Regjisori i shquar, Dhimitër Anagnosti ka festuar 86-vjetorin e lindjes. Ditëlindja e Anagnostit, njërit prej regjisorëve më të sprovuar të kinemasë shqiptare, është një ngjarje e shënuar në kalendarin artistik, pasi është një ditë në të cilën ne kujtojmë të gjithë veprën dhe kontributin e tij.

Kur themi emrin e Dhimitër Anagnostit, është njëlloj sikur të kemi përmendur “gjeneralin” që kërkon eshtrat e ushtarëve të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, “Sulon jetim” që vritet mbi mur nga patrulla e huaj, “Mirin” e vogël” që ikën i revoltuar nga shtëpia pasi motra dashuron një djalë të panjohur, “Gjinon që pret të rriten fiqtë”, apo “Gjolekën, që sfidon babain patriarkal”. Ka kaq shumë histori, jetë, personazhe, karaktere të spikatur në krijimtarinë e Dhimitër Anagnostit, sa vetëm një artist i tillë, mundi të krijonte.

Në mozaikun e fimave të realizuar prej tij, titulli i secilit prej filmave, lidhet me më të mirat e prodhimtarisë së kinemasë shqiptare. Regjisori trup imët dhe i jashtëzakonshëm, gjatë gjithë viteve të tij të karrierës ka firmosur filma që i bëjnë nder regjisorit dhe kinemasë sonë. Titujt e tyre përbëjnë majat dhe ne ndihemi me fat dhe i themi faleminderit mjeshtërit në ditën e 86 të ditëlindjes së tij.

“Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Plagë të vjetra”, “Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gjoleka, i biri i Abazit”, janë titujt më të mirë të krijimtarisë së tij, filma që nuk kanë lënë e nuk lënë indiferent asnjërin prej nesh. Kemi jetuar me to, por edhe sot mund të shihen me shumë dëshirë, pavarësisht kontekstit të politizuar të disa prej tyre. Filma si “Plagë të vjetra”, “Në shtëpinë tonë”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, apo filmi “Gjoleka, i biri i Abazit”, janë filma që i rezistojnë çdo kohe.

Ne më shumë dimë për filmat e tij, sesa për jetën e tij. Ai i ka qëndruar larg intervistave. Ndërsa në jetën e përditshme ka preferuar të qëndrojë larg mediave, apo statuseve në rrjetet sociale. Gjithsesi ne dimë se ka filluar karrierën si operator shumë herët në “Kinostudion Shqipëria e re”, ku gjatë xhirimeve të filmit “Toka e jonë”, ka njohur bashkëshorten e ardhshme, aktoren Roza Xhuxha, e cila pas martese mori mbiemrin Anagnosti. Me Rozën e lidhin vite të arta të jetesës së përbashkët, të dashurisë, sakrificës, rritjes së dy vajzave dhe prodhimeve të filmave të njëpasnjëshëm.

Në një pjesë të filmave, rolet kryesore do t’ia besonte Rozës dhe nuk do të dilte aspak i zhgënjyer. Rozës, i beson rolin e doktoreshës Besa tek “Plagët e vjetra”, të plakës Nicë tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të mësueses tek “Në shtëpinë tonë”, e plot role të tjerë. Të dy sëbashku bëhen bashkëpunëtorë në disa prej krijimeve më të arrira kinematografike. Ndërkohë që ka bashkëpunuar me aktorë të mirënjohur si Rikard Lajrja, Robert Ndrenika, Guliem Radoja, Kadri Roshi, Reshat Arbana, Ndrekë Luca, Timo Flloko, Agim Qiriaqi, Pavlina Mani, etj.

Anagnosti është një regjisor shumë punëtor. Sipas rrëfimeve të kolegëve që kanë punuar me të, ai punonte me çdo detaj dhe nuk shkonte asnjëherë i papërgatitur në shesh xhirim, për t’ia lënë gjërat spontanitetit. Bashkëpunëtorët e tij shprehen me konsideratë për të duke treguar se çdo gjë duhej bërë siç ai e kishte parashikuar, pa mungesa dhe improvizime.

Çdo film i Anagnostit meriton vëmendje, por ne do të veçojmë dy prej filmave të tij të fundit:“Përrallë nga e kaluara”, një film i frymëzuar dhe mbështetur tek komedia e Çajupit “14 vjeç dhëndërr” dhe “Gjoleka, i biri i Abazit”. Ky i fundit mbyll krijimtarinë e autorit, i cili gjatë viteve të fundit nuk ka qenë prodhues. Ndoshta janë periudha ku rëndesa e moshës, ndikon edhe në ciklin e punës, por ne na pëlqen të mendojmë më të mirën, që regjisori është në një periudhë reflektimi, kohë e nevojshme për të mbledhur motivet e një filmi të ri.

Çdo fillim vere, Anagnosti shihet në shtëpinë e tij të lindjes, në Vunoin që e do aq shumë ku me Rozën shkojnë e verojnë. Kujtimet e fëmijërisë, shtëpia ku ka lindur dhe këngët e jugut, janë muza më e mirë që e mbushin shpirtin e artistit plot. Të dy filmat e tij të fundit, që i cituam pak më sipër, janë realizuar pikërisht në këtë territor. Personazhet e fshatrave të Bregut, burra të fortë e të sertë, gra punëtore me shamitë e lidhura në kokë, janë personazhe të pikturuara nga kujtesa e tij e fëmijërisë dhe të stampuara në metrat e filmave të tij.

Para pak ditësh Anagnosti mbushi 86 vjet. Një ditëlindje që duhet uruar, pasi regjisori i filmave të dashur për ne, mbushet me falenderime për punën e tij. Shumë urime mori Anagnosti për ditëlindje edhe këtë vit. Urimeve u shtohen edhe urimet e ministers Elva Margariti, e cila e falënderoi atë për guximin që pati të ishte i vërtetë edhe në kohërat më të vështira. Margariti në fjalët e saj të urimit theksoi se Anagnosti e ngriti artin e kinemasë në nivele sipërore, duke shënjuar përgjithmonë kinematografinë shqiptare. Ne të gjithë i jemi mirënjohës veprës së tij.

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno, më 23 janar 1936 dhe është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” e më pas me filmin “Toka jonë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me shumë titull, ku spikat çmimi “Artist i Popullit”, 1987. Ndërkohë në vitin 2021, në 85-vjetorin e tij të lindjes, Anagnosti u dekorua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.