Secili prej nesh personin më të shtrenjtë dhe më të dashur, ka nënën. Ajo na dha jetën dha një fëmijëri të lumtur. Mirësia dhe kujdesi i saj na ngroh dhe në momente të trishtuara. Pa dyshim, të gjitha sekretet tona, ëndrrat më të thella i besojmë nënës sonë. Ajo është mikja jonë më e mirë, këshilluesja jonë e mençur. Nënat janë ëngjëjt tanë mbrojtës, të afta të bëjnë çdo sakrificë për fëmijë. Çdo gjë e shtrenjtë dhe e shenjtë, që është në tokë, është e lidhur me këtë grua. Në fakt 8 marsi është dita ndërkombëtare e gruas, e femrës, por që ne në përditshmërinë tonë, të lidhur kaq fort pas imazhit të nënës, e konsiderojmë si festën e saj. Shumë vepra arti janë frymëzuar nga nëna. Shkrimtarë, këngëtarë dhe kompozitorë, të gjithë e kanë bërë. Por gjithahstu, një tjetër figurë e rëndësishme në jetën e secilit është edhe ajo e mësuesit, të cilit ne shqiptarët i kemi kushtuar edhe një festë, 7 marsin. Sot në rubrikën tonë do të sjellim disa ndër krijimet më të mira në poezi dhe këngë kushtuar nënës dhe mësuesit, si dy figura shumë të dashura dhe të rëndësishme në jetën e secilit prej nesh. Poetët tanë kryesisht janë përqendruar te nënat dhe amësia në mënyra të ndryshme - duke shkruar për ata në fishkje të jetës së tyre, apo duke i kujtuar pasi kanë vdekur.

I tillë është poeti Frederik Rreshpja, padyshim, një ndër lirikët më të mirë shqiptarë, në poezitë kushtuar nënës së tij:

Ka filluar të plaket nëna

fytyra e saj po mbulohet me rrudha

po mbulohet me një pleqëri të bukur

që është kjo rrjetë e bukur, që hedh ka mbi nënën time.

dhe duart që më mbanin tani janë rënduar.

po s’ka gjë. Nga shpirti i saj

zgjaten duar të tjera, që më mbajnë pezull.

Ecën ngadalë nëpër dhomë.

Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj

por s’më ka pytur kurrë pse s’kam shkruar asgjë për të

Se nëna e di

Fjalën e parë në botë ia thashë asaj.

Dhe fjalën e fundit në botë do ia them asaj.

Tek kjo poezi e bukur e Rreshpjes, gjithkush gjen pak nga nëna e vet. Gjithkush gjen disa vargje që do të donte t’ia kushtonte nënës së tij.

U zvogëlua nëna dhe u tret e gjitha,

U bë si pulëbardhë e lehtë

Dhe një mëngjes pa zbardhur ende drita

Rënkoi e fluturoi mbi retë.

Andej u fsheh si ylli Aferdita

Dhe ne pastaj s'e pamë, pastë ndjesë!

Veç ndodh që valë e ëndrrave të trishta

E sjell në breg të shtratit tim si shpezë.

Edhe nga poeti Dritëro Agolli kemi disa poezi për nënën. Kjo që vjen tani është shkruar për nënën që nuk jeton më.

Tek e ëma s'vinte sa ish gjallë,

Mbase vinte, por besoj se rrallë.

Erdhi kur e shpuri në varreza

Sypërlotur, veshur me të zeza.

Ah, tek nëna s'vinte sa ish gjallë,

Dhe tani në varr i shkon çdo javë.

Një mëkat, që ndofta s'lahet kurrë,

Shkon e lan, ku nëna fle nën gurë...

E mënjëherë do të kalojmë tek poeti Azem Shkreli, i cili sjell këtë poezi për nënën:

Ato lahen në gazin

Tonë në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane

Te krojet e shterra të gjirit.

Në ballin tonë përherë

U bëjnë dritë shejte gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët.

Me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve

Na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin

Të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgë

Pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojnë. E sa herë vdes nënë

Vdes nënëmira ime.

Dhe tani kemi zgjedhur një poezi nga poetja Mimoza Ahmeti me një poezi të ndjerë për nënën:

Gjithmonë e më rallë të shoh,

gjithmonë e më tepër

çuditem

si dola nga barku yt dhe ti je ime bijë.

Sepse je e vogel, mama, e pafajshme

dhe lotët i ke të brishtë e të rinj.

……..

Dikur, e mban mënd, mama?

Në shtëpi këndoje,

ishe e re, e bukur

tani e kuptoj.

Perëndimi vdiste i lumtur për atë lloj kënge,

dhe syri yt i lumtur për ate lloj kënge,

dhe jeta ishte organike, mama:

luanin kalamajtë,

naivët që ti i rite me delir horizonti…

Ja ku i ke përballë, të rrahur me jetë e me sprovë,

fëlligeshtia i ka vrarë, por gjakun nuk ua ka sterpikur.

Janë të virgjër, mama, të përdalet e tu,

janë të virgjër,

lakuriq të pambrojtur, me gjithçka të fituar me

dhëmbë.

Mos i shaj, mama, se bën faj. Mos i truaj.

Të kanë dashur, mama, të kanë dashur.

I duaj. (Kurrë prindi nuk mund të

mbërrije dashurinë e fëmijes.)

Kthehu, ecë në vete, mama,

mos qaj më.

Janë të fundit vjetë të tutë, në

këtë fëmijëri të dytë

mund të ngrohë pak dielli,

po t’i terësh sytë.

Fshiji lotët, mama, jemi dërmuar,

të buzeqeshesh pak, kjo është bukë për ne.

O femija im i dëshpëruar,

mëkati më i madh i perëndisë mbi dhe.

Në rubrikën tonë nuk ka si mungon vargu i Kadaresë, të cilin e kemi sjellë me disa vargje kushtuar mësueseve. Në fakt figura e mësuesit është trajtuar në letërsi, si pjesë e tematikës së veprës, por jo duke fokusuar në plan të parë mësuesin. Ndër të rrallët që e bën këtë është Ismail Kadare me poezinë: “Mësueset e fshatit”. Në këtë poezi përshruhen me simpati, figura e mësueseve të një fshati, të cilat sakrifikojnë jetesën normale e të rehatshme të qytetit, me jetesën e vështirë në fshat, për të shpërndarë dije e dituri edhe atje.

Në udhëkryqet ndanë xhadeve,

ditët e shtuna dalin shpesh.

Dhe zgjatin dorën nga makina,

Herë dy nga dy, herë veç e veç.

Në morinë e krijime letrare, gjen pa fund personazhe që nuk kanë nevojë të interpretohen, ata nuk janë shmangie nga e zakonshmja, përkundrazi, bashkohen tek shpirti i sakrificës, që përbën një tipar të përbashkët të të gjitha nënave në botë. Ky tipar shihet në të gjithë krimitarinë e gjërë letrare, por edhe në fushën e muzikës. Këngë të tilla si “Kënga e nënës”, “E duam lumturinë”, “Kënga e gjyshes”, “”Një natë nëna”, etj, janë pasuri e kulturës sonë.

Neritana Kraja