Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi sapo mbaroi turneun e tij në Europë, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë në katër vende të Bashkimit Europian: Itali, Holandë, Francë e Gjermani, si edhe në Norvegji.

Kjo ishte vizita e parë e kryediplomatit kinez jashtë vendit që prej fillimit të krizës së COVID-19, krizë e cila e ka shtuar pasigurinë rreth perspektivave të bashkëpunimit mes vendeve e rajoneve të ndryshme. Dalja e Shteteve të Bashkuara nga OBSh-ja ishte ndoshta një politizim i panevojshëm i luftës kundër pandemisë, teksa dëshira e aktorëve të tjerë kryesorë të skenës ndërkombëtare është që bashkëpunimi shumëpalësh të mos cenohet.

Në këtë kuadër, zgjedhja e Europës si destinacion tregon qartë rëndësinë e veçantë që u kushton Kina marrëdhënieve me BE-në, siç u theksua edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës. Të dy palët kanë bashkëpunuar me sukses gjatë muajve të kaluar, kur kriza e pandemisë ishte në fazat më të vështira, pavarësisht nga shqetësimet e shprehura herë pas here, madje edhe në nivele të larta.

E vërteta është vizita u zhvillua në sfondin kur pala europiane ka pasur rezerva, në radhë të parë në lidhje me pandeminë, madje ndonjëherë duke parë me dyshim ndihmat kineze me mjete mbrojtëse e materiale të tjera mjekësore për vendet europiane. Por europianët kanë shprehur shqetësime edhe për aspekte të tjera, si p.sh. për rolin gjithnjë në rritje të gjigandit kinez të telekomunikacionit “Huawei” në tregjet e tyre. Sidomos Franca dhe Britania e Madhe kanë marrë një seri masash shtrënguese ndaj kësaj kompanie lidhur me rrjetin 5G të tyre. Shqetësime të tilla sigurisht do të ketë, aq më tepër mes partnerësh me sisteme të ndryshme qeverisjeje, por kjo s’është e thënë të pengojë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjelltë.

Mund të pohojmë pra se pjesa perëndimore është në këtë çast fokusi kryesor i politikës europiane të Kinës, dhe kjo është krejt e arsyeshme në kushtet e acarimit të vazhdueshëm, madje të përditshëm, të marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara. Me masat e njëpasnjëshme shtrënguese të administratës amerikane ndaj interesave të gjigandit lindor (si mbyllja e konsullatës në Hjuston) Pekini do të jetë detyrimisht i interesuar të theksojë nevojën për ulje të tensioneve dhe të rritjes së bashkëpunimit me partnerët europianë, qofte në nivelin dypalësh, apo me BE-në në tërësi.

Ky vështrim ndihmon të kuptohet më mirë secili prej tre objektivave të deklaruar (sipas zëdhënësit kinez) që pati vizita ministeriale në Europë.

Objektivi i parë ishte zbatimi praktik prej të dy palëve, Kinës dhe BE, “i konsensusit ndërmjet udhëheqësve kinezë dhe europianë, dhe shtyrja aktivisht përpara e programit madhor kino-europian në fushën politike dhe ekonomike”. Me këtë Kina vetëm se shprehte dëshirën për të pasur më shumë opsione diplomatike në portofolin e saj, një dëshirë sigurisht më se e arsyeshme në kushtet e përkeqësimit të lidhjeve me Washington-in.

Si objektiv i dytë u deklarua “thellimi i bashkëpunimit në betejën kundër virusit dhe ruajtja e qëndrueshmërisë së linjave globale industriale e të furnizimit, si edhe shqyrtimi i mundësive për bashkëpunim më të ngushtë në sektorët e rinj, si ekonomia digjitale dhe ekonomia e gjelbër.” Edhe këtu, në mënyrë të ngjashme, Kina nënvizonte vullnetin e saj për të gjetur hapësira të reja të avancimit të interesave të saj përkundrejt thirrjeve të vazhdueshme amerikane për “shkëputjen” e partneritetit ekonomik mes dy vendeve (për sqarim, kjo nënkupton partneritetin praktik ndërmjet dy superfuqive tregtare, jo ndonjë partneritet, apo duopol, formal).

Më në fund, objektivi i tretë ishte që Kina dhe BE-ja të “flasin bashkërisht në mbrojtje të rendit shumëpalësh e të rregullimit global, për kontribut të shtuar në fushën e paqes, qendrueshmërisë dhe zhvillimit në botë.” Ky objektiv dukej edhe më interesanti në përpjekjen për t’i përcaktuar Shtetet e Bashkuara si “shkelëse të rregullave” në marrëdhëniet ndërkombëtare, pra si faktor destabilizues.

E vërteta është se prej fillimeve të administratës Trump, ShBA-ja ka shprehur mjaft dyshime ndaj rendit shumëpalësh, apo multilateralizmit, ndaj aleatëve të tyre tradicionalë, si edhe ndaj aleancave në vetvete. Në këtë kontekst Kina është deklaruar vendosmërisht për ruajtjen e atyre rregullave e normave, prej ku edhe interesi i supozuar i Europës për rritjen e bashkëpunimit me Kinën.

