Dinastia e Marubëve e fotografisë mbetet një nga memoriet më të forta të kujtesës, kulturës dhe trashëgimisë botërore. Por si formohej një imazh, si bëhej një shkrepje, si bëhej një foto? Janë pyetje që e kanë marrë një përgjigje. Marubët e kanë shtëpinë në Shkodër. Kjo shtëpi hapi dyert e saj për të shuar kureshtinë e publikut, të cilët mësuan më shumë për sekretet e dhomës së errët nga ku lindën fotografitë, që më pas u bënë të famshme. Janë objekte që shoqëruan punën e Marubëve gjatë viteve të punës së tyre. Objektet e ekspozuar janë pjesë e arkivit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe për herë të parë dolën në dritë bashkë me historinë e tyre. Në këtë ekspozitë vizitorët vihen përballë një raporti fizik-emocional, që i ktheu pas në kohë, 1 shekull më parë, atëherë kur nisi punën kjo studio.

Veglat e punës së Kel Marubit dhe pasardhësve të tij janë vendosur në një dhomë të errët, që sigurisht, nuk është ajo e një herë e një kohe, por improvizimi është bërë shumë afër të vërtetës. Ekspozita “Expose”, e çelur nën kujdesin e kuratores Orestia Kapidani, duket si një udhëtim në kohë në laboratorët e mjeshtërve të fotografisë. Përmes ekspozitës vizitorët u kthyen dekada pas në kohë, në dhomën e errët me nuancë të kuqe, duke u bërë, dëshmitarë të procesit të fotografisë. Ato njohën se cilat ishin etapat e krijimit te fotografisë së Marubëve – të cilat janë njëkohësisht vepra arti dhe dëshmi historike.

Drejtor i Muzeut Kombëtar Marubi, Luçiano Bedeni tregon se kur kishte përshkruar për herë të parë publikisht se në çfarë kushtesh të turpshme ndodheshin aparatet dhe veglat e punës së mjeshtërve Marubi, kishte marrë koston e linçimit dhe akuzave politike, por sot ndihej i shpërblyer që këto pajisje ishin në vendin që meritonin. Sipas tij, për këtë ekspozitë është dashur një kohë e gjatë që muzeu të përgatitej, për të vënë në funksion të gjithë aparatet dhe veglat e punës së Marubëve pas thuajse një shekulli. Laboratori i fotografisë, e thënë ndryshe ‘Dhomën e errët’, është një ndër mrekullitë e dinastisë Marubi, që përfshin aparatura të mirëmbajtura dhe të emancipuara për kohën, siç është përshembull, një makinë për tharjen e letrës fotografike ‘BAJRUT’ . Interesant është fakti që një pjesë e tyre tashmë janë funksionale, pasi është bërë një punë e madhe paraprake për ti vënë në punë. Makinave mbi 100 vjeçare u janë bërë shërbime rrënjësore, duke bërë zëvëndësimin e pjesëve jashtë funsionit, në mënyrë që Doma e errët të jetë tërësisht në punë, siç ka qenë në kohën e Marubëve.

Kuratorja Orestia Kapedani e cilëson ekspozitën si kulmin e karrierës se saj 18 vjeçare. Ajo e konsideron si një eksperiencë të papërshkrueshme punën me ato paisje që kanë kaluar në duart e Marubëve – me to janë larë fotografi, janë stampuar, printuar e tashmë përbejnë një nga kujtesat më të mëdha vizuale në Ballkan. Ekspozita e prezantuar buron nga eksponate të cilat 20 vite më parë qëndronin mes lagështirës, mykut, të shpërndara në një dhomë të zymët, të vendosura njëra mbi tjetrën, pa asnjë kriter konservues e ashtu të plurosura mundej vetëm të hamendësohej së çfarë pasurie gjëndej në to.

Dinastia e fotografisë së mjeshtërve të familjes Marubi mbetet një ndër memoriet më të forta të kujtesës kolektive, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Bashkë me aparaturat e kohës, solucionet, vaskat për larjen e fotove, kutitë e ruajtjes së negativëve, dhe kornizat, publikut iu prezantuan në ekspozitë edhe disa imazhe të Gegë Marubit dhe pasardhësve tij në momente pune brenda mjediseve të studios, aty ku u fiksuan personazhe dhe ngjarje të rëndësishme për kohën.

Kapedani theksoi se vlera e objekteve vinte nga trashëgimia e pasur që kishte lënë pas familja e fotografëve, por edhe nga ndjesia e intimitetit që ato mbartin. Në këtë ekspozitë, e cila ngjan me një atelier të kthyer në muze, krahas veglave dhe aparateve të punës ekspozohen fotografi të ruajtura në arkivat e vjetra të fotografëve, 8 fotografi që ekspozohen për herë të parë, imazhet e të cilave janë zbuluar gjatë inventarit të vitit 2013, ku kemi personazheve të njohura dhe të panjohura, fokusuar nga objektivi i Marubëve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në muajin Korrik ndërsa interesi për të në qytetin e Shkodrës për ta vizituar ka qënë i lartë.

Neritana Kraja