Pavarësisht moshës, pavarësisht viteve, të gjithë ne, u rikthehemi me nostalgji disa prej filmave për fëmijë që zbukuruan fëmijërinë tonë. Filma si “Beni ecën vetë”, “Kur po xhiohej një film”, “Taulanti kërkon një motër”, “Mimoza llastica”, “Tomka dhe shokët e tij”, janë filma që kanë lënë gjurmë në rritjen e secilit prej nesh. Ne e zbuluam kinemanë përmes tyre, ndërsa vetë këta filma u krijuan nga një grua e dashur, që arriti ta lidhte kinemanë me botën shumëgjyrëshe të fëmijëve. Kjo grua e talentuar, e brishtë, shumë punëtore dhe tepër e dhënë pas punës së saj e ngriti çdo gjë përmes dashurisë. Ajo, prej 14 vitesh i mungon kinemasë për fëmijë, duke lënë një zbrazësi në kinemanë për fëmijë, që veç ajo dinte ta mbushte. Por filmat që ka lënë regjisorja Xhanfise Keko, jetojnë në kujtesën tonë kolektive dhe fatmirësisht joshin edhe brezat e rinj sot. Ajo ishte dikur dashuria e filmit shqiptar.

Xhanfise Keko u lind në Gjirokastër më 27 janar të 1928. Në vitet e para të pasluftës për të ndihmuar familjen, asaj i duhej që të punonte si shitëse biletash tek kinema “Republika”. Për vajzën e re gjirokastrite ky ishte kontakti i parë me filmin. Asaj kohe ajo nuk mund ta mendonte se do të vinte një ditë kur sallat do të mbusheshin plot me njerëz për të parë filmat e saj. Kjo ditë erdhi, pasi ajo nisi të prodhonte filmat e parë për fëmijë, të cilët ishin një sukses i vërtetë. Fillimisht Keko i kreu studimet në Moskë për montazh kinematografik. Xhanfise dhe bashkëshorti i saj, kineasti Endri Keko, ishin ndër kuadrot e para shqiptare, që vajtën në Moskë për të studiuar kinematografi dhe ata ishin ndër të parët që filluan punë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, e sapondërtuar në vitin 1952. Veç të tjerash Kinostudio ka qenë një shkollë e vërtetë për të gjithë operatorët, regjisorët, montazhierët që u përgatitën me përkushtim nga puna e palodhur e regjisorëve të parë, siç ishte shkollë edhe për regjisoren e re.

Në fillim punoi montazhiere, më vonë xhiroi dokumentarë, pastaj punoi si regjisore montazhi për filmat artistikë dhe më tej iu përvesh vetë punës duke xhiruar filma artistikë me temën e fëmijëve. Një jetë e tërë midis fëmijëve duke i përzgjedhur nëpër shkolla e kopshte dhe kështu, fëmijët bëheshin aktorë: Herion Mustafaraj, Genci Mosho, Adrian Laperi, Gentian Basha, Selma Sotirllari, Zhaklina Dhimojani, Anila Kardhashi, e plot të tjerë. Ajo ishte një regjizore e madhe e një natyre të thjeshtë dhe të afërt me fëmijët. Ishte e vetmja regjizore në kinematografinë shqiptare që dinte të punonte bukur me historitë dhe gëzimin fëminor. Ishte gjithashtu femra e vetme regjizore në kinematografinë shqiptare përkrah regjizorëve të tjerë. Në punën e saj, regjisorja Xhanfise Keko, gjithnjë ka patur ndihmën e paçmuar të shokut të saj të jetës, regjisorit Endri Keko. Po ashtu ka patur një bashkëpunim të ngushtë me shkrimtarë që shkruanin bukur libra për fëmijë, si Nasho Jorgaqi, Bedri Dedja, Bashkim Hoxha dhe sidomos me Natasha Lakon, që ishte edhe skenariste e Kinostudios.

