Shtetet e Bashkuara janë përfshirë prej disa muajsh nga lëvizje masive protestash në përkrahje të të drejtave të pakicave me ngjyrë, sidomos të zezakëve. Ato filluan pas vrasjes së George Floyd nga një polic i bardhë në Minneapolis në muajin maj, dhe vazhdojnë ende, me rigjallërime të herëpasherëshme nga episode të ngjashme të ndodhura gjatë kësaj kohe.

Gjatë tyre ka dalë dukshëm në pah roli prominent i lëvizjes BLM "Black Lives Matter" (Jetët e zeza kanë rëndësi) parullat e së cilës shihen kudo në grupet e protestuesve. Po çfarë është kjo lëvizje dhe cilat janë qëllimet e saj?

BLM u konceptua në vitin 2013 në Twitter nga tre veprimtare afro-amerikane, Alicia Garza, Patrisse Cullors dhe Opal Tometi si një lëvizje e decentralizuar me degë lokale në gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara. Ajo bënte thirrje për protesta paqësore kundër asaj që cilësohej "brutalitet policor'' në ndërveprimet e forcave të rendit me personat me ngjyrë. Gjatë viteve lëvizja erdhi duke e rritur popullaritetin, me veprimtaritë kundër ''racizmit sistematik'' pothuaj në tërë aspektet e kulturës dhe jetës shoqërore amerikane. Organizata e fondacione të ngjashme janë krijuar gjithashtu për nxitjen e politikave sociale të emancipimit të zezakëve.

Ndërkaq pas incidentit të lartpërmendur lëvizja BLM doli në plan të parë në shkallë kombëtare e bile u përhap edhe jashtë SHBA. Nga numri i pjesëmarrësve në protesta, ndërmjet 15-25 milionë, ajo cilësohet si një nga lëvizjet më masive në krejt historinë amerikane.

Ajo ka shpalosur gjithashtu një numër objektivash, disa prej të cilave të admirueshme, e disa të tjera haptazi radikale. Ato kanë ngjallur shumë diskutime e kritika edhe nga ana parimore, edhe rreth mundësive të zbatimit praktik, por edhe rreth paqartësisë së gjuhës së përdorur.

Kështu ata shprehen për angazhim në përpjekjen e vazhdueshme për arritjen e ''çlirimit kolektiv të të gjithë zezakëve'' si parakusht për të pasur liri e drejtësi për të tjerët. Ata deklarojnë po ashtu se synojnë ndërgjegjësimin për ekzistencën si të ngjashmërive ashtu edhe të diferencave ndërmjet grupeve e racave të ndryshme.

Lëvizja përkrah "barazinë dhe vlerën e të gjitha jetëve zezake", pa dallim niveli ekonomik, besimi fetar, statusi të imigracionit, dhe thekson veçanërisht afirmimin e "të drejtave të personave gay e transgjinorë".

Gjithashtu, në një nga pozicionet e tyre më radikale, ata deklarohen kundër modelit të familjes nukleare, pra të përbërë nga babai, nëna dhe fëmijët, sepse e quajnë si të imponuar nga qytetërimi perëndimor e nga patriarkalizmi i këtij të fundit. Ai model kërkohet të zëvendësohet me një tjetër, bazuar në kujdesin kolektiv për fëmijët nga familjet e zgjeruara, apo nga "gjithë fshati'', sipas praktikave të shoqërive tradicionale afrikane.

Në mbështetje të këtyre objektivave për ''liri e drejtësi'' lëvizja BLM ka shtruar edhe një sërë kërkesash ndaj autoriteteve. Në aspektin juridik e penal kërkesat kryesore janë ato për shkurtimin e fondeve për policinë dhe organet e ruajtjes së rendit në përgjithësi (defunding). Ato fonde duhet të përdoren për masa sociale, si p.sh. për qendra rehabilitimi për të droguarit, për kujdesin e të sëmurëve mendorë, për t'u mësuar profesione të reja të papunëve apo atyre që braktisin shkollën e që priren të bien pre e bandave kriminale. Ndërkaq shumë veprimtarë kanë shkuar deri në kërkesa skajore duke u shprehur për shkrirjen e plotë (abolishing) të organeve të rendit. Një kërkesë tjetër është ajo për uljen e numrit të të burgosurve, sepse dihet që Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të tyre në botë, si në shifra absolute ashtu edhe në krahasim me popullsinë. Pjesa dërrmuese e tyre janë zezakë dhe hispanikë, prej këtu edhe fokusimi i BLM në këtë fushë.

