Ministria e Kulturës edhe këtë vit hap thirrjen për mbështetjen financiare të projekteve që kanë për qëllim promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se Ministria e Kulturës do të mbështesë të gjithë profesionistët dhe të rinjtë e talentuar.

Ministria e Kulturës do të mbështesë projektet për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore përmes teknologjisë digjitale, promovimin e programit Art&Zeje; promovimin e artit dhe kulturës përmes aktiviteteve dhe promovimin e industrive kreative.

Ministrja Margariti thekson se “ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë të gjithë ata profesionistë dhe të rinj të talentuar që dinë të bëjnë bashkë gjuhën e teknologjisë me trashëgiminë kultrore; që qasin artin dhe kulturën te publiku; përçojnë dijebërje te brezi i ri e mbajnë gjallë jetën artistike në Shqipëri”.

Afati i dorëzimit të projekteve është deri në 17 janar 2022.

Ndahen çmimet kombëtare në letërsi

Është mbajtur në Tiranë ndarja e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2020. Në një përbërje të jurisë nga Mehmet Kraja, Elda Gjana, Ardian Ndreca, Ylljet Aliçka dhe Shezai Rrokaj, janë përzgjedhur librat më të mirë në pesë kategori.

Flutura Açka nëpërmjet reflektimit të saj shumë të thellë dhe personal në romanin “Biri” është fituesja e prozës më të mirë në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, për vitin 2020. Çmimin për librin më të mirë studimor e fitoi Artan Fuga me librin “Origjinat”. Libri më i mirë për fëmijë u shpall “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve” të autores Persida Asllani. Vëllimi më i mirë poetik u shpall “Prilli i thyer” i Bardhyl Londos. Për herë të parë këtë vit u shtua dhe një çmim i ri honorific, që u quajt “Muza” dhe që i shkoi poetit Petrit Ruka.

“Coriolanus” e Shekspirit shfaqet në Teatrin Kombëtar

“Coriolanus” e shkruar nga Shekspiri, një produksion madhështor, me regji të Altin Bashës, me interpretimin e 80 aktorëve, u shfaq premierë në tre netë në ArtTurbina. Vepra vjen e përkthyer nga Alqi Kristo ndërkohë që konsideohet si një nga tragjeditë më të vështira të Shekspirit për t’u inskenuar, nga numri i madh i personazheve dhe skenave masive.

“Coriolanus” është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut (“Jetë paralele”). Asgjë thelbësore nuk është ndryshuar, por gjenialiteti qëndron tek fakti se përtej historisë, Shekspiri ngre një monument arti me dialogjet, personazhet dhe çështjet që shënjestrohen në këtë tragjedi. Interpetojnë Luzia Xhuvani, Hervin Çuli, Gazmend Gjoka, Helidon Fino, Genci Fuga, Elia Zaharia, Besmir Bitraku, etj. Shfaqja do të rivihet nëë skenë edhe në ditëët e para të janarit.

Aktori i madh i humorit, Luftar Paja feston 80-vjetorin

Aktori i mirënjohur Luftar Paja u gjend mes miqve, artistëve dhe artdashësve në 80-vjetorin e tij të lindjes. Si një ndër themeluesit e Teatrit Bylis, Luftar Paja sërish përjetoi emocione të veçantë të skenës.

Në sallën e mbushur plot të teatrit, nuk mungoi as interpretimi i vetë aktorit Paja, që transmetoi mjaft nostalgji për artdashësit. Artisti u dekorua edhe me çmimin “Qytetar Nderi” i vendlindjes së tij, Mallakastrës.

Teatri Bylis në Fier në këtë 50 vjetor të krijimit të tij vjen më një imazh të ri pas rikonstruksionit të bërë nga pushteti vendor.

“Mjeshtër i Madh” për këngëtarin David Tukiçi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin dhe dirigjentin shqiptar David Tukiçi, me motivacionin: “Në vlerësim të meritave dhe kontributeve të vyera si këngëtar, muzikant dhe dirigjent orkestre, i cili ka krijuar me cilësi të lartë shumë vepra artistike, duke u vlerësuar si në vendin tonë, ashtu edhe në skenat ndërkombëtare. Me mirënjohje për veprimtarinë e tij artistike si një nga kompozitorët e rrallë të muzikës klasike dhe asaj të bazuar në motivet tradicionale shqiptare.”

Karriera artistike e Davidi nisi në moshën 4-vjeçare, kur u ngjit në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e “Pinkertonit” të vogël tek “Madame Butterfly”, përkrah babait të tij. Vetëm 14 vjeç, Davidi bëhet protagonist dhe i famshëm, si këngëtari i parë i vogël, që fitoi çmimin e parë në festivalin e 8-të të Këngës në Radio-Televizion, në një festival për të rritur.

Në fakt, David Tukiçi, mbahet mend për këngën hit “Dhuratë për ditëlindje” ose, siç e njohim të gjithë, “Globi rrotullohet”. Gjatë viteve të karrierës, ai iu përkushtua kompozimit dhe u diplomua në Paris. Eshtë autor dy operave, ndërkohë që vazhdon punën në Radio Tirana si redaktor muzike në Radio Klasik.

Shpallen fituesit e konkursit “Novelat grafike shqiptare”

Florian Bregu, David Kryemadhi, Ilir Topi janë fituesit e çmimit të parë të Konkursit “Novelat Grafike Shqiptare”. Ata u zgjodhën mes 25 pjesëmarrësish nga e gjithë Shqipëria. Pjesëmarrësit në konkurs janë nxënës të shkollave të mesme artistike në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Vlorë, Fier dhe Durrës, studentë nga Universiteti i Arteve, Fakulteti i Arteve Figurative etj., por edhe të pasionuar pas novelave grafike. Këtu pasqyrohet vëmendja e të rinjve me trashëgiminë kulturore, me baladat, legjendat shqiptare përmes një gjuhe që atyre u pëlqen. Ministria e kulturës prezantoi në këtë ceremoni nismën e krijimit të një “maskote”, të një personazhi që të na udhëheqë përgjatë rrugëtimit tonë nëpër Shqipëri, mes trashëgimisë sonë kulturore, parqeve arkeologjike, muzeve, monumenteve etj.

Përgatiti: Neritana Kraja