“Kapterr Behari” është premiera e re në Teatrin e Metropolit në Tiranë, që u shfaq me regjinë e vetë autorit, dramaturgut dhe shkrimtarit Stefan Çapaliku.

Ky është produksioni më i ri për këtë sezon dhe merret me Shqipërinë e viteve ’70-’80, një epokë e parë nga sytë e kapterr Beharit. Një dramë për dimensionin njerëzor, për lirinë, për vlerat dhe ndjeshmërinë njerëzore, që nuk mund t’i fshijë asnjë periudhë, çfarëdolloj mjetesh të përdorë.

Eshtë një dramë e shkruar dhe interpretuar në mënyrë të shkëlqyer, bazuar mbi një tregim të vetë autorit, me monolog shumë të bukur, për të ndriçuar atë pjesë të vetëdijes sonë, që ende është në errësirë.

Kjo dramë vjen si histori politike, përtej, një historie njerëzore e atyre burrave dhe grave që mbijetuan falë shpirit, njerëzores dhe fisnikërisë së tyre. Pas premierës, e cila u prit shumë mirë nga publiku, autori dhe regjisori Stefan Çapalikun, u shpreh për median lidhur me shfaqjen:

“Ne jemi një shoqëri e molepsur me kulturën e dyshimit, thotë ai. Kemi kulturën e mohimit që është si pasojë e kulturës së dyshimit dhe ajo çfarë është më e keqja është të jetuarit në dy jetë paralele. Një jetë në shtëpi dhe një jetë jashtë shtëpie. Këto dy vija paralele nuk janë takuar asnjëherë. Në këtë jetë dyfishe zgjohen ato elemente të nëndheshme, që janë pjesë e subkonshit, që janë pjesë e mungesës së lirisë individuale dhe krijojnë një figurë siç është kapterr Behari”, konstaton Çapaliku.

Në rolin e kapterr Beharit interpreton aktori Ervin Bejleri. Kapterr Behari, në dramë është përgjegjës në burgun e Burrelit dhe lexon çdo ditë me altoparlant të burgosurve libra politikë dhe gazetat e ditës. Ndërkaq Pjetri, një i burgosur veteran, ngarkohet herë pas here nga komandanti i burgut të përkthejë materiale top secret. Për të bërë këtë punë atij i lirohet njëra nga tre qelitë e burgut. I vihet në dispozicion një makinë shkrimi dhe një tufë me letra.

Kapterr Behari, kurioz se çfarë është duke përkthyer Pjetri bie në grackën e subjektit romantik të shënimeve të konsullit britanik në Tiranë. Prej asaj kohe toger Behari nis ta përjetojë me mish e me shpirt historinë librore dhe në të njëjtën kohë fillon një jetë paralele, duke u përpjekur që personazhin femëror të shënimeve të konsullit ta projektojë te figura e Lizës. Liza është banakieria e klubit të qendrës së qytetit, e pamartuar dhe në sytë e të gjithë meshkujve të qytetit, moleston seksualisht kapterr Beharin.

E gjitha drama zhvillohet brenda qelisë, ku takimet e përditshme me përkthyesin dhe njeriun e ditur Pjetër, e shndërrojnë kapterr Beharin, në një tjetër njeri.

Që prej asaj dite vizitat e Kapterr Beharit në qelinë e Pjetrit shpeshtohen aq shumë sa bien në sy edhe të autoriteteve të burgut. Prej kësaj presioni rritet. Kapterr Behari nuk ia del dot ta përballojë represionin dhe një natë vendos të vetvritet.

Shfaqja ka karakter koncertor në kuptimin e dy sjelljeve estetike të artistëve në skenë. Më së pari aktorët luajnë mbi parimet e teatrit epik, duke treguar se kush janë dhe çfarë duan, pra sipas parimeve të Brehtit. Së dyti ato komportohen mbi parimet e përfshirjes në ngjarje dhe në rrethanë, mbi parimet e teatrit të Stanisllavskit. Të dyja këto sjellje estetike përmblidhen në një shfaqje minimaliste. Minimalizmi nuk rrëfehet vetëm në skenografi dhe kostumografi, por edhe në stilin interpretativ. Kjo estetikë e bën shfaqjen kompakte dhe ekspresive.

Në rolin e Pjetrit interpreton aktori Naun Shundi, dhe sipas kritikës, ndoshta një prej roleve të tij më të mira. Të njëjtin gjykim për interpretimin e Shundit ka edhe vetë Çapaliku kur thotë se “ky rol e pasuron tërë galerinë e roleve të Naun Shundit sepse kemi për herë të parë tek ai një figurë shumë emocionale”.

Eksperienca, mosha, përvoja dhe sidomos “rasti i bukur” ia solli këtë rol aktorit Naun Shundit. Zëri dhe fjalët, plastika dhe lëvizjet, veprimi dhe gjestet, imazhi dhe kostumet, përshtatja dhe reagimi, gjithçka është kaq konkrete në lojën e aktorit. Një interpretim plot ndjenjë e drithërimë, që i shkon aq shumë aktorit, në tunele e zhbirilime psikologjike të shpirtit njerëzor, i gjendur në frikë, por çuditërisht i mbetur deri në fund poetik. Në rolin e Shundit shohim njeriun e vërtetë, të cilit i besojmë dhe prandaj vuajmë tok me të.

Në dramën “Kapterr Behari” tragjikja dhe komikja shkojnë bashkë. Eshtë e pamundur t’i ndash, thotë autori dhe regjisori i shfaqjes. Eshtë një shfaqje që i shtyn njerzit të mendojnë, të reflektojnë pasi ky është edhe qëllimi i artit.

“Aspektet tragjike që kësaj drame kalojnë pa dashje prej kufirit komik. Pra të jetosh të ecësh në një border line midis tragjikes dhe komikes, është një prej ushtrimeve më të vështira estetike, si në teatër, kinema, letërsi po ashtu. Personazhi i kapterr Beharit kalon në situata komike, është e pamundur të mos kalojë në situate komike. Psh një rast është kur ai për të shprehur dashurinë që ka ndaj Lizës, që është një tjetër personazh i bukur, një personazh i drejtë, kësaj here një personazh femëror, shkruan një poezi, që në të vërtetë është një simbolikë e formimit të tij dhe vetëm takimi me Pjetrin e transformon atë në një krijesë quazi normale. Gjatë kësaj përpjekje ai bëhet edhe poet”.

“Kapterr Behari” është një pjesë që të bën të reflektosh shumë për fatet njerëzore. Eshtë një super dramë. Aty në sallën tejet të vogël të Teatrit të Metropolit, dramaturgu dhe regjizori Stefan Çapaliku zgjidhi nga zinxhirët qenin filozofik dhe ndjesor të njeriut "Kapterr". Një sukses i merituar i aktorëve dhe Çapalikut, që menjëherë ka nisur punën për një projekt të ri, të cilin do ta vërë së shpejti në skenë.

Neritana Kraja