Në një hark kohor të katër muajve të fundit skena politike botërore ka qënë dëshmitare e një sërë takimesh intensive në nivel të lartë midis Kinës dhe Bashkimit Europian (BE), që kulmuan me videokonferencën e bashkorganizuar prej Presidentit të Kinës Xi Jinping me Kancelaren gjermane Angela Merkel, vendi i të cilës mban presidencën e rradhës të BE-së, dhe me pjesmarrjen e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të këtij blloku më 14 shtator 2020.
Takimi i nivelit të lartë ishte parashikuar të zhvillohej në Lajpcig, Gjermani, me pjesëmarrjen edhe të 28 përfaqësuesve më të lartë të vendeve anëtare të BE-së, por për shkak të pandemisë ai u zëvëndësua me videokonferencën si formë më e sigurt.
Koinçidencë apo ajo por takimi i nivelit të lartë virtual Kinë- BE i 14 shtatorit mori edhe një vlerë të veçantë për BE se më 16 shtator Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paraqiti analizën vjetore të ‘Gjëndjes së Bashkimit’ (State of Union) në Parlamentin Evropian, një mundësi e veçantë që ajo të bëjë edhe një bilanc të asaj që u arrit në takimin e nivelit të lartë Kinë-BE rendi i ditës i të cilit ishte gjithëpërfshirës ku ndër çështjet më nevralgjike ishin përgjigja ndaj pandemisë COVID-19, tregëtia, investimet, ndryshimet klimatike e biodiversiteti, si dhe çështje ndërkombëtare dhe aspekte të veçanta të interesit të përbashkët.
Nëse përmbledhim me pak fjalë disa nga dakortësitë e bashkëbiseduesve tërheqin vëmëndjen nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes Kinë-BE mbi treguesit gjeografikë (GI), angazhimi i tyre për të përshpejtuar bisedimet mbi Traktatin Dypalësh Kinë-BE mbi Investimet që të arrihet përfundimi i tyre brënda këtij viti, vendimi për të vendosur një Dialog të Nivelit të Lartë për Ambjentin dhe Klimën dhe një Dialog të Nivelit të Lartë Kinë-BE për Bashkëpunimin e gjelbërt e dixhital. Dallon për nga rëndësia dakordësia e të dy palëve për të mbështetur dhe vënë në jetë multilateralizmin, për të forcuar bashkëpunimin kundër virusit, për të kontribuar në rimëkëmbjen globale ekonomike, për të trajtuar sfidat globale dhe për të çuar përpara zgjidhjen politike të konflikteve rajonale dhe ndërkombëtare.
Njerëzimi në udhëkryq
Por pandemia COVID -19 dhe kriza globale e shkaktuar prej saj kanë nxjerrë shumë realitete të hidhura të botës së sotme mbi ujë dhe përvoja po tregon se gjëndja e përkeqësuar ekonomike, financiare e shëndetësore është bërë jetike dhe tensionet sociale mund të dalin jashtë kontrollit në atë masë saqë mund të jetë vonë për parandalim kur mbi të gjitha jeta e popujve është nën kërcënim të vazhdueshëm.
Pandemia po përshpejton ndryshime të papara në një shekull dhe njerëzimi ndodhet përballë një udhëkryqi i përballur me sfida të shumta të përbashkta, Presidenti i Kinës Xi i deklaroi palës së BE-së, duke bërë thirrjë që Kina dhe BE si dy forca, tregje dhe qytetërime të mëdha të përshpejtonin palëkundje zhvillimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-BE, dhe të injektonin më shumë energji në përpjekjet për t’iu përgjigjur COVID-19, rimëkëmbjes ekonomike dhe mbështetjen e drejtësisë.
Duke qënë në një linjë me Presidentin kinez lidhur me këtë krizë pala e BE-së vuri në dukje në njoftimin e përbashkët për shtyp të Presidentit Michel, Presidentes von der Leyen dhe Kancelares Merkel, të cituar nga portali ec.europa.eu, sa më poshtë: “Lidhur me përgjigjen ndaj COVID-19, BE nënvizoi përgjegjësinë e përbashkët për të marrë pjesë në përpjekjet globale për të ndalur përhapjen e virusit, për të rritur kërkimet mbi trajtimin dhe vaksinat, dhe për të forcuar rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke përshirë zbatimin e plotë të rezolutës së Asamblesë Botërore të Shëndetësisë të majit të vitit 2020”.
