Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës, Z. Wang Yi ka ndërmarrë një vizitë në fund të muajit gusht 2020, në pesë vende europiane : Holandë, Norvegji, Itali, Francë dhe Gjermani. Kjo është vizita e parë e tij jashtë vendit që nga shkurti i vitit 2020, pas takimit urgjent në Laos mes vendeve aziatike me temë pandeminë Covid -19. Kjo vizitë, e cila vjen mbas takimit të mbajtur në video konferencë në 22 Qershor 2020 ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe udhëheqësve të vendeve europiane, si dhe takimit që do të mbahet muajin e ardhshëm, të organizuar nga Gjermania në Lajpcig, tregon rëndësinë që tregojnë të dy palët për avancimin e axhendës politike dhe ekonomike. Vizita e Ministrit të Jashtem Z. Wang Yi ka pasur si qëllim kryesor vazhdimin e luftës kundër Covid -19, mbështetjen e zhvillimit dhe promovimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Republikes Popullore të Kinës dhe Bashkimit Europian si dhe forcimin e paqes dhe zhviilimin botëror.
Në vizitën e tij, Ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës ka përzgjedhur tre zona gjeografike. Në Europën Veriore ka vizituar Holandën dhe Norvegjinë, rajon në të cilin është shënuar rritja më e lartë e investimeve kineze nga 26.2% në 52.7% në vitin 2019. Në Europën Jugore ka vizituar Italinë, si vend i parë me të cilin Republika Popullore e Kinës ka arritur një rritje te konsiderueshme të investimeve por dhe të bashkëpunimit me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit. Ndërsa në Europën Qendrore Republika Popullore e Kinës konsideron Francën dhe Gjermaninë, si dy vende lider me influencën më të madhe në Bashkimin Europian dhe partnere kryesore të investimeve. Republika Popullore e Kinës synon që të arrijë një nivel të lartë të investimeve në këto vende mbas një rënie të tyre të theksuar në 35% (përfshi dhe UK) në vitin 2019.
Ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës në takimet e tij ka vënë theksin në nevojën e rimëkëmbjes dhe stabilizimin e ekonomisë globale, mbajtjen e zinxhirit global të furnizimeve si përgjigje konkrete e ndërprerjeve nga pandemia Covid – 19, eksplorimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në ekonominë dixhitale dhe të gjelbër[1], përmirësimin e qeverisjes globale, stabilitetin si dhe zhvillimin e multilateralizmit. Një shembull pozitiv i bashkëpunimit me vendet europiane në vitin 2020, Republika Popullore e Kinës e ka treguar në rritjen e transportit të mallrave në rrugë hekurudhore dhe masat për parandalimin e pandemisë Covid -19. Ky transport ka treguar siguri dhe eficencë, duke krijuar një mundësi të re të bashkëpunimit në një kohë që dërgesat globale janë ndërprerë nga pandemia Covid – 19. Gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2020, transporti i mallrave në rrugë hekurudhore ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Europës është rritur në 36% dhe dërgesat cargo në 41%.
Përveç problematikave globale, Ministri i Jashtëm Z. Wang Yi ka pasur një axhendë specifike me secilin nga vendet europiane të vizituara. Në takimet zyrtare me Ministrin e Jashtëm të Italisë, është vlerësuar bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve si një model pozitiv i bashkëpunimit dhe për vendet e tjera europine. Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit në kuadrin e Iniciativës Një Brez – Një Rrugë, është konkretizuar me rritjen e ndjeshme të investimeve të Republikës Popullore të Kinës në Itali. Dërgimi i ekspertëve dhe ndihma në kuadrin e luftës ndaj Covid – 19, si dhe shkëmbimet e personelit në mënyrë të rregullt, është një tregues tjetër i rëndësishëm i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve.
Në takimet zyrtare me Ministrin e Jashtëm, Z. Stef Blok dhe Kryeministrin e Holandës, Z. Mark Rutte, është theksuar nevoja e mbështetjes së multilaterizmit si një mekanizëm për të mbrojtur vendet dhe veçanërisht ato të mesme dhe të vogla. Të dy vendet kanë përfituar nga marrëveshja e tregtisë së lirë të nënshkruar ndërmjet dy vendeve. Konkurrenca e lirë duke lënë tregjet që të luajnë rolin e tyre në shpërndarjen e burimeve si dhe një klimë e ndershme, e drejtë, e hapur dhe jo diskriminuese për kompanitë e biznesit janë konsideruar të rëndësishme në bashkëpunimin e Republikës Popullore të Kinës me vendet europiane.
