"Qingming"-u ose Dita e Pastrimit të Varreve është një nga festat kryesore tradicionale kineze. Kjo ditë kremtohet çdo vit në fillim të prillit, sipas kalendarit hënor të Kinës. Në këtë ditë kinezët vizitojnë varret e paraardhësve si një shenjë adhurimi ndaj tyre. Krahas Kinës, edhe disa vende aziatike e kremtojnë këtë festë, si Vietnami, Koreja e Jugut, Malajzia, Singapori etj.

Një zakon tjetër në festën "Qingming" është edhe shëtitja në periferi për të shijuar pranverën. Ky ritual, i përcjellë që nga kohët e lashta, tregon dëshirën e kinezëve për arritjen e harmonisë ndërmjet natyrës dhe njeriut.

Në festën "Qingming" përfshihen edhe mjaft zakone për sa u përket ushqimeve. Për shembull, në disa krahina veriore të Kinës njerëzit preferojnë ushqimet e ftohta në këtë ditë, ndërsa në jug të Kinës, sidomos në krahinat në jug të rrjedhës së poshtme të lumit Jance, hahen “qingtuan”-ët (toptha orizi të ëmbël të gjelbër). Ky ushqim ka lindur që në dinastinë kineze Tang (vitet 618 – 907) dhe ka një histori mbi 1200-vjeçare. Për të bërë “qingtuan”-ë, bluhet së pari orizi, pastaj përzihet me lëngun e shtrydhur të barit të freskët, duke i dhënë një ngjyrë të gjelbër të fortë. Më pas brumi mbështillet me gjethe fasuleje me sheqer, duke u rrumbullakosur në toptha të vegjël. Ngrënia e “qingtuan”-ëve në festën "Qingming" do të thotë shijim i pranverës.

Krahas këtyre, me rastin e festës "Qingming" , në krahina të ndryshme kineze parapëlqehen edhe ushqime të tjera, si vezët, kekët etj. Të gjitha këto zakone shprehin përkujtimin prej kinezëve të paraardhësve të tyre, si dhe mirëseardhjen e pranverës. (Fani/Artan)