Pikërisht në tonet e ruajtjes së rendit ekzistues u shpreh edhe ministri Wang në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Munich në muajin shkurt, para shpërthimit të pandemisë. Por kjo e fundit e ndërlikoi kuadrin e bashkëpunimit dhe shtoi kritikat europiane për aspektet që përmendëm më lart. Shprehje e kësaj ishte edhe mungesa e një deklarate të përbashkët pas takimit (virtual) të nivelit të lartë ndërmjet dy palëve në qershor. Në të njëjtën kohë dyshimet europiane u vunë re në komunikatën përkatëse për mediat: krerët më të lartë të grupimit Charles Michel e Ursula von der Leyden theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kinën, duke pranuar gjithashtu edhe shqetësimet serioze për gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe.

Vizita e ministrit të Jashtëm tregoi se Kina i kupton shqetësime të tilla dhe po përpiqet seriozisht që ato të kapërcehen sa më shpejt. Kësaj fryme i përmbahej edhe fjalimi në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris, ku Wang theksoi nevojën “për të forcuar bashkëpunimin në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave, medikamenteve dhe të reagentëve për analiza’’. Nga ana tjetër nuk duhen harruar as disa rezultate konkrete të bashkëpunimit në fjalë, si p.sh. marrëveshja strategjike midis kompanisë kineze “Fosun Pharma” dhe asaj gjermane “BioNTech”. Ajo parashikon ndërmjet të tjerash studime dhe testime të përbashkëta për vaksinat kundër virusit, si edhe shpërndarjen e disa milionë vaksinave të tilla në Hong-Kong dhe Makao, gjithmonë nëse provat e efektivitetit dalin me sukses. Kjo do të thotë se edhe aktorët privatë mund të luajnë rol të dorës së parë në kuadrin e përgjithshëm të bashkëpunimit kolektiv bazuar në mirëkuptimin e ndërsjelltë.

Ndërkaq, ndalesa në Oslo dhe takimi me kryeministren norvegjeze Erna Solberg ishte me rëndësi të veçantë, sepse vuri në dukje përpjekjet e shtuara të të dy palëve për arritjen e marrëveshjes së tregtisë së lirë, me shumë gjasa para fundit të vitit.

Por nga ana tjetër një marrëveshje që pritet të hasë shumë më tepër pengesa, të kërkojë bisedime të vështira e një sërë lëshimesh nga të dy palët para se të nënëshkruhet, është ajo për investimet ndërmjet Kinës dhe BE-së.

Në përgjithësi mund të themi se, meqë Kina dhe BE-ja kanë sisteme politike të ndryshme, çdo zhvillim në marrëdhëniet mes tyre do të shihet përmes optikash të ndryshme, siç u kuptua edhe nga konferencat e shtypit të ditëve të fundit. Mirëpo kjo s’duhet të vërë në dyshim vendosmërinë e tyre për përgjigje të bashkërenduara ndaj problemeve të botës së sotme. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas e konfirmoi pikërisht një vendosmëri të tillë kur deklaroi pas takimit me homologun kinez se shkëputja e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kinës nuk do të ishte aspak në interes të Brukselit.

Viti 2020 parashikohej të ishte një vit kyç për lidhjet Kinë-BE. Zhvillimet bazë pritej të ishin përparimet thelbësore në negociatat për marrëveshjen e lartpërmendur të investimeve, sidomos në takimin e shtatorit midis presidentit Xi Jinping dhe udhëheqësve të vendeve të Bashkimit. Ky takim do të mbahej në Gjermani, por tashmë është anuluar për shkak të COVID-19, duke e vështirësuar një arritje të shpejtë të kësaj marrëveshjeje.

Problemet në marrëdhëniet kino-europiane janë për mendimin tonë shprehje e pasigurive që karakterizojnë botën e sotme. Por nuk ka dyshim se përkushtimi i Kinës dhe Europës ndaj rendit shumëpalësh i shërben qëndrueshmërisë së sistemit ekzistues ndërkombëtar. Nga ana tjetër, një numër vendesh europiane, brenda e jashtë BE-së, nuk janë plotësisht dakord me këtë pikëpamje, duke u përpjekur të hartojnë politika të jashtme me njëfarë shkalle autonome. Mirëpo përsëri prirja e përgjithshme është multilateralizmi dhe ky ishte njëkohësisht edhe mesazhi më i rëndësishëm i vizitës së ministrit Wang.

Kjo vizitë mund të konsiderohet kësisoj një hap vendimtar i nevojshëm për kapërcimin e vështirësive që përmendëm. Dhe nëse synimi më i përgjithshëm ishte vënia në dukje e vullnetit të mirë të Kinës në marrëdhëniet me bllokun europian, lidhur kjo edhe me pozicionimin e këtij të fundit në kontekstin gjeopolitik, përkatësisht rivalitetin kino-amerikan, mund të themi se vizita e arriti atë synim me efektivitetin më të lartë të mundshëm.