Alfred Mirashi Milot është një artist italo-shqiptar, që jeton dhe punon në Firence. Arti i tij shquhet mbi të gjitha për veprat e jashtëzakonshme të skulpturave monumentale. Së fundmi ai është duke realizuar në Avellino të Italisë një vepër me lartësi rreth 50 metra, që titullohet “Çelësi i Montevergines”. Kjo do të jetë një nga skulpturat më të mëdha në Evropë, të bëra prej çeliku corten. Me instalacionet e tij artisti i dërgon një mesazh mbarë botës: “Nuk duhet t’i mbajmë dyert e mbyllura. Të gjithë duhet të kenë mundësinë të realizojnë ëndrrat e tyre”.

Çelësat e tij si instalacione mund të quhen “Çelësi i Bashkimit ”, me një mesazh ku shprehet shpresa për dialog të hapur drejt një zhvillimi me paqe mes popujve.

Çelësat e artistit Milot janë ikona e skulpturës së tij dhe hapin një derë për artin bashkëkohor, duke përzier historinë, artin dhe përvojën e këtij artisti që shëtit botën.

I njohur me emrin e artit “Milot” ai është bërë pjesë gjithashtu e ekspozitës së parë të Bienales Ndërkombëtare në Jinan të Kinës.

Artisti Mirashi ka treguar në rrjetet sociale se në këtë Bienale morën pjesë 10 mijë vizitorë në një ditë. Artisti italo-shqiptar u prezantua në Bienale me dy vepra në pikturë të realizuara në vitin 2017, “Këndi Mesdhetar” dhe “Këndi Oriental”.

Në këtë ekspozitë u shfaqën punimet e 100 artistëve nga mbi 20 vende të botës. Një nga trofetë e artistit Alfred Mirashi “Milot” është çmimi “Skulptori i Vitit 2021”, që iu akordua në Kiev të Ukrainës.

CMG: Alfred, si e shihni veten tuaj përballë një pasqyre, e cila ju thotë të vërtetat?

Alfred Mirashi: Kjo është një pyetje interesante që na zbulon për veten, por ne jemi ata që kemi qenë gjithnjë. Pavarësisht që gjërat mund të themi që janë lehtësuar në zgjidhjen e tyre, sepse puna bën të vetën, por asgjë nuk ka ndryshuar tek unë. Jam po i njëjti njeri.

Jam një njeri me këmbë në tokë dhe kjo është e rëndësishme të mbetet tek secili nga ne. Jeta në botën e artit vërtet është luftë dhe unë mundohem t’i marr më të mirën, sepse duke menduar pozitivisht ija del.

CMG: Si ka ndryshuar jeta juaj nga viti në vit në hapësirën e suksesit, duke nisur që në fëmijëri?

Alfred Mirashi: Fëmijëria ime e para 40-viteve ka qenë tepër e bukur, sepse pothuajse ishim të gjithë njësoj. Edhe të veshur edhe në gjithçka tjetër kemi qenë njësoj. Kur je i vogël nuk e kupton dhimbjen dhe as sakrificën, sepse nuk e percepton dhe është mirë që mos i kuptosh këto lloj vuajtjesh. Unë jam rritur në Milot, një vend i vogël ku më të vërtetë ja kemi kaluar mirë. Aty na donin të gjithë pavarësisht që kemi ardhur aty.

Tani e kuptoj sa bukur kemi jetuar, edhe pse të varfër, por të lumtur.

Sot nuk e gjen atë lloj dashurie dhe lirshmëri. Këtu ku unë jetoj sot nuk kam atë siguri dhe lirshmëri, por është një frikë e pakuptimtë.

CMG: Me kujtohet kur... E përfundoni këtë fjali?

Alfred Mirashi: Tani me kujtohet babai im, këtë sukses do doja t’ia dedikoja atij dhe më mungon. Sot e kuptoj se çfarë do të thotë vuajtje dhe prind. Ata gjithmonë kanë bërë gjjthçka për t’u ndier ne mirë.

