foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Më 4 shkurt 2022, në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, 44 fëmijë të veshur me rroba dhe këpucë të zbukuruara me kokën e tigrit, dolën në qendër të Stadiumit Kombëtar dhe kënduan “Himnin Olimpik” në gjuhën greke.

Këta fëmijë, të ardhur nga fshati Malan i Kinës Veriore, janë të moshave nga 5 deri në 12 vjeç. Vetëm katër muaj më parë, shumë prej tyre sapo ishin njohur me notat e pentagramit.

Zërat e ëmbël të fëmijëve që ngjanin me tingujt e natyrës, prekën të pranishmit në stadium, si dhe shikuesit përpara ekraneve në mbarë botën, përfshirë zonjën Deng Xiaolan, e cila nuk mundi t’i mbante dot lotët e mallëngjimit.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

“Fëmijët e fshatit Malan zbresin nga mali dhe shkojnë drejt botës!”. Në atë çast, ajo donte aq shumë ta ndante këtë lajm me prindërit e saj.

Fshati Malan, që ndodhet në brendësi të malit Taihang, është vendlindja e dytë e familjes së zonjës Deng.

Ajo ka lindur në një zonë malore pranë fshatit Malan në fillim të viteve ‘40 të shekullit të kaluar, gjatë Luftës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez. Nëna e Deng-ut, e cila iu përkushtua revolucionit, u detyrua ta linte foshnjën e saj në një familje të fshatit Malan për tre vjet.

Prindërit e zonjës Deng

Prindërit e zonjës Deng

I ati i zonjës Deng, që ishte kryeredaktori i një gazete të Partisë Komuniste të Kinës, qëndroi në Malan për të vazhduar botimin e gazetës dhe për të shkruar kundër armikut. Gjatë një sulmi të trupave japoneze, për të mbrojtur redaksinë e gazetës, 19 anëtarë të fshatit Malan u vranë, por asnjëri prej tyre nuk e tregoi vendndodhjen e fshehtë të gazetës.

Fëmijëria në zjarrin e luftës, përveç tronditjes dhe shqetësimeve të kohës, i brumosi zonjës Deng edhe respektin e mirënjohjen për fshatin që e kultivoi si njeri.

Shumë vjet më pas zonja Deng Xiaolan do ta vizitonte shpeshherë tokën që e kishte rritur. Ajo u përpoq të bënte gjithçka për nevojat e fshatit, si rregullimi i shkollës, rindërtimi i tualetit publik, ndihma për fëmijët e familjeve të varfra etj.

Në pranverën e vitit 2003, kur asokohe 60-vjeçare, Deng u kthye përsëri në fshatin Malan për të bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, zbuloi rastësisht se shumë pak fëmijë në këtë fshat mund të këndonin.

Druajtja e fëmijëve e preku thellësisht zemrën e saj: “Jeta pa muzikë do të jetë e zbehtë, prandaj pse të mos i ndihmoj ata duke i mësuar?” mendoi Deng.

Kështu gjyshja Deng nga Pekini u bë mësuesja e muzikës në shkollën fillore të fshatit Malan.

Deng Xiaolan në moshën e re/foto nga "thepaper.cn"

Deng Xiaolan në moshën e re/foto nga "thepaper.cn"

Qysh nga viti 2004 ajo udhëtoi 20 herë në vit nga Pekini për në fshatin Malan. Rruga është 600 kilometra vajtje-ardhje, çka do të thotë që gjatë 18 vjetëve ajo përshkoi plot 200 mijë kilometra, një largësi pesë herë më e madhe se perimetri i Tokës.

Falë përvojës së mësimit të veglave muzikore në shkollat e mesme dhe të larta, jeta e znj. Deng ishte “ushqyer” nga muzika. Pas diplomimit në universitet në vitin 1970, ajo nisi punën në një fabrikë ku organizoi grupin muzikor të punëtorëve, ndërsa pas daljes në pension, filloi t'u mësonte fëmijëve të fshatit malor muzikë. Ajo e mbushte dërrasën e zezë me nota muzikore, duke ua mësuar ato fëmijëve me durim një e nga një.

Deng Xiaolan e mësoi një vajzë në luajtjes së kitarës, më 19 qershor 2011/ VCG

Deng Xiaolan e mësoi një vajzë në luajtjes së kitarës, më 19 qershor 2011/ VCG

“Mësimi duhet të ketë vazhdueshmëri. Nëse sot i mësoj, por nesër largohem, nxënësit nuk do ta zotërojnë dot lëndën.”

Gjithnjë e më shumë fëmijë nisën të ndiqnin mësimet e muzikës, duke e detyruar mësuesen e moshuar të qëndrojë më shumë kohë në fshatin Malan dhe ta lërë vetëm bashkëshortin e saj në shtëpi në Pekin.

