Zona e Korçës ka një kulinari aq të pasur, saqë nuk do t`ju mjaftonte as një tur javor për të shijuar e njohur të gjitha gatimet e mrekullueshme që duhet thënë se nuk do t`i gjeni dot në asnjë zonë tjetër të Shqipërisë.

Korça e traditës, kulturës, por edhe e gastronomisë është qyteti që di të ruajë me fanatizëm recetat sa autentike aq dhe origjinale. Gatime që vetëm korçarët mund t’jua servirin më aq shumë shije. Ata ua dinë lezetin pjatave të tyre dhe në çdo cep të qytetit ju do të gjeni shijen e vërtetë Korçare. Shijen e vërtetë korçare mund ta takoni në çdo stinë, por sidomos në dimër. Në asnjë shtëpi korçare nuk ka humbur tradita e përgatitjes së zahireve, por ju mun t’i gjeni edhe nëpër tavernat e vogla dhe restorantet me pamje shtëpie rrugicave të Korçës.

Korca

Korca

Nëse Korçën e viziton në dimër, do provosh patjetër petkat, dromkat, dy llojet e trahanasë të thartin dhe të ëmblin, që asnjë zonë tjetër e Shqipërisë nuk i bën aq të mirë. Mos ikni na Korça pa i provuar. Fatmirësisht i gjeni lehtë. Mjafton të ndiqni turet e kulinarisë, të cilët ju ofrojnë shije të mrekullueshme.

Dhe natyrisht gjëja e parë që duhet të bëni është të ndaleni tek Pazari i Vjetër. E meqë supozojmë se është herët, fillojeni me një kafe apo çaj tek Cozy Tea & Spice House, një vend ku do të gjeni që nga çajrat bimore të zonës, e deri tek mëngjeset e traditës apo gatimet e sofisitikuara mëngjesore. Ajo që nuk duhet të lini pa vizituar në të gjithë Pazarin, është Hani i Pazarit, dikur vendi ku bujtnin karvanet e shumta tregtare e sot, një butik hotel i klasit të lartë. Hani i Pazarit nuk është vetëm një hotel klasi por edhe vend ku kuzhina korçare vjen në formë arti, e servirur në ambientet më të bukura që mund të keni parë ndonjëherë.

Pasi të bëni një shëtitje nëpër Pazar, për të admiruar arkitekturën e tij të mrekullueshme, duhet të ktheheni për një raki mani te Komiteti Kafe Muzeum. Më tej, mund të ndaloni për një ëmbëlsirë artizanale tek pastiçeri Dajana dhe për një kafe në cilindo bar të bulevardit kryesor. Për një drekë të shijshme mund të ndaloni tek Chris House për një fasule pllaqi në tavë balte, një gotë verë të mirë, sallatëra e turshi të veçanta e Mishra të pjekur siç vetëm korçarët dinë t`i bëjnë. Darkën duhet ta shijoni patjetër tek Vila Cofiel. Kjo vilë karakteristike korçare, nuk është thjesht një vend i bukur për të ngrënë darkë por nje tempull i gastronomisë ku gatimet e Korçës kanë kaluar në nivelin e veprave të artit. Por kujdes, duhet të prenotoni paraprakisht. Në listën tonë do gjeni gatimet tradicionale të cilat mund tí shijoni në turin tuaj gastronomik të Korçës.

Lakror (foto Mega News)

Lakror (foto Mega News)

Lakror me dy petë i pjekur në saç

Nëse shkon në Korçë dhe nuk provon lakrorin me dy petë atëherë nuk e keni marrë aromën e vërtetë korçare. Lakrori me dy petë nuk duhet të ngatërrohet me byrekun. Është pak i ngjashëm për mënyrën si gatuhet, por ka tjetër shije dhe ai i vërteti është vetëm nëse piqet në saç. Lakrori me dy peta të holla mund të përgatitet me qepë e domate, me hithra, spinaq si edhe me lakër turshi të bardhë që në Korçë e quajnë arme. Ai piqet në saç, sipas një tradite të moçme shqiptare, për t’i dhënë një shije edhe më të mirë. Padyshim që origjina e këtij lakrori vjen nga fshati, por që ka gjetur shumë përkrahje edhe në bujtinat e shumta. E nëse vizitonin fshatrat turistikë si Voskopojën, Dardhën apo edhe Boboshticën, ky është një ndër gatimet karakteristike të tyre. Shija e lakrorit jo vetëm ka tërhequr vëmendjen e shqiptarëve, por edhe të huajve, të cilët lënë mendjen pas tij.

