Dr. Luan R. Topçiu është kritik dhe studiues letrar, profesor universitar, perkthyes dhe diplomat.

I lindur në Pogradec, Luan Topçiu u lidh me artin që në studimet për skulpturë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë në vitet ’80, për të vijuar studimet universitare dhe pasuniversitare për gjuhësi shqipe-stilistikë. Vitet ’90 e gjejnë Luan Topçiun në Universitetin e Bukureshtit, ku studjoi teori letërsie dhe letërsi të krahasuar, për t’i përmbyllur me temën e doktoraturës “Ndjenja e mallit në letërsinë e lëvruar dhe popullore shqiptare dhe rumune” (1996-2000).

Dr. Luan Topçiu (media rumune)

Dr. Luan Topçiu (media rumune)

Në jetën e tij në Rumani prej mëse dy dekadash Luan Topçiu ka punuar si pedagog i jashtëm në Universitetin e Bukureshtit, (1997-2004), ka drejtuar gazeta si “Albanezul” (Shqiptari); „Shqipëria XXI“ (2002-2004); „Paradigma XXI“. Ai ka punuar si Profesor në Fakultetin e Filologjisë Tiranë. Në vitet 2005-2016 Luan Topçiu ka qenë minister këshilltar pranë Ambasadës së Shqipërisë në Rumani. Ai është kryeredaktor i revistës shkencore dhe kulturore "Albanica", Koordinator i Qendrës Kulturore Shqiptare në Bukuresht dhe profesor i ftuar i Universitetit të Bukureshtit. Luan Topçiu është antar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, Filiali Bukuresht. Ai është autor i “Antologjisë së poezisë shqipe” në rumanisht, i Fjalorit Shqip-Rumanisht si dhe i shumë studimeve dhe përkthimeve nga rumanishtja. Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis i ka akorduar titullin “Kalorës për Merita Kulturore”.

Luan Topçiu dhe presidenti i Rumanisë (Startnews)

Luan Topçiu dhe presidenti i Rumanisë (Startnews)

CMG: “Kalorës për Merita Kulturore” është një titull që iu është akorduar në janar të këtij viti nga Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis. Si arriti një shqiptar të bëhet kalorës i kulturës rumune ? Le të flasim për arritjet tuaja në kulturën rumune.

Dr. Luan Topçiu: Sigurisht është një dekorim për merita kulturore, që më nderon mua personalisht, punën time. Është një shkallë mirënjohjeje dhe vlerësimi për talentin letrar dhe për kontributin në kulturën dhe qytetërimin rumun, siç është dhe motivacioni i këtij dekorimi.

Unë në radhë të pare dua që ta ndaj këtë nder personal, që është një homazh për komunitetin shqiptar të Rumanisë sepse në gjirin e këtij komuniteti ka patur shkrimtarë, artiste, regjizorë, aktorë, këngëtarë me origjinë shqiptare, që kanë kontribuuar në kulturën rumune. Do të doja të theksoja rolin e akademikur Victor Eftimiu, dramaturg, poet, sonetist, drejtor i Teatrit Kombëtar të Rumanisë, Aleksandër Drenova, i njohur si Asdreni, një poet i rëndësishëm për kulturën shqiptare, autor i Himnit Kombëtar Shqiptar.

Ceremonia e dekorimit të Luan Topçiut në presidencën rumune (Startnews)

Ceremonia e dekorimit të Luan Topçiut në presidencën rumune (Startnews)

CMG: Që nga periudha e Rilindjes Kombëtare edhe shkëmbimet midis dy vendeve tona janë më së shumti të sferës së kulturës, gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Dr. Luan Topçiu: Shqiptarët kanë kontribuuar në shumë fusha të jetës në Rumani, por kultura në mënyrë të posaçme ka luajtur një rol të rëndësishëm. Mjafton të përmendim Kostandin Trakon, Vangjel Antoniun, Vasile Popescu, një piktor me origjinë shqiptare, Gjergj Bubani e të tjerë. Shumë prej librave të mi janë shkruar në rumanisht, shumë nga përkthimet e mia janë në rumanisht. Gjithashtu unë jam autori i librit “Historia e letërsisë shqiptare”, që nga zanafilla deri në ditët e sotme, një libër voluminoz prej 900 faqesh që është shkruar në gjuhën rumune, si dhe i “Antologjisë së poezisë shqipe”, i shkruar në gjuhën rumune. Janë dhjetra autorë dhe mbi 35 libra të përkthyer. Ndërkohë kam përkthyer në gjuhën shqipe autorë të rëndësishëm rumunë si Emil Cioran, Lucian Blaga, Cezar Ivanescu dhe autorë të tjerë që i bëj të njohur në revistën time.

Fakti i të ndodhurit midis dy kulturash merr rolin e urës së komunikimit dhe dialogut mes kulturash dhe kur themi kultura shqiptare nuk bëhet fjalë vetëm për shqiptarët që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe për shqiptarët e diasporës, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, si dhe shqiptarët në Itali, Greqi apo në ShBA.

Dekorimi i Luan Top莽iut (Start News) _______Revista Albanica (Bota sot)

Dekorimi i Luan Topçiut (Start News) _________ ___________Revista Albanica (Bota sot)

CMG: Drejtoni “Albanica”, revista kulturore-shkencore e Shoqatës Lidhja e Shqiptartëve të Rumanisë (ALAR). Ky është një kontribut në fushën e albanologjisë, ballkanologjisë dhe marrëdhënieve rumuno-shqiptare. Keni një prodhimtari të lartë krijuese, nëse u referohemi veprave që mbajnë autorësinë tuaj, fjalorë, studime, përkthime. Me çfarë po merreni aktualisht?

Dr. Luan Topçiu: Kemi aktivitete të rëndësishme në kuadër të Shoqatës dhe unë koordinoj Qendrën Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, si dhe nxjerr revistën shkencore-kulturore, organ i Shoqatës Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Është një revistë semestrale me rreth 250 faqe që merret me histori, letërsi, gjuhësi, antropologji, spiritualitet, sociologji, filozofi, muzikologji, arte dhe shumë të tjera. Kemi botuar 13 numra nga viti 2019 deri tani dhe janë mbi 3 mijë faqe që flasin për albanologjinë si dhe shkëmbimet kulturore shqiptaro-rumune dhe jo vetëm sepse si shqiptarët dhe rumunët nuk janë të izoluar në botë, por kanë kontakte me popuj dhe gjuhë të tjera, të cilat janë pjesë e kësaj reviste.

Dua të theksoj dhe ribotimin pas 100 e ca vjetësh të disa teksteve antologjike që janë marrë me albanologjinë të autorëve akademikë rumunë, që kanë studjuar shqipen, ballkanologjinë, veçanërisht të shkëmbimeve shqiptaro-rumune.

Veprat e Dr. Luan Topçiu (Gazeta Dielli)

Veprat e Dr. Luan Topçiu (Gazeta Dielli)

CMG: Revista “Albanica” gjendet dhe në variantin online ?

Dr. Luan Topçiu: Jo. Kjo revistë shpërndahet në të gjitha bibliotekat, në të gjitha vendet e Evropës dhe shpërndahet falas sepse botohet me mbështetjen e shtetit rumun. Ajo arrin të të gjitha bibliotekat universitare dhe ato të qarqeve të Rumanisë si dhe shkon te të gjithë albanologët dhe njerëzit e interesuar për albanologjinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-rumune, por arrin dhe në Gjermani, Austri dhe Zvicër e ShBA.

Intervistoi Eda Merepeza