Nëse ecni rrugicave të Korçës, do të ndjeni shpirtin, zemrën, por do të dëgjoni edhe meloditë e këngët e grupit më karakteristik të Shqipërisë, atë që të gjithë e njohim si kori “Lira”, të kënduara nga të gjithë, të vjetër e të rinj. Grupi me një moshë mbi 100 vjeçare ka bërë histori e tij kalldrëmeve të këtij qyteti, poshtë dritareve dhe ballkoneve, me një kitarë, apo mandolin në dorë, duke i kënduar korçareve aq të bukura, bulevardit të Korçës ku vazjat shëtisin pa lejen e mamasë, dëborës që zbardh malet, kades me verë, dhe dhjetëra motiveve të tjera që frymëzonin jetën e tyre. Dhe pikërisht historinë romantike të grupit do ta tregojmë sot.

Kori Lira ne breza - foto Wikipedia

Kori Lira ne breza - foto Wikipedia

Kori “Lira”, me serenatat dhe këngët patriotike e ka radhitur Korçën në majë të vlerave të kulturës qytetare, Ato kanë hyrë në çdo zemër, ndërsa brezat janë ndërruar. Krijuesit e korit nuk jetojnë më, por pasues të tyre e kanë mbajtur në këmbë grupin simbol të qytetit. Me shumë se 200 këngë patriotike, lirike e satirike, të cilat, pavarësisht kohës kanë qëndruar e janë berë pjesë e rendësishme e kultures shqiptare. Historia e korit “Lira”, është historia e ca zotërinjve, që ne i sjellim në mendje me flokë të bardhë, por që dikur ishin djem të rinj e plot pasione për muzikën dhe qytetin e tyre. Pikërisht historinë e tyre do të tregojmë ne sot.

Korçarët e vjetër e mbajnë mend mirë datën e themelimit të korit “Lira”, njëlloj siç mbajnë mend ngritjen e flamurit. Kori “Lira”, ky emër kaq i vjetër, përmban në vetvete thesarin e këngëve të qytetit, duke u bërë simbol i vetëm i këngës qytetare.

Koncert i grupit Lira- Foto facebook (Kori Lira)

Koncert i grupit Lira- Foto facebook (Kori Lira)

Kori u formua në vitet 1917- 1922, si vazhdimësi e formacioneve orkestrale dhe grupeve të asaj kohe që lulëzonin në Korçën e traditës dhe të kulturës. Korçarët, djelm e vajza të rinj, e donin muzikën, por duhej një shkëndijë.

Dëshmitë tregojnë se faktor kryesor që i dha impuls lindjes së korit “Lira” ishte ardhja e bandës “Vatra” nga Amerika, me drejtuesin e saj zotin Thoma Nasi.

Asaj kohe, me impulset e bandës “Vatra”, u formua në Korçë shoqëria e Arteve të Bukura dhe midis degëve të shumta kjo shoqëri krijoi edhe grupin koral të. Në përbërëje kishte djelm dhe vajza të reja, të bashkuar mbi baza vullnetare, por me një seriozitet të jashtëzakonshëm pune dhe përqëndrimi.

Aktiviteti i korit “Lira” nuk është ndërprerë për asnjë çast. Gjatë gjithë jetës së tij janë të pallogaritshme shfaqjet e shumta që ky grup ka dhënë. Vlen të përmendim në ato vite të para, koncertin që ky grup ka dhënë për të ndihmuar poetin Lasgush Poradeci, i cili atë vit ishte shtruar në sanatoriumin e Gracit në Austri. Ky koncert u dha, më 28 shkurt të vitit 1929, ku kishte të ftuar edhe nga Tirana dhe midis të tjerëve edhe princeshat, motrat e Mbretit Zog.

Lira- foto youtube

Lira- foto youtube

Serenatat janë një trashëgimi dashurie dhe mirësie, që korcarëve jua lanë në trashëgimi gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Serenata, tekstet e të cilave dilnin nga zemra të dashuruara, rrugëve të Korçës.

Ishte meritë e korit “Lira” që të gjitha këto këngë i bëri pjesë të repertorit të vet, repertor që erdhi duke e pasuruar akoma e më tej. Por ishte edhe meritë e rinisë së Korcës, të tekst shkruesve të saj, duke filluar që nga Mihal Grameno, për të vazhduar me Thoma Nasin, Spiridon Ilo, Koli Rodhe, Mihal Ballkameni, që thurën vargje e derdhën nota, nota që lundruan fort deri në ditët e sotme, mes shpirtit e pasionit të këtyre burrave e grave e atyre që sot nuk janë midis nesh.

Vlen të theksohet se në ngritjen e emrit Lyra kanë ndikuar edhe koncertet e përbashkëta me artistët e mirënjohur si Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Jorgjica Filce, Gaqo Çako, si dhe pianistet e njohura, Lola Gjoka dhe Karmen Nako.

Historia e korit “Lira”, që nisi si historia e disa djelmve romantikë, por që vazhdoi si historia e artistëve të pasionuar, u mbajt gjallë për breza me radhë. Ato ua linin vendin njëri tjetrit. Nuk ishte e nevojshme të kishin një shkollë arti. U mjaftonte talenti dhe dëshira për serenatat korçare.

Kori Lira - foto Aktoret shqiptare

Kori Lira - foto Aktoret shqiptare

Vlen për të përmendur mbajtjen gjallë të këtij grupi, prej drejtuesit të pasionuar Kostaq Osmanlliu, i cili e drejtoi këtë grup në vitet 1945-1978. Kostaq Osmanlliu punoi dhe e pasuroi traditën edhe të serenatës korçare. Ai është një nga të parët që mblodhi këngët karakteristike.

Mbas tij, grupin “Lira” e drejtoi për një kohe të gjatë Jorgaq Nano. Kori në fillim u quajt, “Grupi i këngëve karakteristike” dhe më vonë, “Kori i pleqve”. Dhe vërtet, ata që kënduan më bukur serenatat, më me madhështi dhe më me fisnikëri ishin “Kori i pleqve”.

Shumica prej atyre njerëzve, djemve që krijuan edhe kënduan serenatat, tani prehen në varrezat e qytetit. Por shpirti i tyre nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë kurrë.

Serenatat janë një trashëgimi dashurie dhe mirësie që korçarët e vjetër jua lanë në trashëgim atyre të rinjve. Natyrisht që serenatat nuk mund të futen në muze. Por mbahen gjallë duke u kënduar brez pas brezi, ashtu siç bëni kori “Lira” në historinë e vet 100 vjeçare.

Neritana Kraja