Në aspektin ekonomik BLM u bën thirrje investitorëve në tregjet financiare të braktisin kompanitë private të administrimit të burgjeve dhe t'i drejtojnë fondet në ato që ndihmojnë komunitetet zezake. Po ashtu një kërkesë e rëndësishme është ajo në favor të reparacioneve për afro-amerikanët pasardhës të skllevërve të sjellë nga Afrika në shekujt XVII-XIX.

Objektivat e kërkesat e mësipërme janë shoqëruar me mjaft reagime e kritika në opinionin publik amerikan (e më gjerë), dhe në përgjithësi duket se, siç mund të pritet, krahu i djathtë shprehet kundër, ndërsa e majta në favor të tyre. Konservatorët kritikojnë sidomos mungesën e interesit të BLM ndaj dhunës brenda vetë komuniteteve me ngjyrë, si edhe shfajësimin që ajo u bën atyre që kryejnë akte vandalizmi gjatë protestave. Për mjaft eksponentë të djathtë ajo është thjesht një lëvizje radikale, që e sheh botën si të ndarë përgjithmonë në "shtypës" dhe "të shtypur", pa asnjë mundësi pajtimi e bashkëpunimi, si një lëvizje kundër policisë e kundër çdo autoriteti, dhe që synon shkatërrimin total të sistemit politik e ekonomik amerikan.

Ndërkaq liberalët lavdërojnë faktin që lëvizja ka risjellë në qendër të vëmendjes problemet e pakicave me ngjyrë, por nga ana tjetër kritikojnë taktikat e saj. Kështu ish-presidenti Obama theksonte se "nëse përfaqësuesit e zgjedhur shprehen të gatshëm të punojnë me ju për të kryer ndryshimet e kërkuara, atëherë s'mund të vazhdoni më me të bërtitura ndaj tyre...vlera e lëvizjeve shoqërore është arritja tek diskutimi serioz i problemeve dhe vënia në rrugën e zgjidhjes..."

Por për të majtën e ashtuquajtur progresiste BLM është një lëvizje e panjollë, pothuaj heroike, për gjithë punën e saj për ndërgjegjësimin e opinionit publik për çështjet e drejtësisë sociale dhe kundër brutalitetit policor.

Në këtë mori pozicionesh e qendrimesh paqartësitë më të mëdha vijnë nga ngatërresa ndërmjet vetë organizatës BLM, pra drejtuesve, dhe pjesëmarrësve në protesta, si të thuash "ushtarëve të thjeshtë". Dhe dihet se për fat të keq ngatërresa të tilla në pothuaj çdo lëvizje masive në histori ka qenë burim zhgënjimesh e gjakderdhjesh të mëdha (kujtojmë revolucionin francez të 1789 e atë rus të 1917).

Mund të thuhet në fakt se edhe përkrahësit edhe kritikët e lëvizjes kanë njëfarë të drejte, po të mbahet parasysh dallimi i mësipërm ndërmjet drejtuesve dhe "ushtarëve të thjeshtë".

Organizata BLM ka shpalosur zyrtarisht objektiva mjaft radikale si p.sh. atë që përmendëm kundër modelit të familjes nukleare, apo atë tjetrin se liria e zezakëve duhet arritur me eliminimin e institucioneve të superioritetit të bardhë, kapitalizmit, etj. Këto objektiva, sëbashku me vetëdeklarimin si ''marksiste'' të dy prej themelueseve, kanë mjaftuar që konservatorët të shprehen vendosmërisht kundër çdo simpatie për këtë lëvizje.

