Quiz: Cili shkrimtar shqiptar shkruante me pseudonimin Mitrush Kuteli?
1. Nonda Bulka
2. Dhimiter Pasko
3. Mithat Frasheri?
Mitrush Kuteli - foto Wikipedia
Pas pseudonimit kaq të njohur dhe të dashur për publikun, Mitrush Kuteli, fshihet emri i shkrimtarit Dhimitër Pasko. Dhimitër Pasko, lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe economist. U bë i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli, por ka shkruar edhe me emra të tjerë arti, si Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas.
Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më 1919 dhe po në këtë vit, në kalendarin “Pogradeci”, botoi vjershat e tij të para: “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu”. Më 1921 filloi Shkollën Tregtare Rumune në Selanik, ndërsa në vitin 1928, filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike në Bukuresht, ku njëkohësisht drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi rubrikën “Shënime Letrare”. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Doktor i shkencave ekonomike”.
Mitrush Kuteli me familjen ne nje shetitje me varke ne liqenin e Pogradecit - foto telegrafi.al
Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist. Në 1945 u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar dhe më vonë, derisa ndërroi jetë, punoi si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore “Naim Frashëri”.
Mitrush Kuteli është një prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.
Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja. Aktualisht shumica e shkrimeve dhe përkthimeve të Kutelit janë në qarkullim.
Ditari i nje ekonomisti- Foto Bukinist.al
“Tregime të Moçme Shqiptare”, është një libër që sot e kësaj dite tërheq vëmëndjen e lexuesit. Është ndër librat më të kërkuar në tregun e librit. Lexohet nga të gjitha moshat. Pavarësisht se kanë kaluar shumë dekada që kur u botuan për herë të parë. Në vitin 2017, “Tregime të moçme shqiptare” u botua bashkë me ilustrimet e Gazmend Lekës dhe me kopertinë të trashë. Vepra e Kutelit është botuar në tre vëllime me titullin "Prozë dhe Vargje të Zgjedhura". Ndërsa kritika e Kutelit është përfshirë te botimi “Shënime letrare”. Një nga përrallat më të bukura të Kutelit,”E madhe është gjëma e mëkatit” është botuar më vete. Për të vegjëlit në qarkullim gjenden edhe përrallat me ilustrime “Maçoku, gjeli e dhelpra”, “E bukura e dheut” dhe “Piktori i vogël që bënte mrekullira”. Ndonëse njihet më së shumti si shkrimtar, eksperienca e tij si ekonomist shpaloset te libri “Ditari i Ekonomistit”. Kuteli si përkthyes është gjithashtu i jashtëzakonshëm. Kryevepra e Gogolit “Frymë të Vdekura” erdhi në shqip falë Kutelit në vitin 1962. Dy vjet më herët, Kuteli pati sjellë në shqip “Tregimet e Peterburgut”, si dhe plot përkthime të tjera.
Kuteli - foto bukinist.al
Event i librit
Romani “Flama” i Tom Kukës, pseudonim i shkrimtarit dhe gazetarit Enkel Demi, ka fituar Çmimin Europian të Letërsisë për vitin 2021. Tani që pandemia është shuar në Tiranë, autori Enkel Demi ka një gjykim më të ftohtë mbi librin, i cili u shkrua me një frymë gjatë ditëve të izolimit nga pandemia, para dy vitesh.
“Libri im , pavarësisht se zhvillon ngjarjet një shekull përpara, evokon Tiranën e ditëve të sotme. Ky është një libër në fakt që ka një përngjashmëri të madhe me librat e shenjtë, por është një Thodomë që kam dashur të krijoj dhe sodomën e kam përshtatur me qytetin tonë. Aty ku jam lindur, jam rritur dhe ku vazhdoj të jem. Sigurisht që në romanin tim ka dritë, sepse edhe në Thodomën biblike drita vinte nga një njeri i zakonshëm dhe ishte pikërisht ky njeri që dilte mbi gjëmën e madhe”, komenton librin e tij autori.
Libri i vlerësuar me çmimin e rëndësishëm europian, në thelb është një libër që shpall optimizëm dhe këtë optimizëm, autori e sheh tek personazhet e tij, njerëzit e thjeshtë të këtij libri. “Unë shoh dritë, nëpërmjet njerëzve”, shprehet autori, sot.
Flama e Enkel Demit - foto 27.al
“Flama” është romani i katërt i autorit (Enkel Demi),pas “Hide mbi kalldrëm” (2017), “Gurët e vetmisë” (2018), “Ora e ligë” (2019), të gjitha të botuara nga Botime Pegi.
Në këtë novelë, autori rikthen personazhin e Di Himës, kryehetuesit të Tiranës te “Hide mbi kalldrëm”. Në një Tiranë “mbretërore” ku gëlon gjirizi, ndyrësia, zallamahia dhe ligësia, është ulur këmbëkryq Flama, një sëmundje e egër, mynxyrë e madhe, e cila po shkurton jetë e po shuan njerëzinë. Por ndërkaq, ndodh një krim në dukje thuajse i rëndomtë. Kurbatkës së Bregut të Lumit, që sheh filxhan dhe ua nxjerr në shesh të palarat njerëzve, i kanë prerë grykën me brisk. Di Himës i duhet të zbulojë vrasësin dhe motivet që e kanë shtyrë atë deri në këtë mizori. Di Hima kërkon të gjejë një vrasës, kurse qytetit po i merret fryma nga morti.
Interesante në këtë libër është mënyra se si përshkruhen shqiptarët e para një shekulli, duke u përpjekur të zbulojë arsyen e sjelljeve të shqiptarëve sot. Ngjan si një antropologji e rrëfyer në një tekst letrar, me gjuhë të latuar, mes një përzierje të këndshme të dialekteve gegë e toskë.
“Flama”, libri që i dha çmimin europian të letërsisë i ka grishur fort lexuesit, kryesisht për realizmin magjik që Tom Kuka sjell frymëzuar te Tirana e panjohur e para 1 shekulli. Aktualisht është një ndër titujt më të kërkuar në libraritë e Tiranës, gjë që e bën jo pak krenar autorin e librit.
Neritana Kraja