Me një monolog të gjatë të llojit “Stand Up Comedy”, që nis me histori personale e vazhdon me këndvështrimet e gazetarit për tema të mprehta të realitetit shqiptar, Mustafa Nano erdhi për herë të tretë para publikut, duke e mbërthyer atë për rreth 70 minuta.

Mustafa Nano 1 Foto nga Facebook

Mustafa Nano 1 Foto nga Facebook

Gazetari që hyri në rradhët e gazetarisë në vitin 1997 duke u bërë shpejt një nga penat analitike më të spikatur në vend, guxoi sërish të provokonte publikun me një prezantim skenik, të njohur si “Stand Up komedi”. Një zhanër i lëvruar shumë pak, në traditën tonë skenike, ku një personazh i njohur publik, sikundër Mustafa Nano përballet me publikun që ka ardhur ta ndjekë në Teatër. Të gjithë shfaqjen Mustafa Nano e ka ndërtuar duke bërë monologje të gjatë, atraktivë, provokues dhe problematikë. Eshtë po ai që ka ndërtuar skenarin, po ai që bën interpretimin, që ka ndërtuar mizanskenat dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë minutazhin që shfaqet në skenë.

Individi, familja, shoqëria. Ky trinom përbën thelbin e “Stand-up Comedy”. Eshtë një seri temash të së përditshmes shqiptare, që vijnë përpara publikut me nota humori, satire, ironie e autoironie, me tonet analitike, kritike dhe ato ndërgjegjësuese për të trajtuar, kritikuar e për të reflektuar mbi të metat e shoqërisë sonë, të cilat në disa raste janë të rrënjosura prej shekujsh ndër shqiptarë.

Ashtu si edhe në dy përballjet e mëparshme me publikun, autori i referohet eksperiencave të veta personale, me të cilat mund të identifikohet, çdo individ, i cilësdo grupmoshe. Tonet e larta të zërit, mungesa e tolerancës, padurimi për të respektuar qoftë edhe një radhë, rregulli i të fortit, hedhja e mbeturinave vend e pavend etj., etj. janë disa nga momentet, që pavarësisht dozave të humorit me të cilat shoqërohen, nxisin reflektim tek secili prej nesh. Vetë Nano, jep disa shpjegime për shfaqjen, duke nënvizuar qëllimin e tij.

Mustafa Nano 2 Foto nga Facebook

Mustafa Nano 2 Foto nga Facebook

“Mua shoqëria shqiptare, së cilës unë i përkas, më ngacmon në vijimësi, më ngacmon në çdo ditë. Nuk ka ditë të mos ndosh diçka përballë së cilës unë them: Oh, jo, nuk duhet të ndodhë. Nuk ka kuptim në këtë vend të ndodhi kjo. Dhe në këtë shfaqje, unë këtë bëj: përpiqem të përqesh disa vese tona, në mënyrë që të dalin edhe më shumë në pah problemet, veset, dukuritë, që i përkasin shoqërisë. Ka disa tipare që shquajmë që nga larg dhe të huajt sidomos i vënë re shpejt, janë tipare që nëpërmjet të cilave ne edhe identifikohemi, siç janë, qasja e dhunshme, qasja patriarkale, mizogjinia, etj”, komenton Nano për shfaqjen.

Gazetari i njohur, që pëlqen t’i drejtohet publikut, jo vetëm nga rreshtat e shtypit, apo ekranit të televizorit, por edhe nga skena e teatrit, njëlloj siç bënte dramaturgu i madh italian Dario Fo, flet për tema të rëndësishme, duke zbuluar problematikat deri në lakuriqësinë e tyre. Megjithëse me stilin e tij provokon, nuk e pranon të jetë provokator mediatik.

Mustafa Nano flet për qëndrimin ndaj gruas dhe në një këndvështrim më të përgjithshëm për qëndrime kolektive ndaj femrës, që sipas Nanos, përgjithësisht janë mendje mbyllur. Ai qorton dhe denoncon në mënyrë komike, ndërkohë që merret pak edhe me fetë. Përqesh fanatizmin fetar, ndërsa tërheq vëmëndjen tek respekti për besimtarët. Ai zbulon dhe përqesh disa tipare tona që ne i marrim për vlera por që sipas tij, nuk janë të tilla.

Për rreth 80 minuta publiku argëtohet dhe në të njëjtën kohë merr mesazhe ndërgjegjësuese për të “ushqyer” frymën emancipuese në shoqërinë tonë, për të qenë më të hapur, më të paqtë dhe më pozitivë, njerëz me vizion të orientuar drejt. Linja kryesore e këtij “One Man Show” është pikërisht familja shqiptare, e cila ende vuan prej mentalitetit patriarkat, ku gruaja i nënshtrohet vullnetit të burrit me apo pa dashje, duke bërë që bërthama e shoqërisë sonë të jetë e sëmurë.

Mustafa Nano ne skene - Foto Facebook Teatri eksperimental

Mustafa Nano ne skene - Foto Facebook Teatri eksperimental

“Unë luaj shpesh herë me veten, edhe në librat e mi, ndonjëherë bëj edhe autoironi, ndonjëherë edhe e qortoj veten, gjithashtu e konsideroj veten pjesë të shoqërisë shqiptare. Ka shumë njerëz që mua më marrin për atë që nuk jam, më duan, më çmojnë për atë që nuk jam. Madje edhe më urrejnë për atë që nuk jam. Eshtë një keqkuptim që më besdis dhe më bën edhe mua një pjesë të show-t. Unë merrem në mënyrë të veçantë me këtë kategori. Dhe përpiqem ta shpjegoj pse këta njerëz keqkuptohen. Ndërkohë që unë jam shumë i pranishëm në jetën publike shqiptare, jam i pranishëm në të gjitha format e mundshme”.

Mustafa Nano njihet si një ndër gazetarët më kontravers në vendin tonë, i cili shpesh herë flet për tema të cilat janë gati- gati tabu dhe ngjallin provokime të shumta. Ajo çfarë Mustafa Nano së fundmi paraqiti në skenë ishte një “Stand Up Comedy” që e mbajti të mbërthyer publikun”.

Salla ishte mbushur plot, ndoshta provokuar edhe nga titulli. Shfaqja nis thjesht. Skena ishte e gjitha në funksion të tekstit që vetë Mustafa Nano kishte shkruar posaçërisht për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. Kësaj radhe ishte ai përballë publikut, pa ndërmjetësinë e ekranit apo faqeve të gazetëës. Thjeshtësia e skenografisë i jepte rëndësi asaj çka oratori thotë dhe orienton publikun drejt marrjes së esencës së mesazhit. E nis me narracion, është një narracion personal, por e shtyn publikun të mendojë dhe të reagojë, duke e vënë shpesh herë të përballet edhe me vetveten.

Ndoshta sepse mënyra elegante që Mustafa Nano kishte zgjedhur për t’i folur publikut, për të ndarë me të qëndrime, për të cilat ndoshta nuk bien as dakord, i dha atij pushtetin e një show man-i në skenë.

Mustafa Nano është një nga gazetarët më mendjehapur, me një stil të shpenguar dhe të të guximshëm. Guximin e tij ai e ka sjellë jo veç në shkrimet e tij të pafundme dhe debatet në televizione, por edhe në ligjërimet përballë spektatorëve në formën e asaj që quhet ndryshe “Stand Up Comedy”.

Neritana Kraja