Në vitin 2006 u formua orkestrina “Malan”. Të drejtuar nga mësuesja Deng Xiaolan, fëmijët e fshatit Malan kanë dhënë shfaqje deri në Pekin, Shangai dhe qytete të tjera të mëdha kineze.

Në vitin 2013, 70-vjeçarja e atëhershme Deng Xiaolan organizoi Festivalin Muzikor të Fëmijëve “Malan”, i cili për katër edicione rresht tërhoqi për të marrë pjesë shumë muzikantë e orkestra fëmijësh.

“Çfarë aspirojnë më shumë fëmijët e fshatit malor? Botën e mrekullueshme përtej malit,” është shprehur Deng Xiaolan. Gjatë 18 vjetëve ëndrra e fëmijëve nga fshati malor, ishte motoja e jetës së saj. Mbi 200 nxënës që kishin ndjekur mësimet muzikore me zonjën Deng, vazhduan studimet në ciklin e lartë të shkollave të mesme apo në shkollat e larta. Mbi dhjetë prej tyre studiuan në degë artesh në universitet dhe pas diplomimit edukojnë brezin e ri nëpërmjet artit.


Deng Xiaolan e mësoi vajzën e fshatit Malan në luajtjen e violinës/ VCG

“Besoj se nga muzika e bukur njerëzit do të mendojnë për aspektin pozitiv të jetës. Fëmijët e rritur nën shoqërinë e muzikës, patjetër do ta trajtojnë jetën në mënyrë më optimiste dhe pozitive,” ka vënë në dukje Deng Xiaolan.

Shumë fëmijë e ndryshuan fatin e tyre nëpërmjet muzikës, por edhe vetë fshati i vogël Malan është lulëzuar në saje të kultivimit muzikor.

Në vitin 2019, Malan, me mbi 700 familje dhe dy mijë banorë, doli tërësisht nga varfëria, ndërsa muzika është bërë kartëvizita e tij .

Në hyrjen jugore të fshatit ndodhet “Lugina e Muzikës”, e financuar nga donatorë të ndryshëm pas përpjekjeve të Deng-ut. Në sfondin e malit të gjelbër dhe pranë lumit të kulluar, arena e rrumbullakët në ngjyrë gri, duket si një hënë e plotë në qiell, prandaj edhe Deng e emërtoi atë “Skena e Hënës”.

Projektuesi i “Luginës së Muzikës”, Liu Yang, tha me emocion: “Zonja Deng shpreson se edhe banorët e fshatit do të ngjiten në skenë për të dhënë shfaqje. Besoj se kjo skenë, që është harmonike me mjedisin përreth, do të tërheqë më shumë turistë dhe do të nxitë shtimin e të ardhurave të fshatarëve.”

Më 3 janar të këtij viti, para nisjes për në Pekin për të marrë pjesë në përgatitjet për ceremoninë e hapjes të Olimpiadës Dimërore, Deng Xiaolan i inkurajoi fëmijët: “Zërat tuaj duken si tingujt më të bukur të natyrës, të cilat mund të pasqyrojnë sinqeritetin dhe miqësinë e kombit kinez ndaj popujve të tjerë të botës. Mendoj se kjo frymë miqësi dhe pozitiviteti, janë pikërisht thelbi i shpirtit olimpik.”

Deng Xiaolan dha mësimin muzikor për fëmijët në fshatin Malanë, në maj 2011/ VCG

Më 18 mars, një ditë para se të pësonte një trombozë (mpiksje gjaku në tru), Deng Xiaolan kishte dhënë me të njëjtën gjallëri mësim për fëmijët. Mundësia që të gjithë fëmijët e fshatit Malan të këndonin “Himnin Olimpik“ ishte objektivi i saj për semestrin pranveror.

Në dërrasën e zezë të klasës së muzikës në shkollën fillore të Malan-it, ende qëndrojnë notat muzikore të “Himnit Olimpik”, të shkruara nga dora e Deng Xiaolan-it, edhe pse gjyshja nga Pekini tashmë është ndarë përgjithmonë nga fëmijët.

“Në mësimin e fundit ajo na mësoi atë këngë olimpike shumë të bukur,” thotë me lot në sy 11-vjeçarja Xi Qingru, e cila filloi të mësojë veglat muzikore me gjyshen Deng që nga mosha 7 vjeçe dhe tani mund të luajë kitarë dhe violinë.

Ndërsa Bai Zhenyuan, tjetër nxënës i gjyshes Deng, shprehet: “Mendoj se ajo është shndërruar në një yll në qiell dhe na shikon përgjithmonë prej andej ne fëmijët e fshatit Malan.” (Wang Lei)

Fëmijët e fshatit Malan përgatisën për programin muzikor/ Xinhua

Fëmijët e fshatit Malan përgatisën për programin muzikor/ Xinhua