Shtatë vite pas largimit nga detyra e kreut të shtetit, ish- presidenti Bamir Topi ka vendosur të vijë ndryshe para publikut me një botim sa autobiografik aq edhe politik. Ceremonia e prezantimit të librit u zhvillua në Sallën “Balsha” në hotelin “Tirana International”, ku në mbrëmjen e 17 marsit u mblodhën figura të politikës, kulturës, akademizmit, klerit, etj., në ceremoninë e përurimit të librit të ish-presidentit Bamir Topi.Mes miqsh e personalitetesh të njohura, promovimi i ngjante një oazi, ku copëzat e jetës dhe karrierës së Bamir Topit të rikthenin edhe një herë në kohët vjetra, e që për të ishin jo pak nostalgjike. Ish-kreu i shteti zbuloi pak nga çfarë libri i tij përmban në brendësi.

“Betejat e humbura të Tiranës” titullohet libri i cili flet për kryeqytetin shqiptar nga optika e një banori autokton. Në përkufizimin e vetë autorit, libri është e vërteta e tij për Tiranën, të cilën e ka parë dhe rrëfyer si qytet dhe kryeqytet. Gjatë fjalës së tij vetë ai u shpreh se procesi i të shkruarit të librit ka qenë i vështirë dhe se bazuar në eksperienca të tilla, ai ka sjellë të vërtetat e tij për Tiranën, në një botim për të cilin thotë së është përgatitur mirë, për t'i qëndruar besnik realitetit. Në këtë libër gjenden të shkruara ato që ai i quan “të vërtetat e tij” të para me sytë e tij.

Autori, ish-president i Republikës, është i njohur për lidhjen e fortë emocionale me kryeqytetin, vendlindjen e tij, por dhe për angazhimin politik në dekadat e tranzicionit shqiptar. Ndjeshmëri, qasje, këndvështrime dhe analiza janë elemente të strukturës së këtij libri me një nëntitull intrigues, “Doktrina politike e racizmit social mbi tiranasit në kryeqytetin e Shqipërisë”. Autori i librit, zoti Bamir Topi sugjeron kështu përmes titullit dhe nëntitullit trajtesa të guximshme dhe delikate në faqet e këtij botimi.

“Qysh në lindje të statusit kryeytet Tirana diti me shumë bujari t'i pranojë njerëzit, të krijojë marrëdhënie, t'i ftojë ata për tu bërë pjesë subbstanciale e qytetit", tha Topi.

Në fjalën e tij përshëndetëse për miqtë e ftuar zoti Topi, për kureshtarët shpjegoi edhe shtysën që pati për të nisur shkrimin e librit, një punë e gjatë dhe e bërë me dashuri:

“Tirana është një qytet kozmopolit se diti të pranojë njerëzit e t’i ftojë ata të bëhen pjesë e qytetit. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë rastësisht në pandemi po e shikoja qytetin nga shtëpia ime dhe më lindi një shkëndijë që më bëri të ulesha dhe libri eci jashtëzakonisht mirë pa qenë nevoja me iu thyer. Ishte Tirana që më dha komoditet për të shkruar”, u shpreh Topi.

Presidenti Bamir Topi me origjinë prej një familjeve më të vjetra të Tiranës kujton, studion dhe vëzhgon përmes këtij libri rrënjët e qytetarisë së vërtetë:

“Ktheva vështrimin te Tirana, komshinjtë, shoqëria. Këtu ka shokë të fëmijërisë, shokë të gjimnazit, fakultetit. Kam folur për të vërtetat e mia. Në këtë libër them të vërtetat e mia. Kur kam shkruar gjëja e parë ka qenë “kur të thuash të vërtetat përgatitu mirë”. Do të lexoni gjëra të vërteta që kanë parë sytë e mi. Nëse doni të shikoni se çfarë i ka bërë politika këtij qyteti shikoni dy rrugë: Rruga e Dibrës dhe e Barrikadave. Kjo nuk është vepër e vetëm një individi, çdo njeri kontribut për mirë e për keq.”

Për Topin, shpirti dhe vizioni demokratik i qytetarëve të Tiranës është nëpërkëmbur nga gjykimet dhe interesat personale. Për librin, folën edhe historiani Neritan Ceka, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, historiani Beqir Meta, të cilët e spikatën si një libër edhe me vlera historike.

Historiani Neritan Ceka, gjatë fjalës së tij, u shpreh se në këtë libër Bamiri ka dashur të tregojë Tiranën e të tjerëve dhe jo vetëm Tiranën e tij.

“E kujtojmë të gjithë që Tirana ka pasur një revolucion të gjatë. Libri që të mbush me emocion. Është një histori e përpjekjes për të kthyer Tiranën në një hierarki vlerash, duket se beteja janë të humbura, por brenda ka edhe disa beteja të fituara. Unë mendoj që atje ku përmendet Vace Zela, sportistët që ne i mbajmë mend, kemi vlerat e krijuara nga Ismail Kadare dhe vetë lindja e disidencës ku ne themi se Tirana nuk ka pasur, ju them të lexoni librin e Bamir Topit. Fakti është që disidenca gjithmonë ka qenë tek rinia…Diçka nuk mund të na e merrnin dhe ato janë kujtimet…”, tha Ceka.

Në libër gjenden qëndrimet e vlerësimet personale të Bamir Topit, për një sërë personalitetesh të njohura të politikës dhe shtetit shqiptar, duke nisur nga Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bujar Nishani, Ilir Meta, Aleksandër Meksi, Fatos Nano, Edi Rama, Pjetër Arbnori, Sabri Godo, etj.

Libri “Betejat e Humbura të Tiranës” është botuar nga Shtëpia Botuese Alsar dhe mund të gjendet në cdo librari.

Neritana Kraja