Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë ka hartuar projektin për restaurimin e çatisë së shtëpisë muze “Vangjush Mio”. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti. “Është e vështirë ta kuptosh Korçën pa Mion, poetin e pikturës shqiptare, ndaj edhe shtëpinë e tij muze do t’ia rikthejmë sërish publikut”. Pas dëmtimeve nga tërmeti, DRTK Korçë ka hartuar projektin për restaurimin e çatisë, që është edhe më e dëmtuara, duke eliminuar të gjitha problemet e lagështisë”, tha Margariti.

Për Margaritin, “bota e piktorit korçar është aty mes tablosh, tavallozit e penelave, librash që lexonte e ambienteve të punës. Duhet vetëm të zbulohet”. Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze. Banesa-muze e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, është një nga më të vizituarat në qytetin e Korçës.

Në Bylisin antik zbulohet stera 2300-vjeçare

Në sitin arkeologjik të Bylisit është zbuluar stera më e madhe (cisterna, siç e quanin romakët) dhe më e bukur e Ballkanit antik, që i përket shekullit III para Krishtit.

Historiani dhe studiuesi Neritan Ceka e cilëson cisternën antike më të vjetrën në Ballkan, që daton në shekullin e tretë para lindjes së Krishtit.

“Kjo është është pamja e cisternës dhe ka 6 ndarje, në shekullin e tretë para Krishtit shërbenin për mbledhjen e ujit që çonin në cisternën e madhe, 50 m e gjatë, 8 metra e thellë dhe 4 m e gjerë, zinte miliona litra ujë të stadiumit gjatë dimrit dhe ishte në shërbim të popullsisë ose rrethimeve ushtarake. Në këtë shesh mblidheshin rreth 10 mijë vetë gjatë festave të Dionisit”, tha Ceka.

Stera e ujit përbëhet nga gjashtë pjesë, ku është zbuluar vetëm njëra pjesë e saj”. Kërkimet arkeologjike në Bylis të cilat po bëhen me aplikimin e metodave gjeofizike kanë nisur nga njësia e re “ArkeoBylis” e ngritur në Akademinë e Shkencave në bashkëpunim me Instituti e Arkeologjisë.

Puna do të vijojë deri në 20 tetor, mbi këtë vepër të periudhës 2300-vjeçare që mbetet më e madhja e Ballkanit antik të asaj periudhe. Ndërkohë që në ditët e para të punës në Bylis janë zbuluar edhe mbishkrimet me emrat e zyrtarëve kryesorë të Bylisit, Prytanin dhe Strategun.

Përkujtohen Migjeni dhe Agolli në ditëlindjet e tyre

“Migjeni dhe Dritëroi – dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja”, titullohej konferenca e organizuar nga Akademia e Shkencave, në kuadër të 110-vjetorit të lindjes së poetit Migjeni dhe 90-vjetorit të lindjes së poetit Dritëro Agollit.

Në fjalën e tij kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi tha se “Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin të dy poetë me vështrim nga e ardhmja, poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960”.

Interesant është fakti se në konferencë u prezantua botimi shqip i tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni”, botuar ekskluzivisht nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 90-vjetorit të Dritëro Agollit dhe 110-vjetorit të Migjenit.

Gjatë zhvillimit të konferencës shkencore: Migjeni dhe Dritëroi – dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja, një dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i është dhuruar Akademisë së Shkencave nga e bija e shkrimtarit, Elona Agolli.

I titulluar nga shkrimtari “Fletorka e mesnatës” ky dorëshkrim u nga vajza e shkrimtarit, e cila u shpreh se nuk e pati të lehtë ta hiqte nga shtëpia këtë kujtim të vyer.

Gjithashtu me rastin e veprimtarisë shkencore jubilare, një ekspozitë me 24 portrete të rralla të Dritëro Agollit, punuar nga piktorë të njohur, karikaturistë dhe miq e dashamirës të shkrimtarit të madh nga vendi dhe Bota, ishte vendosur në hyrje të akademisë.

U zhvillua në Tiranë Festivali Ndërkombëtar Letrar i të Rinjve “Tirana-Gate 2021”

U zhvillua në Tiranë Festivali Ndërkombëtar Letrar i të Rinjve “Tirana-Gate 2021”. Autorë të rinj, autorë me përvojë dhe panelistë në zë u bënë pjesë e këtij festivali që hapi dyert në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Festivali e vendosi Tiranën në qendër të një ngjarjeje të rëndësishme të librit europian, pikëtakim me lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të kuptuar tendencat e fundit të librit. Ky festival ishte një projekt i realizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të një projektit rajonal READ (Rrjeti Rajonal për Dialog Ndërkulturor) i mbështetur nga Bashkimi Europian. Në Festival, morën pjesë autorë nga vendet ballkanike. Gjithashtu pjesë e festivalit u bënë edhe autorë nga Europa, fitues të çmimit prestigjioz ndërkombëtar të Europës për Letërsinë, ku edhe Shqipëria bën pjesë me 3 autorë të saj. Festivali u organizua në disa panele, ku temat e diskutimit ishin të larmishme dhe nuk mungoi as leximi i librave nga autorët.

Komedia “Edmond” hap sezonin tek ArTurbina

Teatri Kombëtar riktheu publikun artdashës në skenë pas një mungese të gjatë që shkaktoi pandemia. Në ArTurbina u vu në skenë komedia “Edmond”, e autorit Alexis Michalik. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi foto nga kjo komedi teksa u shpreh se “ishte emocion i veçantë të shihje skenën me aktorë e sallën me publik, të dëgjoje duartrokitje, të qeshura me humorin e këndshëm e karakteret pikante të “Edmond”. “Mos e humbni shfaqjen e Teatrit Kombëtar, në sallën e ArTurbinës, me regji të Indrit Çobanit e Andia Xhungës”, tha Margariti. Ministrja e vlerësoj shfaqjen si frymëmarrje për artin shqiptar.

Historia tregohet me vargjet e Siranoit dhe me prozën e Mishalik, ndërsa interpretojnë aktorët Vasian Lami, Helidon Fino, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Luli Bitri, Laert Vasili, Genci Fuga, Myzafer Zifla, Besmir Bitraku dhe aktorja e re Ilirda Bejleri.

“No time to die”, shfaqet në Tiranë filmi i shumëpritur nga publiku

Filmi i shumëpritur nga publiku, “No time to die”, ndoshta i fundit i sagës së agjentit 007, është shfaqur në Tiranë. Në një premierë madhështore ku ishin të pranishëm edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori anglez Alastair King-Smith si dhe shumë personazhe Vip, të gjithë të ftuarit kaluan mbi tapetin e kuq. Filmi ”No Time To Die” pati menjëherë arkëtime të bujshme me rreth 5,8 milionë dollarë në ditën e tij të parë të plotë në kinematë e Britanisë së Madhe dhe Irlandës në fillim të tetorit. Gjatë këtyre ditëve filmi “No time to Die” po shfaqet për publikun e gjërë në Tiranë.

Përgatiti: N.Kraja