SHBA kanë njoftuar zyrtarisht OBSH-në më 6 korrik të këtij viti se do të largoheshin nga kjo organizatë e sistemit të OKB-së një veprim që kritikët e tij e shikojnë si pengesë të luftës ndërkombëtarë kundër COVID-19.
Keqkuptimet zgjidhen me dialog
Në kuadër të shkëmbimit të pikëpamjeve, Xi u paraqiti bashkëbiseduesve katër parime të cilave duhet ti përmbahen të dy palët për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE. Së pari, sipas tij, Kina dhe BE duhet ti përmbahen bashkekzistencës paqësore. Meqënëse nuk ka sisteme identike politike në botë, bashkekzistenca e qytetërimeve përfaqëson normalitet, dhe sipas Xi sa më shumë që Kina dhe BE të mbështesin atë aq më e garantuar do të jetë paqa dhe begatia në botë. Parimi i dytë i referohet respektimit të hapjes dhe bashkëpunimit nga të dy palët. “Kina do të kërkojë interkonektivitet dhe efektivitet më të mirë midis dy tregjeve dhe burimeve të të dy palëve për të nxitur zhvillim solid dhe të qëndrueshme”, tha ai.
Multilateralizmi ishte parimi i tretë që shtroi Xi duke u zotuar se Kina është gati të punojë me BE për të shkallëzuar dialogun dhe bashkërendimin në nivele të dyanshme, rajonale dhe globale dhe angazhimin për të mbrojtur sistemin ndërkombëtar me OKB-në në themel. Kurse parimi i katërt i referohet dialogut dhe konsultimit. “Kina dhe BE kanë nevoje të jenë të angazhuara në bashkëpunimin e përgjithshëm, të zgjidhin keqkuptimet nepëmjet dialogut, të kapërcejnë vështirësitë nëpëmjet zhvillimit dhe adiministrimit të drejtë të ndryshimeve”, tha Presidenti.
Nga ana e tyre Merkel, Michel and von der Leyen deklaruan se Kina është një partner i rëndësishëm strategjik i respektuar nga BE. Është imperative për Europën dhe Kinën që të forcojnë multilateralizmin, ti rezistojnë unilateralizmit dhe proteksionizmit, dhe ti përgjigjen efektivisht sfidave të ndryshme globale, çka është në përputhje më interesat e përbashkëta si të Europës ashtu edhe të Kinës dhe të komunitetit Ndërkombëtar.
Ata u shprehën se BE dëshiron të punojë me Kinën për të forcuar dialogun dhe besimin e ndërsjellt dhe nxitur bashkëpunimin duke përfshirë ekonominë dhe tregtinë, investimet, ekonominë e gjelbërt, ndryshimet klimatike, biodiversitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Pala europiane mirëpriti, ndër të tjera, lehtësimin e kufizimeve në tregun kinez, zgjërimin e hapjes, duke u zotuar të përfundojë bisedimet mbi investimet BE-Kinë brënda këtij viti për ti dhënë një shtytje të re marrëdhënieve dypalëshe.
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin pas takimit, Kancelarja Merkel deklaroi se marrëveshja mbi investimet BE-Kinë është akoma e mundëshme këtë vit. “Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e interesave tona strategjike”, tha Merkel e cituar nga Bloomberg. “Në 15 vitet e fundit, Kina është bërë shumë më e fortë ekonomikisht - kjo do të thotë që kërkesa per reciprocitet, për një fushë loje të barabartë, është bërë sot shumë e justifikueshme”, tha Merkel.