Ndoshta shqiptarët e brezit tonë ndaj shkëlqejnë kudo në çdo fushë të jetës, sepse janë rritur me vështirësi ose kjo lloj mungesë që patën dikur e përkthyen në ambicie.

CMG: Cilët janë njerëzit që kanë ndikuar në karrierën tuaj?

Alfred Mirashi: Familja e para. Ka qenë tepër e vështirë për mua në vitet e para në emigracion. Kur ti vendos të ikësh në një vend tjetër për të jetuar dhe për të vepruar do marrësh përsipër edhe riskun që do t'ia dalësh apo jo. Njerëzit të shohin sikur ti do t’i marrësh vendin e punës...

Racizmi ka qene një vuajtje që më bëri mua të jem më i forte dhe të di të komunikoj me njerëzit. Asgjë nuk ka qenë gati, por më është dashur shumë punë sa të njihem dhe të arrij këtu ku jam sot.

Një këshillë e një mikut tim është " Çdo njeri e krijon jetën me karakterin e vet " Kjo më ka ndihmuar shumë që të krijoj lidhje me njerëzit, sepse e kam ndërtuar jetën siç kam edhe natyrën time.

CMG: Kur e keni zbuluar talentin tuaj?

Alfred Mirashi: Kam qenë fëmijë diku 9 apo 10 vjeç dhe më vinte në shtëpi Babdaja ose ndryshe gjyshi.

Ai kishte një pamje të bukur me mustaqe të mëdha. Për mua kishte shumë karakter dhe e vizatova me një laps të thjeshtë dhe një letër që kisha në shtëpi. Kur shkova në shkollë mësuesi e sheh atë pikturë dhe i thotë babait që duhet të shkoja në një kurs sepse kisha tepër talent.

Aty nisi gjithçka! Nga pallati i kulturës në Laç e më pas kryetarja e këshillit të qytetit me vlerësoi tepër.

Më pas doli një mundësi për t’u larguar nga vendi që në fakt ishte masiv dhe aty gjeta veten. Çdo shqiptar në fakt kudo ku shkoi e gjeti veten për të përparuar, sidomos në botën e artit.

Italianët janë tepër të gëzuar që ne kemi shkuar dhe zhvilluar kulturën në një fazë kur ishte për t’u gjallëruar.

CMG: Eksperienca juaj në Kinë. Çfarë ju mësoi për artin?

Alfred Mirashi: Në Kinë unë mësova se çfarë do të thotë vërtet art. Kina kishte artistë të cilët e zhvillonin artin e tyre të lirë.

Për t’u habitur që ata e njohin shumë Shqipërinë, më shumë se çdo vend tjetër ndoshta. Më vjen keq që ata e njohin më mirë se unë.

Ata njohin edhe filmat shqiptarë, madje më shumë se unë. Kanë tepër kulturë. Artistët e mëdhenj flasin për Shqipërinë dhe e duan atë.

Në këtë 10-vjeçar mendoj që Kina ka bëtë mrekullira dhe do ishte mirë që çdo vend ta merrte si shembull kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të njeriut.

CMG: Çmimi “Skulptor i vitit” çfarë solli për ju?

Alfred Mirashi: Në jetë jo të gjithë do jemi të suksesshëm dhe me emërtesa të mëdha. Nuk do kemi as famën e njerëzve tepër të njohur, por secili në fushën tonë do shkëlqejmë dhe mua më bëhet qejfi që më anë të skulpturës unë mbi të gjitha kam zgjuar kritikën e artit për të folur mbi skulpturën. Përtej çmimit dhe kritika është e nevojshme.

Artistët kur bëhen bashkë janë një vlerë e madhe për mendimet që japin.

CMG: Çfarë ju thua te rinjve për të ndjekur hapat tuaj?

Alfred Mirashi: Besoj që këshilla e parë është të punojnë çdo ditë dhe ndoshta të kenë një stil të tyre që t'ju vlejë.

Intervsitoi : Megi Latifi