Në kanalin e njohur televiziv “AvroTros” nisi transmetimin edicioni i 22-të i spektaklit “Wie is de mol”, i cili është xhiruar në vendin tonë. Episodi i parë u zhvillua në kalanë e Rozafës, në Shkodër dhe u ndoq nga mijëra shikues. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti vlerësoi rëndësinë e këtij spektakli me publikimin e pamjeve nga Shqipëria. “Një publicitet i shkëlqyer i Shqipërisë”, shprehet ajo.

Shqipëria u përzgjodh si destinacion për xhirimet e 12 serive të sezonit 22 për vitin 2022 të emisionit televiziv më të shikuar në Holandë, (Cili është i infiltruari?). Në emisionin me audiencë prej mbi 4 milionë shikuesish, 11 konkurrentë, personazhe VIP holandezë erdhën në Shqipëri dhe xhiruan lojërat me sfida dhe aventura, në vendet më të bukura dhe mbresëlënëse të Shqipërisë.

Gjatë këtij programi publiku holandez do të ndjekë më kërshëri se si konkurrentët VIP-a holandezë do të skualifikohen një nga një gjatë aventurave në vendet më mahnitëse të Shqipërisë. 11 yjet holandeze, të cilët xhiruan seritë në Shqipëri, janë artistë të njohur, prezantues televizivë, aktorë, krijues, gazetarë, shkrimtarë, këngëtarë. Ata do të zbulojnë në çdo seri, me aventurat e tyre drithëruese, destinacione spektakolare të Shqipërisë duke i bërë një promocion mjaft vendit tonë.

llyricum Sacrum, vepra me rëndësi të jashtëzakonshme për trojet shqiptare

llyricum Sacrum, një vepër e papërsëritshme e historiografisë botërore, me rëndësi të jashtëzakonshme për trojet shqiptare, është pjesë e fondit të bibliotekës së Qendrës për Hapje dhe Dialog.

Korpusi Illyricum Sacrum është vepra më e plotë dokumentare e shkruar ndonjëherë për historinë e territoreve të Ilirisë së dikurshme të Justinianit, pasi përfshin dokumente nga një periudhë e gjatë kohore, përkatësisht që nga antikiteti deri në shekullin e 18-të.

Në këto dokumente gjenden të dhëna jo vetëm për vendndodhjen, historinë dhe kulturën e qyteteve dhe qendrave të ndryshme të qytetëruara , ekzistuese apo të zhdukura me kalimin e kohës, por edhe për personalitete të ndryshme që janë pak apo aspak të njohura gjetiu.

Illyricum Sacrum erdhi në dritë si rezultat i punës së gjatë e gjithëpërfshirëse prej 125 vjetësh të tre studiuesve, që u përkisnin tri gjenerata të ndryshme, dhe ndihmësve e kolegëve të tyre: at Filip Riçeputit, at Daniel Farlatit dhe at Jakob Koletit.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit me audioguidë

Muzeu Arkeologjik i Durrësit i shtohet muzeve që ofrojnë shërbimin e audioguidave. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se tashmë vizitorët mund të shijojnë jo vetëm objektet arkeologjike që kanë udhëtuar përmes shekujve, por edhe historinë e tyre. “Audioguida përbëhet nga 44 qëndrime, me një kohëzgjatje prej 35 minutash, si një ftesë e bukur për të gjithë vizitorët”, tha Margariti. Audioguida në Muzeun Arkeologjik të Durrësit ofrohet në 2 gjuhë. Sistemi i audioguidave po aplikohet po ashtu edhe në muzetë e tjerë, sitet turistike dhe kulturore, duke pasuruar eksperiencën e vizitorëve të tyre.

Kulla Veneciane në Durrës do të kthehet në pikë informacioni turistik

Torra Veneciane, një nga simbolet e Durrësit, jo vetëm do të restaurohet përmes programit “EU4Culture”, por edhe do të kthehet në pikë informacioni turistik, bëri të ditur sot delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë. Kulla Veneciane është një nga ndërtimet më interesante mbrojtëse të Durrësit. Është ndërtuar në shekullin XV mbi kullën bizantine dhe kjo ndërtesë ka qenë pjesë e mureve që rrethonin qytetin e Durrësit. Kulla ka potencial të pashfrytëzuar si qendër turistike dhe e informacionit interaktiv historik, rivitalizimi i së cilës, përmes programit “EU4 Culture”, do t’i nxisë vizitorët të eksplorojnë më tej sitet e shumta unike të trashëgimisë në të gjithë Durrësin, një nga vendbanimet më të lashta të Ballkanit.

'Grupi 86', 12 artistë modernë rrëfehen në Galerinë e Tiranës

Galeria e re e artit të Tiranës në Rrugën e Kavajës është kthyer në një rezidencë mikpritëse për veprat e 12 artistëve bashkëkohorë, të njohur si “Grupi 86”, të cilët kanë çelur sëbashku ekspozitën e parë “Muri”, ku përfshihen të gjitha zhanret, pikturë, skulpturë, instalacion dhe vepra satirike.

Artistët pjesmarrës në këtë ekspozitë janë Adrian Devolli, Arben Meksi, Leon Çika, Luan Boriçi, Mira Kuçuku, Agron Polovina, Fatmir Tufina, Fatmir Minga, Violeta Kongo, Llambrini Dena, Mariana Goxhabelliu. Ftesa e drejtorit të Galerisë së Tiranës Abaz Hado për të gjithë artistët i kapërcen kufijtë e një ekspozite. Kësaj ekspozite i bashkëngjiten veprat e dy artistëve të mirënjohur të ndarë nga jeta; piktori Mustafa Arapi e skulptori Arben Bajo. Artistët janë të emocionuar që Galeria e Tiranës u lë hapësirë për prezantimin e krijimtarisë, janë të emocionuar që kjo galeri u dha mundësinë të pëballen dhe të diskutojnë me njëri- tjetrin veprat e artit. Me krijimtarinë e 12 artistëve, piktorë, qeramistë, grafistë, muri bëhet simboli, që shpjegon më së mirë se çdo gjë tjetër, njeriun. Kuratori Rudi Erabara shprehet se jeta e njeriut është e lidhur me murin si lëkura pas mishit. Muri është vendi ku njeriu vari etalonet me një gozhdë. Në faqen e murit njeriu ka mbërthyer edhe shpresën për të arritur të jetë i pavdekshëm.

Përgatiti: N.Kraja