Në Korçën e bukur, mbrapa katedrales “Ngjallja e Krishtit”, gjendet një shtëpi karakteristike, në të cilën ka jetuar një nga figurat më të rëndësishme të artit pamor impresionist të qytetit të Korçës dhe Shqipërinë e viteve 20’.

Piktori ne studion e shtepise se tij - foto gazetadita.al

Piktori ne studion e shtepise se tij - foto gazetadita.al

Është shtëpia e piktorit Vangjush Mio, përfaqësuesit më të denjë të impresionizmit shqiptar, një nga piktorët më të rëndësishëm në vendin tonë. Në të gjallë, Vangjush Mio konsiderohej si piktor me shumë vlera dhe personalitet në pikturën shqiptare. Në ditët e sotme, konsiderohet si autori fillimtar i historisë së artit profesionist të shekullit të XX. Por një gjë është e pranuar në të dyja kohët e nga të gjithë njohësit e artit: Vangjush Mio, është babai modern i peizazhit shqiptar.

Duke qenë një figurë e rëndësishme e artit, edhe shtëpia ku ka jetuar piktori i madh ka shumë interes. Kjo shtëpi, pas restaurimit të plotë të saj, i është rikthyer publikut. Banesa e Vangjush Mios përbën një shtëpi me vlera të rralla arkitekturore. E kemi parë këtë shtëpi të pikturuar me aq dashuri nga artisti në peizazhet e tij, kur shtëpia ishte thjesht e tij, ndërsa sot është e të gjithë atyre që dëshirojnë ta vizitojnë shtëpinë e restaururar pas dëmeve serioze, shkaktuar nga tërmeti i dy viteve më parë. Shtëpia e Vangjush Mios është banesa nr. 5, në Rrugën “Spiro Belkameni”. Ajo i përket banesave të tipit të hapur, nga të cilat kanë mbetur shembuj të rrallë. Banesa është dykatëshe dhe e ka daljen në rrugë nga ana lindore. Porta e hyrjes të fut në një hajat në formë L. Në një kënd të hajatit gjendet pusi i ujit.

Shtepia e piktorit - foto nga ATSH

Shtepia e piktorit - foto nga ATSH

Kati përdhe përbehet nga dhoma e ndenjes, soba dhe një kthesë që përdoret si depo. Kati i sipërm përbëhet nga dhoma e miqve, studio e Mios dhe një dhomë e tretë, ku drita depërtonte më tepër se të parat. Element karakteristik i shtëpisë është çardaku, që s’mund të mungonte në banesën e Mios. Kjo shtëpi, ka rëndësi jo thjesht si shtëpia e Mios, vendi ku u zhvillua krijimtaria e piktorit, por njëkohësisht ajo përfaqëson format e vjetra të jetesës në qytetin e Korçës dhe nisur nga këta dy kritere merr vlerë.

Bota e piktorit korçar ndodhet në këtë shtëpi, është aty mes tablosh, tavalocës e penelave, mes librave që lexonte dhe ambienteve të tij të punës. Duhet vetëm të jeni kurioz dhe të shkoni për ta zbuluar atë. Tani, pas restaurimit të banesës, nëse bëni një vizitë aty, do të kuptoni se kjo shtëpi ju mundëson ta njihni më mirë jetën e piktorit të madh.

Me pak imagjinatë mund të shikoni Mion duke u çlodhur në katin e përdheshëm, duke u ngrohur së bashku me të bijën Rozën pranë zjarrit. Mund të imagjinoni piktorin në katin e sipërm duke pirë kafe me miqtë e tij të ngushtë të kohës si Kristaq Sotiri, ose duke u mbyllur me orë të tëra në studion e tij duke pikturuar Korçën e tij të dashur. Por nëse kjo shtëpi e dashur, prej kohësh ishte mbyllur pasi po i nënshtrohej restaurimit, tani është gati për të pritur sërish vizitorët.

Shtepia e pikturuar nga piktori - foto nga faqja zyrtare facebook Bashkia Korçe

Shtepia e pikturuar nga piktori - foto nga faqja zyrtare facebook Bashkia Korçe

Për rikonstruksionin e saj, ka ndërhyrë Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e qytetit të Korçës. Autoritetet kishin paralajmëruar rindërtimin e çatisë, që ishte edhe më e dëmtuara, por njëkohësisht gjatë punës u eleminuan edhe problemet e lagështisë që ekzistonin më përpara.

Lajmi i hapjes së shtëpisë pas restaurimit të plotë është një lajm i mirë dhe i shumë pritur.

Atë e bëri të ditur para pak ditësh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duke u shprehur se shtohet edhe një tjetër atraksion për turistët që vizitojnë Korçën, qytetin e serenatave. Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi në vitin 1977 u shpall shtëpi-muze.

Shtepia pas restaurimit - foto ATSH

Shtepia pas restaurimit - foto ATSH

Që nga ajo kohë e deri më sot ka qenë një nga vendet më të vizituar në Korçë. Njerëzit janë kureshtarë të shohin shtëpinë e piktorit i cili gjatë karrierës 40-vjeçare, realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura. Rreth 60 punime të mjeshtrit, zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e të bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze. Kritikët e konsiderojnë atë, si piktorin që bëri hapin e parë të pikturës shqiptare drejt koncepteve moderne, duke e çliruar atë nga format statike dhe ndonjëherë edhe amatore të artit të Rilindjes.

Piktori Vangjush Mio, ishte piktori i dashur për publikun. Në pikturën e tij, vërehet përherë një nostalgji, përmes një note të lartë poetike, që nuk haset te asnjë piktor i traditës. Ai ndoshta ishte piktori që në gjithë krijimtarinë e tij ruajti kontaktin e magjisë së ngjyrave të natyrës; në stinën e vjeshtës dhe dimrit. Piktura e tij është një poezi e lartë dhe një muzikë e qetë shpirtërore. Jo më kot ai vlerësohet, si piktori më lirik shqiptar i shekullit XX-të.

Çdo shtëpi ruan karakteristikat dhe shpirtin e njerëzve që kanë jetuar në të. Shtëpia muze e Vangjush Mios, pa dyshim që ruan diçka joshëse, mistike, të mirë nga piktori, që ne mund ta zbulojmë duke e vizituar atë. Pasi gjithmonë, pavarësisht viteve dhe brezave, një pjesë e esencës dhe shpirtit të Vangjush Mio do mbetet në banesën Nr.5 në rrugën Rr. “Spiro Belkameni”, në Korçën e pas katedrales.

Neritana Kraja