Replikat nuk janë pengesë e bashkëpunimit…
Është për tu vënë në dukje se takimi një-ditor virtual i nivelit të lartë midis Pekinit dhe Brukselit u parapri nga një propagandë intensive mediatike, veçanërisht e shtypit amerikan dhe disa qarqeve mediatike perëndimore, mbi çështje të tilla ‘të nxehta’ si Hong Kongu apo Xinjiang. Si edhe ne në turin 8-ditor të Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi në 5 vende europiane, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën (25 gusht-1 shtator, 2020), Presidenti Xi sqaroi qëndrimin e Kinës mbi këto çështje duke thënë se thelbi i tyre është ruajtja e sovranitetit, sigurisë dhe unitetit kombëtar të Kinës dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut të të gjithë grupeve etnike për të jetuar dhe punuar në paqë.
“Kina kundërshton me forcë çdo person ose forcë që krijon destabilitet, përçarje dhe kaos në Kinë, dhe përzierje në punët e brendshme të Kinës nga ndonjë vend”, Xi u tha bashkëbiseduesve të BE-së duke u kujtuar se nuk ka një mënyrë që u përshtatet të gjithëve lidhur me zhvillimin e të drejtave të njeriut në botë.
Ai tha se populli kinez nuk pranon ‘një instruktor’ mbi të drejtat e njeriut dhe kundërshton ‘standardet e dyfishta’ dhe shprehu vullnetin e Kinës për të forcuar shkëmbimet me palën europiane mbi bazën e parimit të respektit reciprok në mënyrë që të dy palët të bëjnë përparim.
Lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut, pala europiane pranoi problemet e saj dhe shprehu shpresën për të zhvilluar dialogun me Kinën në bazë të parimeve të barazisë dhe respektit reciprok për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe zgjidhur keqkuptimet në mënyrë të drejtë.
I pyetur nga AFP të mërkurën lidhur me një kërkesë të zyrtarëve të BE-së për të bërë një vizitë të pavarur në Xinjiang, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha se janë të mirëpritur miq nga e gjithë bota, duke përfshirë palën europiane, për të vizituar Xinjiang dhe parë me sytë e tyre gjendjen atje, në vend që tu besojnë gënjeshtrave të sajuara ose thashethemeve. “Kina ka rënë dakord dhe është gati të bëjë rregullimet për të. Tani topi është në fushën e palës europiane”, tha Zëdhënësi.
Ndërkohë gama e shkëmbimit të pikëpamjeve në videokonferencën Kinë-BE përfshiu edhe një tematikë ndërkombëtare dhe rajonale duke përfshirë Afganistanin dhe çështje bërthamore iraniane. Në këtë aspekt palët ranë dakord të forcojnë komunikimin dhe bashkërendimin dhe të bëjnë përpjekje të përbashkta për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe rajonal.
Treni Kinë-Evropë
Dialogu vazhdon
Fakti që zyrtarët e BE-së e përshkruan ‘të sinqertë dhe të hapur’ raundin e fundit të bisedimeve me Kinën tregon se pavarësisht ndryshimeve mbi një numër çështjesh rezultatet e takimit dëshmojnë se Kina dhe BE janë të angazhuara me mirëbesim reciprok për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin në frymën e multilateralizmit dhe tregtisë së lirë. Të dy palët shpresojnë të përfundojnë marrëveshjen për investimet nga fundi i këtij viti duke qënë të ndërgjegjshme se në fund të fundit ata përfaqësojnë dy forca, tregje dhe qytetërime të mëdha kur ata dhe bota kanë nevojë për paqe, stabilitet dhe përparim kundrejt sfidave të rritjes së proteksionizmit, unilateralizmit dhe kërcënimit që COVID-19 i ka bërë rreziqet të paparashikueshëm dhe mbarëbotërore.
Nuk është rastësi që pak ditë para takimit të 14 shtatorit, ish-kryetari i Komisionit Europian dhe ish-kryeministër i Italisë, Romano Prodi tha se megjithëse Kina dhe Europa kanë sisteme të ndryshme ata mund të arrijnë një harmoni në praninë e dallimeve. Të dyja palët duhet të kërkojnë më shumë raste bashkëpunimi për të nxitur interesat e përbashkëta, sipas tij. Prodi e bëri këtë koment në kuadër të dialogut tregtar Kinë-BE mbajtur më 9 shtator nëpërmjet internetit.
