Rosa e pjekur është ndoshta gjella më e famshme në Pekin, e cila ka një histori mbi 1500-vjeçare. Rosa e pjekur e Pekinit ka ngjyrë të kuqe, mish të butë dhe shije të pasur.

Rosa e pjekur e Pekinit në të vërtetë e ka prejardhjen nga Nankini. Në këtë qytet rosa përdoret gjerësisht në kuzhinë. Në vitin 1368 u themelua dinastia Ming, me kryeqytetin në Nankin. Sipas shënimeve, perandori i parë i dinastisë Ming, Zhu Yuanzhang, e pëlqente shumë mishin e rosës dhe hante rosë të pjekur çdo ditë. Më pas, djali i tij Zhu Di, perandori Yongle, e zhvendosi kryeqytetin nga Nankini në Pekin, e njëkohësisht solli në Pekin shumë mjeshtër të gatimit të rosës. Në vitin 1416 në Pekin u hap restoranti “Bianyifang”, restoranti i parë i rosës së pjekur në qytet. Sivjet “Bianyifang” do të ketë 606-vjetorin e hapjes.

Në vitin 1864 u çel në Pekin restoranti “Quanjude”. Me shijen e mirë dhe shërbimin e kujdesshëm, sot “Quanjude” është bërë marka e rosës së Pekinit dhe ka pritur udhëheqës të vendeve të ndryshme.

Gatimi i rosës së pjekur të Pekinit ndahet kryesisht në dy shkolla: rosa e pjekur në furrë mbi zjarr të bërë nga drutë dhe rosa e pjekur mbi zjarr qymyri pa flakë në furrë. “Quanjude” është përfaqësuese e rosës së pjekur mbi zjarr druri, kurse “Bianyifang” përdor mënyrën e pjekjes mbi zjarr qymyri pa flakë.

Rosa e pjekur e Pekinit nuk hahet drejtpërdrejt. Pas pjekjes, rosa e plotë vendoset në tavolinë, pastaj një kuzhinier i aftë përdor një thikë kuzhine për ta ndarë. Zakonisht një rosë e pjekur pritet në 108 copa. Pas prerjes, mishi i rosës vendoset në pjatë, klientët zgjedhin disa copa mishi dhe i zhytin në salcë, pastaj i vënë në një petë të hollë bashkë me copa qepe të njomë. Pas rrotullimit të petës, mund të hahet rosa e shijshme e Pekinit.

Kjo është mënyra më tradicionale e ngrënies së rosës së pjekur të Pekinit. Vitet e fundit kanë lindur edhe disa mënyra të reja, si për shembull ngrënia e rosës me sheqer, me kastravec të prerë etj.

Shijimi i rosës së pjekur të Pekinit, vizita në Murin e Madh, shëtitja nëpër hutong (rrugicë) etj. janë disa mënyra tipike të vizitës në Pekin. Besojmë se vizitorët mund të ndiejnë magjinë e këtij qyteti të lashtë nëpërmjet këtyre mënyrave. (Fani/Artan)