Nga ana tjetër nuk duhet që kritikat ndaj objektivave apo drejtuesve të bëhen shkak për të mos përkrahur pjesëmarrësit e shumtë të lëvizjes në fjalë. Sipas statistikave, më se gjysma e të anketuarve amerikanë përkrahin pohimin se ''jetët e zeza kanë rëndësi'' e megjithatë s'janë në dijeni të organizatës me këtë emër, aq më pak të bindjeve të themeluesve apo drejtuesve të saj. Etiketimi i pjesëmarrësve si "kundërshtarë të kapitalizmit", demokracisë apo të familjes nukleare është e meta më e madhe e kritikave konservatore ndaj BLM.

Por edhe mjaft eksponentë të së majtës gabohen kur injorojnë tërësisht origjinën radikale të kësaj lëvizjeje dhe bindjet e drejtuesve të saj, duke akuzuar për "racizëm"cilindo që kritikon sadopak BLM. Edhe vetë emërtimi i kësaj organizate kontroversiale e lehtëson mjaft cilësimin e kritikëve si "ekstremistë" sepse "s’mund të jesh kundër jetëve të zeza!" Ky thjeshtëzim i çështjes vetëm sa krijon përçarje, pa inkurajuar dialogun e nevojshëm për zgjidhje të vërtetë të problemeve të kësaj popullsie.

Kuadri që përshkruam bëhet edhe më i komplikuar në kushtet e polarizimit në rritje të shoqërisë amerikane, sidomos në 30 vitet e fundit, siç dëshmohet edhe nga të dhënat statistikore. Kështu p.sh. sipas institutit të mirënjohur kërkimor Pew Research gjatë kësaj periudhe pjesa e të anketuarve me pikëpamje politike të skajshme, qoftë liberale apo konservatore, është rritur nga 10 në 21 përqind. Po aq kuptimplote janë edhe përqindjet e votuesve që shohin partinë kundërshtare si tërësisht negative: ndër demokratët kjo pjesë ka shkuar nga 16 në 38 përqind, ndërsa ndër republikanët nga 17 në 43 përqind.

Ndarja e opinionit vihet re edhe në mediat amerikane. Kështu ato të djathta kritikojnë çdo mbështetje sado simbolike të shprehur nga personalitete konservatore për problemet e ngritura nga lëvizja, siç ndodhi p.sh. tashti së fundi me senatorin Mitt Romney. Ndërsa mediat e majta nuk sfidojnë seriozisht në intervistat e tyre pikëpamjet radikale të disa eksponentëve të BLM, si p.sh. përkrahjen e hapur për akte vandalizmi, duke i paraqitur ato si pjesë normale të debatit publik.

Si përfundim, problemet e ngritura nga BLM janë padyshim me vend dhe rëndësia e vetë lëvizjes s’mund të mohohet, e bile bëhet më e dukshme po të mbajmë parasysh pjesëmarrësit e saj. Zezakët kanë luftuar prej shekujsh kundër dhunës policore, por tashti përballja s’është më thjesht ndërmjet policisë dhe popullsisë me ngjyrë. Lëvizja ka gjetur përkrahës, aleatë e veprimtarë në masat e të rinjve, të cilët me energjinë e tyre, sadoqë shpesh të tepruar e mjaft herë të manipuluar, e kanë sjellë atë në qendër të skenës politike amerikane. Prandaj përballja tashmë mund të thuhet se është ndërmjet të rinjve dhe krejt racizmit strukturor të shoqërisë amerikane. Ajo përballje mund të trajtohet e zgjidhet me sukes, por jo nëse partitë kryesore e shohin njeratjetrën pothuaj si armike, e jo thjesht si kundërshtare, si duhet të ndodhë normalisht. Është pra polarizimi që përmendëm ai që përbën pengesën kryesore për diskutim konstruktiv, dhe kjo vlen si për problemet e popullsisë me ngjyrë, ashtu edhe për ato të shoqërisë amerikane në tërësi.