Ndërkohë Profesor Arben Malaj, President i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje në Shqipëri, u shpreh në një bisedë që pata me të se takimi midis BE dhe Kinës ka premisa shpresëdhënëse për angazhimet, përgjegjësitë dhe përkushtimin e përbashkët të të dy palëve si pjesë e integruar e qeverisjes globale.
“Sot më shumë se kurrë përballë pasojave fatale të COVID -19, kërcënimeve ambientaliste dhe sfidave te panjohura për te ardhmen, janë të domosdoshme takimet bilaterale, multilaterale dhe globale që qartësojnë dhe lehtësojnë përparësitë për angazhimet e përbashkëta”, tha Z. Malaj, Ministër i Financeve dhe Ekonomisë në periudha të ndryshme nga 1997 deri më 2005 në Shqipëri.
Sipas tij, takimi i nivelit të lartë midis BE dhe Kinës është një hap i duhur në momentin e duhur që duhet te synojë te rrisë konkurencën në tregjet respektive dhe ato globale, që e ardhmja të bazohet në rritjet ekonomike të shëndetshme, të larta, të qëndrueshme dhe të drejta duke i ndarë më mirë përfitimet ekonomike me te varfërit dhe klasën e mesme. “Demokratizimi i vendeve dhe shoqërive duke rritur e garantuar të drejtat dhe liritë thelbësore do t’i bëjnë arritjet e synuara në këto marrëveshje të qëndrueshme dhe efektive. Dinjiteti ekonomik i garanton më mirë liritë demokratike dhe përfitimet ekonomike.”
Z. Malaj është i mendimit se rezultatet e takimit midis BE dhe Kinës janë premisa shpresëdhënëse për angazhimet, përgjegjësitë dhe përkushtimin e përbashkët të tyre si pjesë e integruar e qeverisjes globale. Këto marrëveshje duhet të zgjërohen dhe duhet të rrisin efektet e tyre pozitive duke eliminuar impulset jo pozitive për luftëra tregtare apo të monedhave. Ai ndërkohë është i mendimit se bashkëpunimi me SHBA dhe fuqitë e reja globale duhet të jetë përparësi kryesore në çdo fazë të bashkëpunimit për përballjen e suksesëshme me sfidat e ardhëshme, duke filluar nga përballja me COVID -19.
“Bashkëpunimi shkencor përballë pandemive qe prodhojnë panik, që rrisin paqartësitë dhe pasiguritë për të ardhmenn, që vrasin ekonominë dhe prodhojnë miliona viktima dhe të infektuar nga virusi por edhe nga papunësia, varfëria dhe thellimi i pabarazive nga rënie ekonomike dhe rritje e borxheve, nuk duhet të ketë asnjë pengese apo vonesë për asnjë arsye të paarsyeshme siç konstatohet në disa raste sot”, tha Profesor Malaj.
Si konkluzion mund të thuhet se hapësira dhe potenciali i pashfrytëzuar për bashkëpunim midis Kinës dhe BE-së janë shumë më të mëdha se sa ndryshimi në qëndrime për disa çështje, të cilat nuk mund të pengojnë një ndërveprim më të madh dhe efektiv midis tyre. E mundësitë për këtë bëhen më të dukshme e shpresëdhënëse po të kemi parasysh parashikimet se në vitin 2021 mund të mbahet një takim i udheheqësve BE-Kinë me pjesmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe Presidentit Xi, çka u njoftua nga vetë pala europiane. I pyetur nga ‘Global Times’ në konferencën e shtypit nëse mund ta konfirmonte këtë Zëdhënësi i MPJ, Wang Wenbin tha: “Që nga fillimi i këtij viti, Kina dhe BE kanë ruajtur ritmin e shkëmbimeve të ngushta të nivelit të lartë. Të dy palët janë në komunikime dhe bisedime mbi kohën, vendin dhe formën e shkëmbimeve dhe veprimtarive të rëndësishme në fazën tjetër”.