Në takimet zyrtare me Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Znj. Ine Eriksen Soreide dhe Kryeministrin Znj. Erna Solberg, është vlerësuar rritja e investimeve si dhe forcimi i lidhjes ekonomike duke përfshirë dhe përfundimin e bisedimeve për një marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë. Konkluzionet e bisedimeve te marrëveshjes se tregtisë së lirë priten të ndikojnë në fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve. Ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës ka shprehur gatishmërinë që Kina të sigurojë eksportin e peshkut norvegjez përfshi dhe mundësi të tjera për konservimin e burimeve të qëndrueshme si dhe bashkëpunimin në fusha të tjera si sportet e dimrit. Kryeministri ka shprehur nevojën e forcimit të bashkëpunimit bilateral në fushën e kërkim zhvillimit të vaksinës Covid – 19 si dhe trajnimin e sportistëve të Republikës Popullore të Kinës në sportet e dimrit.
Franca dhe Gjermania, si dy vendet kryesore të Bashkimit Europian, gjykojnë të rëndësishëm bashkëpunimin me Republikën Popullore të Kinës për të arritur rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe përmirësimin e qeverisjes globale. Të dy vendet do të ndihmojnë në avancimin e negociatave për një Marrëveshje Investuese Gjithëpërfshirëse[2]. Presidenti Makron e ka konsideruar takimin si pjesë e dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve. Franca dhe Republika Popullore e Kinës do të kërkojnë rifillimin e shkëmbimeve bilaterale në të gjitha fushat në mënyrë të rregullt duke përfshirë forcimin dhe koordinimin e bashkëpunimit në kërkim dhe zhvillim të terapisë dhe vaksinës për parandalimin e Covid -19. Franca konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin strategjik në mbështetje të multilateralizmit, të shëndetit publik, të ndryshimeve klimaterike, biodiversitetit si dhe çështjet që lidhen me Afrikën për të implementuar Iniciativën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit në bisedimet me vendet e G20[3].
Në terma ekonomikë, Gjermania ka qenë partneri më i rëndësishëm tregtar ndërmjet vendeve anëtare europiane për më shumëe se 40 vjet. Bilanci tregtar i Republikës Popullore të Kinës me Gjermaninë llogaritet deri në 30% të volumit të shkëmbimeve tregtare të Republikës Popullore të Kinës me vendet e Bashkimit Europian. Për këtë arësye, takimi me Gjermaninë është konsideruar më i rëndësishmi nga takimet gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm. Kancelarja Merkel shpreson në rimëkëmbjen e vendit pjesërisht nga rritja e eksporteve drejt Kinës, si dhe e konsideron Republikën Popullore të Kinës si një partner natyral teknologjik për modernizimin e industrisë gjermane.
Negociatat ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkimit Europian kanë qëllim që të sigurojnë një ambjent të hapur, të ndershëm dhe transparent për investitorët në të dy anët dhe do t’i mundësojnë kompanive europiane të jenë partnere në zhvillimin e Republikës Popullore të Kinës dhe të ndajnë përfitimet e tyre. Presidenti i Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, ka theksuar se nuk është e mundur të shikohet bota e nesërme pa një bashkëpunim të fortë ndërmjet Bashkimit Europian dhe Republikës Popullore të Kinës.
Prof. Dr. Petraq Milo
[1] Shenzhen ështe nje realitet i ekonomisë se gjelber. Nga nje qytet me ndotje te moderuar aktualisht prezaton kondita te shkëlqyera te ajrit
[2] Marrëveshja Gjithëpërfshirese e Investimeve ndërmjet Bashkimit Europian dhe Republikës Popullore të Kinës synon krijimin e mundësive të reja për investitorët europianë duke hapur tregun e Kinës dhe eliminimin e kuadrit ligjor si dhe praktikave diskreminuese që i ndalon ato për të konkuruar si të barabartë me kompanitë kineze.
[3] Në Prill, Komiteti i Zhvillimit të Bankës Boterore dhe Ministrat e Financave të G20 miratuan Iniciativën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit (DSSI) në përgjigje të thirjes së Bankës Boterore dhe Fondit Monetar për të lejuar pezullimin e shërbimit të borxhit për të ndihmuar vendet e varfëra nga impakti i rendë i pandemisë Covid – 19.