kernacka (foto Agroweb)

kernacka (foto Agroweb)

Kërnackat

Kërnackat e Korçës, jo vetëm që janë po aq të vjetra sa dhe vetë qyteti, por janë dhe po aq të njohura sa ai. Të gatuara në zgarë me aromën e tyre, e pamundur t’i rezistosh tundimit që t’i provosh. Të trashëguara brez pasbrezi ato mbeten më të preferuarat nga të gjithë. Për të provuar kërnackat me nam të Korçës, do duhet të pyesni për vendet se ku i gatuajnë ende ato origjinalet, në zgarë me prush dhe që nuk ngatërrohen me qoftet dhe kanë një shije të papërsëritshme. Kërcankat kanë kuptim vetëm kur i shoqëron me kripë dhe qepë dhe patjetër me shishen e birrës.

Petanik (foto Podiumi)

Petanik (foto Podiumi)

Petanik me fasule

Ndër gatimet karakteristike të periudhës së dimrit është petaniku me fasule. Amvisat nikoqire korçare e përgatisinin me peta të bëra vetë që kanë pak mundim pasi duhet të lihen të thahen, por një metodë më e shpejt po aq e shijshme është edhe më peta të gatshme. Kjo është një recetë e cila nuk ka shumë përbërës, por që të ofron një shijë marramendëse. Petët e pjekura marrin aromën e tymit dhe kurse fasulet që i hidhen brenda mos i ngatërroni me gjellën e fasuleve me qepë e salcë. Janë vetëm të ziera dhe kanë shije shumë të mirë kur piqen në tavë, së bashku me petët dhe gjalpin.

Petulla te fshira (foto Podiumi)

Petulla te fshira (foto Podiumi)

Petulla të fshira

Si një gatim tradicional i zonës së juglindjes, petullat e fshira janë një recetë tipike e zonave rurale. Quhen të fshira se ndryshe nga petullat e zakonshme, këto përgatiten në tigan duke i “fshirë” me shumë pak gjalpë. Shumë të mira për t’u shijuar edhe shqeto, por lezetin e kanë kur shtrohen në tavë një nga një me djathë dhe hudhra dhe piqen në saç. Ju mund të keni provuar krepat dhe mbase s’keni kurreshtje për këtë gatim tradicional korçar, por mbase nuk e njihni shijen e petullave të fshira në tavë.Fantastike për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës dhe aq të shijshme sa për të lëpirë gishtat, sot Petullat e Fshira janë shndërruar në një nga gatimet më të kërkuara në restorantet tradicionale shqiptare.

Pllaqi

Pllaqi

Tavë me fasule pllaqi

Fasulet pllaqi janë lloji i fasules kokërrmadhe dhe zona e Korçës njihet për prodhimin e tyre. Tava me fasule pllaqi është një pjatë dimërore plot shije dhe është një ndër recetat që nuk ka shoqe. Një tavë aq e mirë, që kur piqet mbush gjithë lagjen me aromë dafine dhe rigoni. Tava e faquleve pllaqi është një nga pjatat shoqëruese më të mira, që kur vendoset në mes ta tavolinës, i konkurron të gjitha ç’ka rreth e rrotull.

Trishke

Trishka është një nga recetat e hershme të ëmblësirave korçare. Për shumë vite ka qenë një ndër recetat që përdorej më shpesh në gëzimet familjare. Trishka e ka marrë emrin nga tre përbërësit e saj, miellin gjalpin dhe sheqerin. Dhe për përgatitjen e saj këto tre përbërës duhet të kenë të njëjtën masë.

Pengjir

Pengjiri është një ëmbëlsirë tipike kolonjare, e cila përgatitej për festa familjare si fejesa apo dasma. Si një recetë autentike shqiptare ajo është trashëguar brez pas brezi në të gjitha zonat e Korçës. Pengjir në zonën e Korçës, i thonë sfungjerit, e jo më kot kjo recetë ka marrë këtë emërtim kaq origjinal pasi e thith menjëherë shërbetin.

Neritana Kraja