Nëse keni vendosur të qëndroni në Dhërmi, fshatin ndoshta më pikturesk të rivierës së jugut, pa hezitim mund të thuhet se po bëni një nga turet më të bukur e të plotë, duke ndarë ditët e qëndrimit, mes detit të bruztë dhe fshatit, të gdhëndur në gur. Kjo është mënyra më e mirë për të shijuar Dhërmiun, për të kuptuar se Dhërmiu, nuk është vetëm plazh dhe vend luksi për të rinjtë, por edhe një fshat mjaft atraktiv për vizitorët. Në fakt kjo qasje, është e përshtatshme për ato vizitorë që preferojnë historinë, arkitekturën, gjeografinë dhe i gëzohen kontrasteve të natyrës. Nuk është një guidë për të rinj të zhurmshëm, që preferojnë vetëm detin dhe jetës e natës, që në fakt këtu ka kulmin e saj. Por ne do dëshmojmë një Dhërmi tjetër, atë të kishave dhe detit.

Si të shkosh

Rruga përgjatë rivierës, pasi keni kaluar qafën e Llogarasë, kalon në fshatin Dhërmi i cili është menjëherë i dallueshëm për shkak të një kodre të bukur ku është i vendosur, shtëpive të bardha prej guri me çati tjegullash të kuqe dhe kishave të hijshme.

Në majë të kodrës, që nga rruga shikohet një kishë e bardhë që përshëndet udhëtarët që kalojnë lart në fshat, apo poshtë në rrugën e bregut. Ajo është Kisha e Shën Marisë, që ndodhet brenda Manastirit të Panaisë, mu në krye të fshatit, në një zonë dominuese të tij.

Kisha quhet ndryshe edhe Kisha e Bardhë për shkak të ngjyrës së mureve të saj. Në brendësi bien në sy hapësirat e mëdha dhe burimet natyrale të dritës të cilat i japin më shumë hijeshi, si dhe afresket murale.

Në fakt, me makinën tuaj, duhet të devijoni nga kodra, majtas, përmes një rruge tjetër, që të ngjiteni me makinën tuaj, për në fshat. Rruga është e mirë dhe e lehtë për tu bërë. Por mund të ngjiteni edhe në këmbë, nëse makinën e poziciononi tek burimi, në një xhep të rrugës të krijuar për këtë qëllim dhe përmes shkallave të gurta, filloni ngjitjen e cila në fillim ju çon në oborrin e Kishës së Shën Spiridonit dhe që bie në sy me kupolën e saj mbresëlënëse, ngjyrë blu. Oborri i kishës, ju lidh me rrugicat e gurta të fshatit. Hap pas hapi, portik, pas portiku, kalldrëm pas kalldrëmi, derë pas dere, gati si në një labirint gurësh, ju do të hyni në mbretërinë e gurtë të Dhërmiut, i cili nga çdo cep i fshatit, të ofron pamje të mrekullueshme të horizontit. Aty akoma dëgjon trak trakun e gurëve që skaliten e shtrohen nga ustallarët që po punojnë për të përfunduar projektin e financuar nga Banka Botërore për ristruksionin e fshatit me qëllim kthimin e tij në një atraksion të jetuar turistik.

Në mes të sezonit turistik, i gjithë fshati zhurmon nga turistët të cilët akomodohen në shtëpitë. Pothuajse të gjitha lëshohen me qira për pushuesit. Kryesisht janë të huaj, që rezervonë përmes plaformave online.

Në Dhërmi, pak ka banorë të përhershëm që jetojnë aty në çdo stinë. Shumica janë larguar drejt qëndrave më të mëdha banuese, ndërsa shtëpinë në fshat e kanë mbajtur si relike turizmi, për vete apo thjesht për biznes, duke e dhënë me qira.

Ato shtëpi që janë përherë të banuara, dallohen për lulet mahnitëse në dritare, karajfilët dhe borzilokët kundërmojnë në dritaret e tyre. Pjergullat e rrushit kapërcejën muret e oborrit, për tu lidhur me murin përtej, dhe ju ndjeni praninë e stinës dhe mikpritjen e tyre që ofrojnë çfarë tu ndodhet për mysafirët e fshatit, njohur e panjohur. Fiq, rrush, kumbulla, natyra është bujare në këtë fshat, edhe banorët gjithashtu. Edhe ju mund të akomodoheni në fshat, pikërisht në një nga shtëpitë e gurta dhe të mbusheni me kënaqësi dhe ajër të pastër.

Nëse dëshironi të qëndroni për të fjetur në fshat, detyrimisht duhet të ngjiteni me makinë nga rruga pas, për shkak të bagazheve tuaja. Ajo ndalon në një vend të sheshtë parkimi dhe deri aty mund të ngjiteni me makinë.

Pjesa tjetër është në këmbë mes kthinash e shtëpish piktureske. Por nëse do të akomodoheni në resortin luksoz që është ndërtuar së fundmi dhe ndodhet në majë të fshatit, atëherë do zbresin t’ju marrin me makinë të vogël turistike, e cila shërben vetëm për të marrë dhe përcjellë turistët.

