Çdo komb ka heronjtë e vet. Këngët kushtuar atyre janë autobigrafia e historisë së këtij kombi. Janë fjalë që dalin nga ndjeshmëria kolektive, që këndohen e kërcehen nga të gjithë e që trashëgohen në breza. Sot ne do të flasim për tre këngë kushtuar tre heronjve, që pëlqehen dhe këndohen nga të gjithë, duke qenë të bindur që këngët për heronjtë janë të panumërta e nuk shterrojnë kurrë.

Këngë për Ali Pashë Tepelenën

Nuk ka asnjë dyshim se ndër figurat më të famshme të historisë shqiptare nëpër kohëra është figura e Ali Pashë Tepelenës, pashait shqiptar, sundues të Shqipërisë së mesme dhe jugore, të fundit të shekullit të 18 deri në vitin 1822.

Për Ali Pashë Tepelenën, janë krijuar me dhjetëra këngë. Populli që nga Kosova e në Çamëri i ka kënduar vazhdimisht Ali Pashë Tepelenës dhe populli nuk të këndon kot. Ne sot do të sjellim për rubrikën tonë këngën e Ali Pashës, kënduar nga grupi Ali pashë Tepelena, një këngë e cila këndohet e kërcehet në çdo rast, feste dhe gëzimi.

Hit prej shumë kohësh, ajo flet për fundin e përgjakshëm të prijësit të madh shqiptar. E përmbledhur në pak fjalë, historia e Ali Pashës është kjo: Ali Pashë Tepelena me zgjuarsi dhe zotësi arriti të krijojë një rajon të madh autonom që fillonte nga Gjiri i Prevezës e deri afër lumit Shkumbin, me qendër Janinën. Ky u quajt Pashallëku i Janinës. Qëllimi I tij ishte të shkëputej nga Porta e Lartë dhe të siguronte bashkimin e pashallëqeve shqiptare, por nuk arriti ta bënte këtë. Në Janinë u dërgua ushtria osmane të cilët e mbajtën të rrethuar Ali Pashanë për 1 vit e gjysëm. I gjendur vetëm dhe i rrethuar nga të gjitha anët, Ali Pasha luftoi i vetëm ndaj osmanëve, derisa më në fund u vra i ngujuar në një kala të liqenit të Janinës.

Edhe pse ka vdekur në vitin 1822-it, Ali Pashai jeton në dy jetë: jetën e luftës e jetën e këngës. Dhe jeta e dytë e këngës, ështe më e madhërishmja, më e pavdekshmja. E veçanta e këtij njeriu me dy jetë është se ai i kishte të gjitha nga dy: dy gjuhë, dy vende, dy shtete, dy fe, dy pashallëqe, dy gra, dy djem, dy varre…

Këngë për Çerçiz Topullin

Në 5 Mars 1908 në Mashkullore, fshat afër qytetit të Gjirokastrës, çeta e Çerçiz Topullit luftoi kundër ushtrisë turke, e cila ishte në ndjekje të Çerçizit. Si shkak i kësaj lufte u bë vrasja e komandantit turk të xhandërmarisë së Gjirokastrës. Çeta e Çerçizit megjithëse në një numër më të vogël se forcat turke luftoi me trimëri dhe arriti të çante rrethimin.

Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër, më 1880 dhe u shua në Shkodër, më 1915. Dikur ushtarak në Perandorinë Osmane, ai u kthye në kryetar çetash në periudhën e Lëvizjes Kaçake dhe veprimtar i çështjes kombëtare tok me të vëllanë, Bajo Topullin.

Ai këkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e lirë dhe e pavarur. Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë ishte ajo e kryengritjes së përgjithshme të armatosur dhe ftonte gjithë shqiptarët të ngriheshin me armë në dorë në luftën për lirinë e Shqipërisë.

Veprimtaria e Çerçiz Topullit është kthyer gati në legjëndë. Për të ka dhe këngë patriotike, si e famshmja: “Te rrapi në Mashkullorë, foli Çerçizi me gojë…

Këngë për Ismail Qemalin

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është ngjarja më e madhe, më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë, figura e Ismail Qemalit, flamuri kuq e zi, janë skalitur në dhjetëra e dhjetëra këngë të bukura popullore historike. Madje këto këngë janë kronika gojore, fotografia e kësaj ngjarjeje dhe e aktorëve historikë. Ato kanë tiparet e një letërsie gojore.

Një nga këngët më të njohura, më të përhapura për Ismali Qemalin është ajo e vajtjes në Europë dhe dialogu me krerët e saj: Cili je ti more burrë/Që na vjen nga Shqipëria/Unë jam Ismail Qemali/Prapa më vjen historia/Dua vatanet e mia/Është e imja Shqipëria…

Kënga kur këndohet ose kërcehet përcjell emocione të fuqishme. Theksi ritmik dhe semantik bie tek fjala “burrë”, që mbart ngarkesën e një udhëheqësi trim, ose më saktë trim mbi trima, diplomat fjalëprerë, sa edhe vizionar.

Kjo është një këngë polifonike e njohur dhe e kënduar kudo ku ka shqiptarë.

Neritana Kraja