Shkrimtari dhe dramaturgu i shquar shqiptar, Fadil Kraja është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Homazhet janë mbajtur në Teatrin “Migjeni”, aty ku Fadil Kraja numëron me dhjetëra pjesë të vëna në skenë. Ai konsiderohet si dramaturgu, që i dha jetë dramaturgjisë klasike shqiptare.

Fadil Kraja - Foto www.shqiptarja.com. jpg

Fadil Kraja - Foto www.shqiptarja.com. jpg

Nuk mund të flasësh për dramaturgjinë shqiptare pa folur për Fadil Krajën, pasi ai është një nga gurët e themelit të saj. Të jesh gur themeli në letërsi nuk është pak. Sepse muret edhe mund të lëvizin nga tërmetet e kohës, por themelet mbeten. Emri i tij është i lidhur ngushtë me emrin e teatrit “Migjeni”, një tempull për shkodranët e vërtetë.

Në fund të viteve '60, kur teatrit po i mungonte krijimtaria e penave shqiptare, erdhi në skenë pena e famshme e Fadil Krajës.

Ai erdhi në skenën e teatrit "Migjeni" me të parën kryevepër të tij "Fisheku në pajë", një dramë që suksesin e korri, jo vetëm për tematikën që trajtonte, por edhe për aftësinë e madhe të autorit, i cili kishte vite që akumulonte ngacmimet e një intelektuali të ri për t'i shfaqur me talentin e tij para një publiku që një ditë do t'i mirëpriste dhe do t'i duartrokiste.

Ishte koha kur shoqëria shqiptare po përpiqej të emancipohej dhe një ndër tribunat e këtij emancipimi, qe edhe skena e teatrit të Shkodrës. Filozofia e jetës dhe mendimi emancipues i këtij dramaturgu të madh, u transmetua në dhjetëra premiera që priteshin me entuziazëm nga publiku.

Fadil Kraja solli në teatër pasqyrimin e historisë shqiptare, realitetin e jetës qytetase, të malësisë dhe të të gjitha trojeve shqiptare. Solli humorin e përditshëm, traditën e bukur, Shkodrën e tij.

Fadil Kraja gjate nje ceremonie vleresimi ne Teatrin Migjeni - Foto Pamfleti.al

Fadil Kraja gjate nje ceremonie vleresimi ne Teatrin Migjeni - Foto Pamfleti.al

Në premierat e Fadil Krajës, sheshi para teatrit mbushej plot me njerëz. “Gjaku i Arbrit”, “Baca i Gjetajve”, “Fisheku në pajë”e shumë drama e komedi nga dora e profesor Fadilit, na kujtojnë kohën kur dyert e teatrit Migjeni gati thyheshin nga dyndja e publikut. Binte gongu, fikeshin dritat, një heshtje e rrallë, një heshtje për t'u regjistruar si heshtje e veçantë shkodrane! Aty performonin aktorët korifej Tinka Kurti, Ndrek Luca, Lec Bushati, Bep Shiroka dhe artistë si Ymer Bala, Ramiz Rama, Bruno Shllaku, Paskualina Gruda, Bardh Smaja, Agron Dizdari, Merita Smaja, Shpresa Garuci, Enver Hyseni etj etj. Fadil Kraja njihte secilin prej tyre, prandaj rolet u ngjisnin aq mirë aktorëve, sepse dramaturgu shkruante posaçërisht për ta.

Përmes dramave të tij e sidomos ato që janë të karakterit mitik, Kraja diti të bëjë një lidhje kohore prej së kaluarës në të tashmen, duke dhënë një vizion edhe për të ardhmen.

Dramaturgu Fadil Kraja ne n je interviste ne tv - Foto www.shijaktv.al

Dramaturgu Fadil Kraja ne n je interviste ne tv - Foto www.shijaktv.al

Kontributi i profesor Krajës është i lidhur ngushtë edhe me mësimdhënien në Fakultetin e letërsisë në Universitetin e Shkodrës, ku breza të tërë studentësh e mësuan letërsinë e huaj, nga letërsia antike greke dhe romake e deri te Molieri, nga interpretimi mjeshtëror i tekstit nga profesor Fadil Kraja. Ato orë për studentët ishin spektakël i vërtetë, pasi aty dëgjonin, merrnin info që nuk mund t'i gjenin dot, as sikur të shfletonin të gjithë librat e bibliotekës së Shkodrës. Profesori fliste me pasion, tregonte histori të padëgjuara dhe bota antike e dramaturgjisë vinte e gjallë, si të ishte pas dritares. Dialogje artistësh e perandorësh përcilleshin me një interpretim tërë magjepsje, nga një botë tjetër!

Ndoshta prandaj profesor Fadili mbeti i veçantë dhe në vitet që pasuan dhe u bë edhe miku i të gjithë studentëve të pasionuar, miku i të gjithë shkodranëve që e donin teatrin dhe miku i të gjithë shrimtarëve të rinj.

Ai nuk u nda asnjëherë nga biçikleta e tij e vjetër, me të cilën shëtiste rrugëve të qytetit, takonte njerëz, fliste me ta. Njerëzit e respektonin dhe e nderonin dramaturgun dhe qytetarin e tyre. Ai nuk kishte një studio ku të punonte, jo sepse nuk mundej, por sepse kishte gjetur oazin e tij në një kafene, në një tavolinë në qendër të qytetit, ku të gjithë dinin ku ta gjenin. Aty meditonte, shkruante dhe zinin fill rreshtat e parë.

Libri i kujtimeve ne nder te dramaturgut - foto www.fax.al

Libri i kujtimeve ne nder te dramaturgut - foto www.fax.al

Ndarja nga jeta e Fadil Krajës, dramaturgut të talentuar, shkrimtarit të pandalshëm dhe profesorit të nderuar, u shoqërua me dhjetra e dhjetra statuse ngushëllimi. Të prehesh në paqe profesor! Panteoni shkodran ka vendin e artë për ty! Historia e Fadil Krajës do jetë e gjallë mes gjithë neve që e jetuam! Është detyra jonë t'ua përcjellim edhe atyre që vijnë më pas dhe nuk e jetuan kohën e profesor Fadilit, kohën kur njerëzit dyndeshin në dyert e teatrit Migjeni!

Fadil Kraja lindi në qytetin e Shkodrës, në vitin 1931, në një familje patriotike e arsimdashëse. Nëna e tij, qe mësuese e shkollave të para publike në këtë qytet, duke thyer një tabu e duke i hapur rrugë emancipimit femëror.

Fadili shkallë-shkallë përfundoi Universitetin e Tiranës, në degën e letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Karrierën e mësuesisë e nisi në fshatrat e rrethinave, për ta vazhduar në gjimnazin e qytetit dhe për ta mbyllur si pedagog i letërsisë së huaj në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës e si shkrimtar në profesion të lirë. Ndërkohë drejton rrethin e letrarëve të rinj në klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut” dhe nis të botojë në shtypin letrar të kohës vëllime poetike. Ka shkruar poezi dhe prozë, por kontributi i tij kryesor ngelet në fushën e dramaturgjisë.

Është autor i 23 dramave e komedive të shfaqura në thuajse të gjitha skenat e teatrove në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në diasporë. Për kontributin e tij është vlerësuar me çmimin “Mjeshtër i Madh”.

Neritana Kraja