raki
Eshtë turp për shqiptarët, nëse vjen miku në shtëpi dhe nuk gjen raki. Rakia mban një vend të veçantë në stilin e jetës, ajo shoqëron ceremonitë më të veçanta të ekzistencës, lindjes, dasmat dhe funeralet. Eshtë simbol i mikpritjes, për të ndarë momente me njerëzit, të mira apo të vështira.
Sigurisht që rakia nuk është pije autentike shqiptare. Kërkimet e fundit kanë zbuluar se procesi i bërjes së rakisë, ka shumë të ngjarë të ketë mbërritur në Gadishullin Ballkanik nga Azia, shekuj më parë. Fjala raki është gjithashtu me origjinë arabe. Sidoqoftë, rakia konsiderohet si një pije kombëtare nga shqiptarët, bullgarët, serbët, turqit, boshnjakët dhe pothuajse të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Disa nga vendet e Ballkanit madje janë përpjekur ta regjistrojnë atë si një markë tregtare. Prandaj është është mirë të kihet parasysh se pyetjen "Kush e shpiku rakinë?" meqë është një pyetje e ndjeshme, më mirë ta lëmë pa përgjigje.
raki
Në Shqipëri, nga veriu në jug shumë familje mbajnë hardhi dhe e kultivojnë vetë rakinë. Ndonëse ajo është shumë e dashur si pije në të gjithë vendin, ka disa zona që njihen për një traditë të shkëlqyer në prodhimin e llojeve të veçanta të rakisë.
Rakia mund të prodhohet nga pothuajse çdo frut. Kjo pije mund të konsumohet para ose pas ngrënies dhe ndonjëherë edhe në mëngjes ndërsa pini një kafe.
Raki mani Boboshtice
Rakia e manit
Zona e Korçës, që konsiderohet si një prej rajoneve me klimën më të thatë të Shqipërisë, ka traditën më të mirë në prodhimin e rakisë së manit. Fshatrat e Boboshticës, Drenovës dhe Trebickës kanë një traditë të pasur në prodhimin e manave, një frut që transformohet në një raki të shijshme me fame, që kapërcen kufinjtë e Ballkanit. Banorët e këtyre zonave i shkundin lehtë pemët e manit, për të mbledhur lehtë frutat, të cilët më pas futen në kazanë druri, ku lihen të fermentohen për deri në 7 ditë.
Mushti më pas distilohet dy herë në enë bakri. Kjo raki unike ka një ngjyrë të gjelbër të çelët dhe një aromë delikate manash dhe barishtesh. Ajo është e famshme, jo vetëm në Korçë, por edhe në zonat përreth saj. Megjithatë, rakia e manave të Boboshticës është e vështirë për t’u gjetur në treg. Sasitë e saj janë shumë të kufizuara për shkak se ajo prodhohet kryesisht për përdorim shtëpiak.
raki rrushi
Raki rrushi
Rakia e rrushit është më e njohura dhe e përhapura në vend, por më e mira është aj që prodhohet në Skrapar. Stina e vjeshtës në Skrapar njihet ndryshe si stina e rakisë. Në fakt rakia e Skraparit është shumë e njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Kur vijnë turistët e huaj për të vizituar kanionet, gjëja e parë që kërkojnë për të provuar është rakia e Skraparit, e cila krahasohet me uiskin skocez dhe atë gjerman.
Në përgjithësi zona e Skraparit prodhon një raki të fortë me një përqindje alkooli që shkon nga 22-30%. Po si përgatitet ajo? Rrushi kultivohet nëpër pjergulla. Pasi vilet, shtypet dhe lihet për 25 ditë, pothuajse një muaj, që është edhe koha e duhur e fermentimit. Fermentimi i duhur i rrushit kuptohet edhe nga një erë e fortë karakteristike.
Kur arrihet ky fermentim, bërsitë janë gati për tu nxjerrë raki. Bërsitë e rrushit më pas zihen në kazanë bakri ose druri. Duke kaluar nëpër tubat e bakrit, ndodh procesi i kondensimit dhe avujt kthehen në raki.
Më pas rakia ruhet nëpër shishe të vogla prej qelqi.
raki Thane
Raki thane
Në fakt ka disa zona në Shqipëri që e prodhojnë rakinë e thanës, por si më e mira prej tyre, konsiderohet ajo që prodhohet në Tropojë.
Është raki pa ngjyrë, e distiluar nga fruti i thanës, që rritet në zonës e Tropojës. Gradacioni I saj shkon nga 20-21 gradë, ndërsa volumi i alkoolit shkon nga 40-42%. Kjo raki, kaq e dashur dhe e kërkuar, është fantastike pasi prodhohet në mënyrë artizanale dhe tradicionale. Eshtë një produkt bio, se prodhohet në zonë pyjore të Tropojës, të cilat janë larg zonave të banuara dhe nuk ka asnjë lloj trajtimi me preparate kimike.
Për të bërë rakinë e thanës, mblidhen frutat dhe vendosen në fuçi druri prej dushku ose gështenje, e cila vendoset në hije në temperaturë 18-24 gradë. Në përgjithësi, bërsia është gati për distilim pas 24-30 ditësh. Distilimi bëhet në kazanë bakri. Pas distilimit rakia degustohet. Rakia vendoset në enë druri ose qelqi dhe është e gatshme për t’u përdorur pas 6 muajsh.
Prodhimi i rakisë së thanës është shekullore. Popullsia e zonës rurale të Tropojës ka shfrytëzuar burimet natyrore për përgatitjen e rakisë së thanës, e cia është një pije e preferuar për vendasit dhe turistët.
Neritana Kraja