Nëse flasim për përfaqësimin e letërsisë shqiptare në krijimtarinë botërore, emri i parë që i shkon në mendje gjithkujt është pa dyshim Ismail Kadare - shkrimtari më i njohur shqiptar, veprat e të cilit janë përkthyer dhe botuar në shumë vende të botës dhe kandidat i përhershëm i çmimeve më të njohura letrare. Po nuk është i vetmi, bashkë me të janë edhe Dritëro Agolli dhe Fatos Kongoli. Në rubrikën tonë sot do të flasim shkurtimisht për tre shkrimtarët në fjalë.

Ismail Kadare

Ismail Kadare është shkrimtari më i vlerësuar i të gjitha kohërave, në lëtërsinë shqipe dhe ka marrë disa vlerësime, veçanërisht në Francë, ku është dekoruar me disa çmime. Mund të përmendim anëtarësimin e tij në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Gjithashtu nderimi nga presidenti francez me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit” e shumë çmime të rëndësishme si “Prince of Asturias Awards” dhe “Man Booker International”.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, pas studimeve të larta në Tiranë, studioi edhe në "Maksim Gorki". Rrugën e krijimtarisë e ka nisur me poezinë, por ndërkombëtarisht është bërë i njohur me prozën.

Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, e pas tij erdhën romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Emblema e dikurshme”, “Ura me tri harqe” dhe “Gjakftohtësia”. Libri i parë që e bëri të njohur jashtë është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e pas këtij libri nisi njohja në botë.

Sipas të dhënave, Shkrimtari, Ismail Kadare është ndër të vetmit autorë, librat e të cilit janë përkther në 50 gjuhë të botës. Kadare numëron rreth 1301 botime dhe është një shkrimtar i njohur ndërkombëtarisht.

Dritëro Agolli

Dritëro Agolli, është një tjetër emër i madh në letërsinë shqipe. Pas Kadaresë ai është shkrimtari i dytë më i përkthyer nga shqipja. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Devoll të Korçës dhe vazhdoi studimet e larta për letërsi në Petërburg. Dritëro Agolli është autor i një krijimitarie mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Ndërsa në prozë dallohet për strukturën narrative dhe galerinë e personazheve të veta. Ka shkruar disa vëllime me poezi dhe romane. Ndër këta të fundit mund të përmendim romanin "Komisari Memo", "Njeriu me top", “Trëndafili në gotë”, etj. Por kulmin e arriti me romanin satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo.

Fatos Kongoli

Eshtë një shkrimtar mjaft i dashur, që ka dhënë dhe jep kontributet e tij në prozën shqiptare. Është një autor që solli një frymëmarrje të re në letërsinë e viteve ’80, ndërkohë që vazhdon të publikojë sot e kësaj dite. Fatos Kongoli ka lindur në Elbasan në vitin 1944, ka studiuar për matematikë dhe gjithë jetën e ka ndarë mes matematikës duke dhënë mësim në gjimnaz në Tiranë dhe krimijtarisë artistike. Ndër veprat e Kongolit permendim “I humburi”, “Jetë në kuti shkrepseje”.

Vepra e Kongolit është përkthyer dhe lexohet në disa gjuhë, duke e shndërruar emrin e Kongolit në njërin nga shkrimtarët më të njohur si përfaqësues i letrave shqipe në botë. Librat e Kongolit kanë pasur jehonë edhe në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si: “Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Le Temps”, “Le Soir”, “L’Express”, “Magazine Littéraire”, “Der Tagesspiegel”, “The Guardian”, “The Indipendent”, “El Publico” etj.

Kongoli është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 2010 është nderuar nga Presidenti i Francës me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2012 është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë.

Neritana Kraja