimit e deri më sot e ka theksuar vazhdimisht dhe veçanërisht rëndësinë e kësaj organizate. Presidenti Kinez Xi Jinping edhe një herë me rastin e përvjetorit të 75-të të OKB-së , pati mundësinë t'u drejtohet të gjithë liderëve botërorë me thirrjet për më shumë kujdes ndaj parimeve themeluese të kombeve të bashkuara, në veçanti pasjen e një qasje multilaterale. Një qëndrim i tillë merr rëndësi të veçantë në një kohë kur sfidat globale janë të jashtëzakonshme, dhe kur vazhdimisht po dalin në dritë qëndrime unilaterale nga vende të mëdha dhe të rëndësishme, dhe kur rregullat e lojës në marrdhëniet ndërkombëtare po vihen në diskutim nga vende të caktuara perendimore duke e bërë politikën ndërkombëtare më të paparashikueshme dhe për pasojë me rreziqe për bashkëpunimin e mirë mes kombesh.

Tendencat e politikës ndërkombetare po tregojne se forca të ndryshme politike, që shpesh arrijnë të kenë ndikime në politikbërjen e shumë vendeve, po ringrenë edhe një herë mure ndarëse dhe koncepte të pluhurit historik të mbetur nga Lufta e Ftohtë. Një Luftë e re e ftohtë është një term që shpesh po përdoret në qarqe të ndryshme politike e mediatike, si pasojë e konflikteve tregtare që kanë lindur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, dhe shoqërimit të këtyre mosmarrëveshjeve me shqetësime nga vendet perëndimore për një seri çështjesh mbi të drejtat e njeriut që Pekini i shikon si ndëryrje në punët e veta të brendshme. Por liderët kinezë, dhe vetë presidenti Xi Jinping, kanë theksuar më shumë se një herë se Kina nuk dëshiron të hyjë në asnjë Luftë të Ftohtë me askënd, siç e shprehu edhe presidenti Xi, as të ftohtë e as të ngrohtë, dhe se për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet një qasje multilaterale dhe ikje nga qëndrime izolacioniste.

Shqetësimi i Perëndimit në fakt nuk është gjë tjetër veçse shprehje e ndërgjegjësimit se epiqëndra e ekonomisë dhe peshës botërore po spostohet në mënyrë të pashmangshme drejt Paqësorit aziatik atje ku, sikurse e mirëargumenton Angus Maddison në një nga librat e tij, ka qënë për pjesën më të madhe të historisë me përjashtim të pesë shekujve të fundit. Për një pjesë të Perëndimit ky spostim korrepondon me një humbje të peshës në arenën ndërkombëtare por mbi të gjitha me një humbje të dominimit të tyre në politikëbërjen globale.

Ndërkohë që këto vende i shikojnë marrëdhëniet me Kinën nga perspektiva e sistemeve politike të ndryshme, lidershipi kinez ka theksuar se diferencat politike nuk duhet të shërbejnë si një pengesë në promovimin e parimeve më të mira të bashkëpunimit ndërkombëtar. Sikurse e ka theksuar Presidenti Xi Jinping, ‘dallimet duhen trajtuar nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve’, si mjeti më i mirë për të sheshuar diferencat dhe rritur bashkëpunimin. Në fakt, gjatë bisedës me liderët europianë së fundmi, presidenti kinez ka shtuar se asnjë vend nuk ka sistem politik identik me një tjetër. Diskursi publik i Kinës për bashkëpunim ndërkombëtar është në vazhdën e politikës së saj sa të vjetër aq edhe të nevojshme që Kina ka ndjekur në OKB, atë të integrimit në organizata ndërkombëtare dhe jo cënimit të funksionimit të tyre. Presidenti Kinez ka theksuar se Kina dëshiron të jetë ‘ndërtuese e paqes në botë’ dhe ‘mbrojtëse e rendit ndërkombëtar’. Pekini gjithashtu i jep rëndësi të veçantë nevojës për një bashkëpunim ndërkombëtar të hapur e transparent ku të gjithë të kenë përfitime reciproke.

Në fakt, siç edhe së fundmi është theksuar në një artikull këtu, kontributi i Kinës në OKB, dhe organizata të tjera nën varësinë e saj, siç është përshembull Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe në zbutjen e varfërisë në vendet në zhvillim, ka ardhur veçse duke u rritur. Kjo rritje e kontributit dhe përgjegjësisë në përballimin e sfidave globale vjen si pasojë e rritjes ekonomike të Kinës në katër dekadat e fundit, dhe për pasojë sjell pashmangshmërinë e saj në përballimin e shumë sfidave globale, nga luftimi i varfërisë në vendet në zhvillim, te zhvillimi i teknollogjive të reja dhe deri në luftën ndaj ngrohjes globale dhe zhvillimin e një ekonomie të gjelbër.

Në fjalimet e presidentit Kinez, por edhe në politikën e jashtme të Kinës, theksohet në menyrë të vazhdueshme nevoja për të patur një qasje multilaterale në arenën ndërkombëtare. Thirrja është e hapur për të gjithë aktorët globalë. OKB-ja, megjithë limitet e veta përsa i përket funksionimit si pasojë e përfaqësimit jo real të disa vendeve në të, dhe limiteve në zgjidhjen e shumë problemeve ndërkombëtare, mbetet forma më e lartë e arritur deri më sot në organizimin e një qeverisjeje globale. Edhe pse ndoshta nuk është më perfektja, ajo është e vetmja që kemi aktualisht. Prandaj kjo organizatë mund të ketë një rol akoma edhe më të madh në të ardhmen. Gjasat janë që Kinës t'i bashkohet pjesa më e madhe e vendeve në këtë qasje për forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Edhe brenda Perëndimit ngjyrat janë të ndryshme në këtë pikë. Europa, me dallimin shpeshherë sa të hollë edhe domethënës, me politikat e SHBA-ve, ka gjasa ta thellojë më tej bashkëpunimin me Kinën në forcimin e një globalizimi sa të pashmangshëm aq edhe domosdoshmërisht më pranë nevojave të gjeneratave të ardhshme, sidomos në politikat ekonomike, por edhe sociale dhe mbi të gjitha ekologjike.

përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun

përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun

OKB-ja lindi në një botë bipolare në fillimet e Luftës së Ftohtë, dhe u bë gjiri i lindjes së shumë vendeve të reja si pasojë e luftërave për pavarësi të shumë vendeve në vitet 1960-70 të shekullit të kaluar. Në të ardhmen kjo organizatë merr një rëndësi akoma më të veçantë për shkak se, siç është theksuar shpesh herë, bota është shndërruar në një fshat të madh global, e për pasojë edhe qasja ndaj problemeve që shqetësojnë atë duhet të jetë ajo e një bashkëpunimi shumëpalësh në një arenë ndërkombëtare shumëpolare ku të gjitha vendet të ndjehen të barabarta pavarësisht madhësisë dhe peshës ekonomike të tyre. Prova më a afërt është bashkëpunimi për të përballuar pasojat shëndetësore të pandemisë Covid-19, dhe për të ndihmuar në rivitalizimin e ekonomisë botërore pas pasojave që ka patur dhe do vazhdojë të ketë kjo pandemi. Serioziteti i një lidershipi global, të përgjegjshëm dhe të angazhuar, do të duket pikë së pari në nivelin e bashkëpunimit në luftën kundër këtij armiku të përbashkët.