Përfundoi në Tiranë edicioni i 18 të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, që u zhvillua nga 28-30 mars. Sopranoja shqiptaro-gjermane Carolina Lopez Moreno u shpall fituese e çmimit të parë të këtij edicioni.

Juria vlerësoi me çmime 4 konkurrentë. Me çmimin e dytë u vlerësua baritoni Samueol Park, nga Koreja e Jugut, me çmimin e tretë sopranoja Yulia Merkudinova nga Ukraina, e cila fitoi edhe çmimin e këngës. Çmimi i parë ju dorëzua në skenë sopranos fituese nga kryetari i bashkisë së Tiranës.

Për këtë event, juria paraprakisht kishte bërë përzgjedhjen paraprake dhe në netët finale konkurruan 15 artistë. Netët ishin të ndërtuara në formën e spektaklit. Regjia i ishte besuar regjisorit Anatolli Solovianenko, që është gjithashtu regjisor dhe Drejtor i Përgjithshëm i skenës në Teatrit Nacional të Operas së Kievit – Ukrainë. I ikur nga lufta ai erdhi në Tiranë, duke pasur mundësinë për të bashkëpunuar me këtë festival. Ndëkohë që edhe dirigjenti i orkestrës, erdhi nga Anglia dhe bëhet fjalë pikërisht për të mirënjohurin Martin Andre. Festivali u transmetua nga Radio Televizionin Publik.

Prezantuese e festivalit ishte një emër i lidhur ngushtësisht me “Marie Krajën”: sopranoja e njohur shqiptare Enkeleda Kamani. Ajo ka triumfuar në këtë skenë në vitin 2015 dhe prej aty nisi një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare. Kësaj radhe, Kamanin e pamë të rikthehej në këtë skenë si prezantuese, por e pamë edhe të këndonte, duke treguar historinë e saj të suksesit dhe duke u bërë ndoshta një ogur i mirë për pjesëmarrësit në garë.

Në dy netë publiku i Tiranës përjetoi muzikë, emocione dhe një spektakël të vërtetë. Në dy mbrëmje, nuk mungoi as trupa e baletit, që këtë vit për herë të parë ngjiti në skenë shumë kërcimtarë të rinj. Këtij konkrurrimi iu shtuan edhe elementë të tjerë të spekltaklit, siç ishte një sfilatë e veçantë, e organizuar nga artistja Najada Hamza, e cila kishte përzgjedhur veshje nga veprat më të njohura të skenës së operës dhe baletit, të realizuar në 3D nga kostumografët e rinj, të sapodiplomuar në Fakultetin e Arteve të Bukura, si fashion designer. Në këtë mënyrë edhe studentëve që sapo kanë mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera, iu dha mundësia për t’u shfaqur, për të promovuar krijimet e tyre në fushën e artit dhe tregun e punës.

Por përveç misionit të tij kryesor, garës dhe promovimit të talenteve të reja, festivali “Marie Kraja” duhet konsideruar edhe si dy netë koncertore për t’u shijuar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Publiku i Tiranës, ka shijuar përgjatë dy mbrëmjeve muzikë të përzgjedhur nga repertori botëror Puccini, Gounod, Bellini, Mozart, Bizet, Verdi, Rossini, Donizetti, por edhe këngë lirike mjaft të njohura.

Në këtë festival ndërkombëtar operistik, 15 konkurrentë nga katër kontinente, konkurruan për të marrë çmimin që mban emrin e themelueses së operës shqiptare “Marie Kraja. Çdo konkurrent konkurronte me një arie, nga më të njohurat e repertorit botëror, si dhe një këngë lirike. Ata u gjykuan nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga drejtues të operave të mëdha evropiane, duke i dhënë pjesëmarrësve mundësinë që përveç garës dhe çmimit, të bëjnë hapa të vlefshëm në karrierën e tyre të ardhshme.

Në sajë të pjesëmarrjes së emrave të mëdhenj opertistikë botëror në juri, festivali “Marie Kraja” është bërë i kërkuar për artistët e rinj nga e gjithë bota.

Dikush fitoi një çmim, dikush një eksperiencë të parë, dikush një njohje dhe një mundësi tjetër, dikush një kartëvizite nga juria, që mund të shndërrohet në kartën e hyrjes në karrierë.

Ky festival është tashmë është bërë shumë i kërkuar, pasi yë gjithë konkurrentët përfitojnë mjaft nga ky event. Kjo, pasi dihet se për artistët shkëmbimi i shumë individualiteteve, stileve e shkollave është mënyra më e mirë që i mban në standartin e kërkuar dhe i bën Kompetitivë.

Si lindi dhe si u bë i sukseshëm "Marie Kraja"

Për hir të së vërtetës, në vitin 1999, kur për herë të parë u artikulua shprehja “festivali i vokalit operistik” nga Zana Çela tek e prezantoi “Marie Krajën” në skenë, pretendimi ishte, në mos modest, jo i atyre përmasave që do të merrte shumë shpejt. Atë herë të parë u zhvillua një festival kombëtar.

Atëherë, kur lindi ky festival, nuk mund të imagjinohej që ai do ta kthente Tiranën, kryeqytetin tonë në një stacion të rëndësishëm për artistët e rinj të lirikës operistike botërore dhe se skena e Tiranës, do të mblidhte çdo vit drejtorët e operave evropiane, të cilët vijnë jo vetëm për të gjykuar, por dhe për të gjetur yjet e rinj për teatrot e tyre. Në edicionin e tij të parë ishin vokalet e Mariana Lekës (fituesja e atij viti), Oriana Kurteshit, Sonila Baboçit, Shpresa Bekës dhe të tjerëve pjesëmarrës, që me zërat e tyre ngrohën mbrëmjet e akullta të janarit, në sallën ku i ftohti të hynte në palcë, duke e bërë publikun ta shijonte muzikën operistike.

Në mbi 20 vite rrugë, me pengesa të pafundme dhe pamundësi, festivali “Marie Kraja” jo vetëm mbijetoi, por ia doli të kthehej në një festival ndërkombëtar të muzikës operistike dhe ta shndërronte Tiranën në stacion të rëndësishëm kulturor.

Festivali u rrit, shëndetshëm madje, duke hyrë me dinjitet dhe me të drejta të barabarta në radhën e dhjetëra festivaleve simotra në të gjithë Europën. Konkurrentët nisën të “vraponin” nga teatrot e operave të të gjithë kontinenteve. Ishin zëra të fuqishëm. Por edhe juria që i gjykonte, ishte e përbërë nga emra të spikatur.

Tashmë nuk ka dyshime: “Marie Kraja” është muzika nëpërmjet të cilës mund të njihet Tirana. Festivali që iu shndërrua në simbol, iu bë shenjë dalluese qytetit që e lindi… qytetit, që sapo mbylli një tjetër edicion të sukseshëm të tij.

Në evokim të sukesit të këtij festivali, ishte vetë Kryeministri Edi Rama që ndau dje në mëngjes, foto nga shpallja e çmimeve të këtij Marie Krajës. “Mirëmëngjes dhe me atmosferën që Edicioni XVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, krijoi në Teatrin e Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit, ju uroj një të diel të paqme”, shkruante kryeministri Rama. Kujtojmë se rama ishte uguri i mirë i festivalit, që në edicionin e tij të parë, ku ndau çmimet e festivalit të cilin e mbështeti fort, me petkun e Ministrit të Kulturës së asaj kohe.

Neritana Kraja