Por nuk duhet harruar se mënyra me të cilën punonte Xhanfise Keko ishte mbresëlënëse. Ajo mbante lidhje të vazhdueshme me shumë mësues dhe mësuese në disa qytete të Shqipërisë, ata i shkruanin për gjëra të veçanta, që vërenin tek nxënësit e tyre dhe këto vëzhgime regjisorja i përpunonte më tej në mënyrë artistike, duke i futur si elementë të natyrshëm në filmat e saj. Ky kujdes i veçantë ndaj detajeve jetësore, i bënte filmat e Kekos, të kishin vërtetësi dhe jetë. Ajo punonte ngushtë me fëmjët. Zgjonte dëshirat e tyre, ëndrrat për t’u marrë me artin dhe ndoshta pse jo, edhe për t’u bërë aktorë. Ajo zbulonte një botë magjike ngjyrash brenda tyre. Fëmijët me të cilët punonte kishin kaq afeksion për të, aq sa të gjithë e quanin “teta regjisore”. Po kështu, ajo kërkonte që në stafin e saj të filmave të punonte me aktorë të shquar të ekranit. Këtu mund të përmendim: Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Dhorkë Orgocka, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Marjeta Ljarja e të tjerë. Vlen të përmendet edhe bashkëpunimi me kompozitorët si Robert Radoja, Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo etj. Me thjeshtësinë e saj Xhanfise Keko tregonte se asgjë nuk do të kishte arritur vetëm me punën e saj, pa patur mirëkuptimin e autorëve të skenareve, muzikën e kompozitorëve, interpretimin e aktorëve të mëdhenj e të vegjël.

Ndër filmat më të spikatur të regjisores Xhanfise Keko mund të përmendim: “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Kur xhirohej një film”, “Një vonesë e vogël”, “Taulanti kërkon një motër”, etj. Në vitin 1976 u organizua Festivali i parë i Filmit Shqiptar dhe filmi “Beni ecën vetë” fitoi çmimin e parë, po kështu është nderuar me çmime në disa festivale të filmit për fëmijë në Serbi dhe në Itali. Xhanfise Keko është autorja e dymbëdhjetë filmave me metrazh të gjatë për fëmijë, duke e nisur karrierën e saj në vitet e pesëdhjeta e duke e mbyllur në fillim të viteve nëntëdhjetë. Emri i saj mbetet një legjendë në vetëdijen dhe kujtesën kolektive të Shqipërisë, jo vetëm për cilësinë e shquar profesionale të filmave të saj dhe ndikimin e tyre në publikun e gjerë shqiptar, por edhe për aftësinë e saj të rrallë dhe të sofistikuar për të kapërcyer kufizimet ideologjike të kohës.

Filmat e saj ishin modeli i një dritareje për t’i ofruar jo vetëm fëmijëve, por edhe prindërve një model mbi edukimin fëminor. Një pjesë e filmave të saj kishin orientim nga e kaluara jonë kryesisht gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist dhe impaktit që kjo luftë la në memorien fëminore kolektive. Por edhe motive nga tema e ditës, ku regjisorja i hynte në thellësi marrëdhënieve mes prindërve, mësuesve, shoqërisë dhe shkollës.

E mirënjohur në Shqipëri për filmat e saj, vitet e fundit, edhe pse është ndarë fizikisht nga jeta, profesionalisht regjisorja Keko po rijeton një jetë të dytë, për shkak të interesit që po tregojnë studiues e kritikë të filmit. Disa prej filmave të saj më të mirë i janë nënshtruar restaurimit dhe janë shfaqur në Amerikë, Francë, Izrael, etj, duke treguar se çfarë prezantojnë në kinemanë tonë të vogël, filmat e saj. Gjithashtu Keko është pëfshirë në dokumentarin e regjisorit irlandez Mark Cousins, me titull “Women Make Film” (Gratë bëjnë film), ku mes regjisoreve nga e gjithë bota, të cilat kanë bërë filma të suksesshëm, ai ka përzgjedhur regjisoren tonë Xhanfise Keko, nga Shqipëria.

Xhanfise Keko, për të gjithë kontributin e dhënë është shpërblyer me çmimin ‘’Artiste e Popullit’’. U nda nga jeta në vitin 2007, për të ngelur e paharrueshme nëpërmjet veprës së saj.

Neritana Kraja