Bota e sotme e rreth 7.8 miliardë njerëzve është shumë herë më e trishtë se e djeshmja paracovidiane. Natyrisht, jo të gjitha vendet mund ta ndajnë këtë gjykim vlerësues për të sotmen e përbashkët, pasi në pjesë të ndryshme të globit, në shtete të ndryshme, diferencat e qetësisë dhe mirëqënies janë të shumta e tejet të theksuara.

Kjo pikëpamje, me gjithë diversitetin e saj, u shpalos qartazi në fjalimet e udhëheqësve më të rëndësishëm të botës në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që përkon dhe me 75-vjetorin e saj.

Fjalimet e tyre nuk kishin kryesor kumtin jubilar, por theksimin e pikëpamjes vetjake. Pesha e secilës përshëndetje që u nda nga udhëheqësit më të rëndësishëm, pra të shteteve me peshën kryesore të ndikimit dhe vendimmarrjes globale, ndryshonte në varësi të pikëpamjeve të ndryshme që u reflektuan.

Dy koncepte duket se ndajnë qëndrime me diferenca për strukturën dhe funksionimin strategjik të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Udhëheqësi i Kinës, Presidenti Xi Jinping, e konstruktoi pikëpamjen e vet jo thjesht në mbrojtje të multilateralizmit. Ai i mëshoi nevojës funksionale të rishikimit të katër shtyllave bazike. Ato i paraqiti si propozime që i vlerëson si nevojë emergjente ndërhyrëse për ngritjen e përgjegjësisë në qeverisjen e botës dhe në efikasitetin e OKB-së.

Fjalimi i Presidentit të Kinës nisi me një retorikë të fuqishme strukturore dhe politike: "Për çfarë lloj OKB-je ka nevojë bota dhe çfarë roli duhet të luajë ajo në epokën pas-pandemike?"

E ngrinte këtë retorikë në adresë gjithë-globale, pikërisht nga institucioni 75-vjeçar që startoi në krye të herës me pjesëmarrjen e 51 nënshkruesve në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe sot, rendit një anëtarësi prej 193 vendesh.

Ndërkohë që homologu amerikan, Presidenti Trump, ndau një qasje të përkundërt. Ai vijoi konsistencën e pikëpamjes për nevojën e veprimeve unilaterale përkundrejt disa nga problematikave të hasura nga multilateralizmi. Ai theksoi nevojën për efikasitete që dëshmohen, dhe jo përdoren.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, e konstruktuar qysh në krye të herës si një institucion që mëtonte të merrte trajtat e një qeverisje globale, sot është në sprova të humbura dhe mosbesimi prej anëtarësh dhe vendesh të ndryshme. Kjo bëhet edhe më e theksueshme në kushtet e rritjes së unilateralizmit dhe proteksionizmit të vendeve me fuqi dhe kapacitete të fuqishme ndikimi. Për këtë arsye, e ardhmja e OKB-së me këtë strukturë tradicionale dhe me stereotipitë e krijuara për arsye edhe të rutinës administrative, po pëson rënie të autoritetit dhe të kredibilitetit të saj.

Për shkak të kësaj krize dhe problematikave serioze që shtrohen në funksionimin dhe ekzistencën e këtij organizmi global, Presidenti i Kinës Xi, përmes videolidhjes në mbledhjen e nivelit të lartë, paraqiti disa propozime specifike.

Në fjalimin e tij u theksua nevoja për reflektimin që meriton në OKB zëri i vendeve në zhvillim, si dhe promovimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritja e rolit udhëheqës të OKB-së për zgjidhjen e problemeve të ndryshme globale. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje nevojën për një axhendë më të orientuar globale të këtij organizmi.

Me sugjerime specifike u paraqit në fjalën e saj edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila duke vlerësuar meritat e OKB-së në përvjetorin e 75-të, kërkoi reformimin e saj si dhe zyrtarizoi mbështetjen e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. "Kombet e Bashkuara mund të jenë aq të suksesshme sa janë të bashkuara,"- tha Kancelarja Merkel. Më tej ajo kritikoi qartë bllokimin e punës së OKB-së, duke nënkuptuar vendet që preferojnë veprimet unilaterale në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Por ajo ishte më se e qartë, kur tha se shumë shpesh "Kombet e Bashkuara mbesin mbrapa idealeve që i kanë vënë vetes, sepse gjithmonë interesat e vendeve të veçanta pengojnë që sistemi i rendit të funksionojë si duhet të funksionojë…E mira jonë e të gjithëve, ndahet si vuajtja. Ne jemi një botë”"

Karakterizim kritik për gjendjen e OKB-së pati edhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili nënvizoi se: "Shtëpia jonë e përbashkët nuk është në gjendje të mirë. Fundamenti i saj është gërryer, muret janë çarë nga goditjet e atyre që e kanë ngritur vetë atë."

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ndau publikisht pakënaqësinë se ka shumë "sfida multilaterale dhe një deficit në zgjidhjet multilaterale". Ai tha se "askush nuk e do një qeveri botërore, por ne duhet të punojmë së bashku, për të përmirësuar udhëheqjen në botë”.

Pikëpamjet e ndryshme të udhëheqësve të vendeve më të fuqishme duket se bashkoheshin vetëm në një pike: në nevojën për një reformë strukturore dhe funksionale të OKB-së. Presidenti Xi pikëpamjen e vet e qasi tek lloji i OKB-së që i nevojitet botës në epokën pas koronavirusit.

Bashkësia ndërkombëtare e ka bërë tashmë hise të debatit të madh publik këtë qasje. Gatishmëria dhe pohimet zyrtare në këtë 75-vjetor të OKB-së janë një bazë shpresëdhënëse për strukturën dhe jetën e “ bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit”, sikurse shprehet presidenti kinez.