Petro Lufta është ikonografi shqiptar, i cili prej 20 vitesh e ushtron këtë profesion të veçantë. Në moshën e rinisë Petro ka emigruar në Italinë fqinje, ku spikati talenti i tij. Madje ai ishte një ndër 5 nxënësit më të talentuar të shkollës ku mësonte. Pas një eksperience të gjatë jashtë vendit Petro Lufta është kthyer në atdhe, ku punon si ikonograf.

CMG: A është fëmijëria juaj ndikuese në atë që jeni sot?

Petro Lufta: Unë e filloj dhe e mbyll bisedën me profesionin tim sepse aty ndihem mirë. Mirëpo, për të qenë një profesionist i mirë diku fillon.

Unë jam prej 20 vitesh ikonograf në Kishën Ortodokse dhe kjo kërkon një përshkushtim të madh ndër vite.

Kjo teknikë kërkon që të ketë absolutisht një përshkrim edhe në pikturë dhe unë qysh në fëmijëri kam pasur pasion për pikturën.

Ndoqa Liceun artistik dhe kështu mendoj që e kaluara ime patjetër që është gjurmë në atë që jam unë sot. Më vjen të qesh sepse kujtoj në këto çaste disa emra profesorësh të cilët më kanë mbështetur fort. Ishin ata që "brohoritën" Petro ka talent!

Më pas në adoleshencë unë kam jetuar në një periudhë tranzicioni dhe mu dha mundësia që të ikja nga ky vend. Besoj qe fati ka qenë pas meje sepse unë ika në Itali dhe aty mora ndihmë goxha të madhe nga Fondacioni Motrat e Nënë Terezës. Atje kam konkurruar për here të pare dhe u përzgjodhëm 5 veta, të cilët na dërguan për studime në një shkollë dhe më vonë e kuptova që ka qenë shkolla më e mirë.

Mendoj që ka qenë fati me mua që gjërat kanë rrjedhur kështu në jetën time.

CMG: Ju përmendni fatin, por a është jeta produkt i fatit apo i punës?

Petro Lufta: Nuk jam supersticioz dhe të besoj plotësisht në këtë pjesë.

Patjetër që mendoj se është fat, por si rrjedhojë e një pune dhe e një vullneti. Nëse ne kemi një talent dhe duhet ta ndjekim nga pas këtë talent.

Ne të gjithë " duhet të presim që të dalë dielli dhe të fillojmë të punojmë, të marrim lapsin në dorë ".

CMG: Kur jeni kthyer në Shqipëri?

Petro Lufta: Jam kthyer shpesh në vendin tim. Kjo jo vetëm për faktin që më merrte malli për vendin, por unë këtu kisha një gjë më madhore që ishin prindërit e mi, e kështu vija më shpesh.

Më kujtohet një moment i rëndësishëm, kujtim i veçantë. Isha në një pagëzim në Kalabri dhe aty u njoha me një prift kalabrez, i cili më tregoi me kërshëri historinë e Arbëreshëve. Udhëtonim në autobus nga një qytet në një qytet tjetër dhe ai nisi rrëfimin e tij...

Fliste bukur shqipen e arbëreshëve, kjo mua më bëri tepër kurioz për të përfunduar në një bibliotekë në Lungro të Italisë, ku tregohet historia e Skënderbeut.

Unë jam pagëzuar me emrin Petro sepse doja të ruaja traditën shqiptare, por në fakt quhem Saimir. Petro është emri i pagëzimit dhe do të thotë i gurtë. Doja të ruaja traditën që vij nga një vend i gurtë. Në fakt ne jemi të tillë, njerëz me karater shumë të fortë.

CMG: Ju keni përmendur udhëtimin në "Malin e shenjtë". Si ishte kjo eksperiencë?

Petro Lufta: Mali i është këmba e tretë e Greqisë. Një gadishull plot me manastire dhe murgj. Për fatin e keq aty femrat nuk kalojnë sepse janë pak fanatikë të kësaj pjese. Unë mësova atje disa sekrete të mëdha. Në aspektin e ikonografise bizantine atje ka mjeshtra dhe arrita të mësoj prej tyre shumë dhe të ndjek shembullin e tyre. Mënyra se si menaxhohet jeta atje është tepër e veçantë. Murgjit hanë dy herë në ditë dhe ushqimi shpirtëror është më i rëndësishëm për ta. Ata kanë tjetër perceptim për jetën dhe nuk para flasin shumë.

CMG: Petro, cilat janë vendet që ju çojnë paralel me kujtimet tuaja të bukura?

Petro Lufta: Kam udhëtuar shumë dhe kudo kam preferuar të marr dhe të shoh kulturën prej tyre. Pasqyrimi i kulturës është absolutisht në muze, monumente etj.

Unë kam pasur një mani për të parë dhe “vjedhur” formën dhe ngjyrën nga artistë të mëdhenj. Unë jam krenar për Onufrin dhe kudo ku shkoj flas për të, ndjek shembullin e tij dhe jap më të mirën.

Janë mbresëlënëse ikonat e Elbasanit, Beratit ku kryeprofesori ishte Onufri. Ai ishte i vetmi që mbajti studentë, të cilëve u jepte detyra që më pas i përfundonte vetë.

CMG: Me çfarë po merreni aktualisht?

Petro Lufta: Aktualisht po punoj në Katedralen Ortodokse në qendër të Tiranës. Kam mënyrën time të të punuarit dhe se si e menaxhoj.

Dua të krijoj disa vepra arti e të hap një ekspozitë pas disa vitesh me teknika post bizantine, bizantine apo paleologe për të punuar me ngjyrat e vjetra. Teknika latine dhe bizantine janë dy forma të ndryshme, por unë i kam bashkuar këto dhe kam krijuar karakterin tim.

CMG: Cilat janë vendet ku do të donit të ushtronit profesionin tuaj?

Petro Lufta: Unë jam fanatik i vendit tim dhe do të zgjidhja Shqipërinë.

Do doja të lëvizja për të marrë kultura të ndryshme.

Pershembull do doja të shkoja në Palestinë për të marrë prej atij vendi kulturë, por për të punuar absolutisht vetëm në Shqipëri.

CMG: Cilat janë praktikat e ikonografisë?

Petro Lufta: Varet nga vendi ku ushtrohet dhe mësimet që merren. Është tepër e rëndësishme që të marrësh mësimet e duhura në kohën e duhur, duke marrë parasysh aspektin moshë.

Siç mblodhi Shën Kostandini grupin e tij të punës, i cili krijoi dhe perandorinë Bizantine. Ai në fakt krijoi një perandori edhe me mjeshtra të cilët krijuan tepër, ndaj është e rëndësishme nga ne të marrim praktikën.

CMG: Cila është urtia më frymëzuese për ju?

Petro Lufta: Nje vend po nuk pati histori, ska vlerë! Këtë vlerë e ndërtojnë njerëzit me besim tek po ai vend.

Nëse ne nuk e bëjmë vendin tonë për ta çuar përpara artin që na kanë lënë të parët tanë, nuk ka asnjë lloj kuptimi.

Intervistoi: Megi Latifi