Ky është “Resorti Zoe Hora”, i vetmi i këtij standarti, që ndodhet në një pikë, për të mos thënë më e bukura e fshatit. Në fakt bëhet fjalë për ndërtesa me një arkitekturë që shkon në unison me të gjithë ndërtimet që mbizotërojnë në fshat, me gur të gdhëndur, dru dhe hekur. Resorti ka një ballkon panoramik, që i përket barit të resortit dhe ofron një pamje unike mbi det. Gjithashtu një pishinë fantastike, ngjan si një oaz blu në majë të kodrës, mjaft relaksuese për syrin dhe trupin. Resorti zë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe është i mbushur me lule apo kaktuse, fiq deti dhe bimë aromatike.

Atraksionet

Edhe pse nuk është një fshat i madh, Dhërmiu dhe rrethinat e tij janë shtëpia e më shumë se tridhjetë kishave, disa prej të cilave vërtet ia vlen të vizitohen.

Ju treguam se si në fshatin e vjetër të Dhërmiut, nuk mund të humbisni mundësinë për të ndaluar dhe admiruar Manastirin e Santa Marisë, tek i cili duhet të ngjiteni përmes ca shkallëve që zgjasin e zgjasin deri në majë të kodrës, por që ia vlen. Po aq magjepsëse dhe të ruajtura mirë janë Manastiri San Teodoro, i vendosur pikërisht në kodrën e qytetit, Manastiri i Stavridhi dhe Manastiri i Virgjëreshës Mari, i vendosur në kodrën e Drymades. Të gjitha këto kisha karakteristike, arrijnë të tërheqin vëmendjen e turistëve, që janë më të vëmendshëm ndaj historisë së zonës që po vizitojnë, por do të jenë në gjendje të magjepsin edhe ata që kanë ardhur këtu vetëm për të shijuar ujërat e kristalta të zonës.

Deti

Në zbritje drejt bregdetit, plazhi i Dhërmiut është simbol i detit të pastër, ujit me ngjyrë të bruztë dhe gjelbërimit. Dhërmiu ka plazhe me guralecë, të mbuluar nga ujërat e kristalta.

Me makinën tuaj, ju mund të zbrisni nga fshati për në plazh dhe të zgjidhni plazhin që pëlqeni. Ka disa të tillë, Gjiri i Gjipesë, Drimadhes, Palasës. Tek të gjithë mund të gjeni zhezlongë me pagesë e cila gjatë kulmit të sezonit, shkon edhe në 2000 apo 3000 lekë, por për të shmangur çmimet abuzive, ju mund të përdorni hapësirat publike për të vendosur çadrën tuaj, pa pagesë. Në fakt këto janë zona të vogla, në raport me pjesën tjetër ku gjithçka paguhet, por nëse kërkoni me durim, mund të gjeni zona të tilla, të cilat e kanë të shkruar në tabelë Plazh publik.

Më e thjeshta fare dhe ajo çfarë është më bukur të bëni, me një peshqir të vogël, mund të pozicionoheni mbi ndonjë shkëmb a gur të bregut dhe të kridheni në ujrat e pastër të Jonit sa herë të keni dëshirë, pa paguar asgjë e pa u munduar me çadra apo sende të tjera private.

Në plazhe mund të gjeni bare të vogla në breg, të cilët ofrojnë gjithçka për ju, por edhe restorante ku gatuhet kryesisht peshk dhe pica. Gjithmonë bëni kujdes me çmimet, nëse nuk jeni të kujdesshëm ato mund të jenë abuzive, për shkak të dyndjes së madhe gjatë kulmit të sezonit. Ajo çfarë bie në sy janë sidomos klubet shumë të bukura dhe të zhurmshme. Eshtë zgjedhja juaj nëse do të ndaloni aty. Ne rekomandojmë bare më të vegjël dhe më të qetë, për të shmangur muzikën e lartë që vjen nga gëzimi i të rinjve të cilët pëlqejnë një lloj tjetër turizmi.

Nëse ju pëlqen të akomodoheni në breg e jo lart në fshat, ne rekomandojmë Hotel Imperial. Hoteli ndodhet në fillim të Dhërmiut, pranë kryqëzimit që të çon në plazhin spektakolar të Drymades dhe atë të Dhërmiut. Dhomat janë të bollshme, të rrethuara nga një kopsht i harlisur dhe ofrojnë pamje të bukur të detit. Qetësia dhe relaksi janë të garantuara.

Për të pirë rekomandojnë rakinë e fshatit, të shoqëruar me djathë dhie, ullinj të zonës dhe peshk të freskët. Ndërsa sa i takon kohës më të mirë për të vizituar Dhërmiun, për tipologjinë e pushuesve që kemi zgjedhur të fokusojmë, është qershori dhe shtatori.

Neritana Kraja