Ekziston një shprehje: “Nëse dëshiron të dish se ç’ndodh në një qytet, duhet të shohësh muret e tij”.

Në fakt, prej disa vitesh, shumë artistë shqiptarë dhe të huaj kanë zgjedhur të instalojnë veprat e tyre në fasada ose në qoshe të vogla të rrugëve në Tiranë. Nga ky kontekst i gjallë lindi "MurAl Fest", festivali i artit urban i organizuar nga Bashkia e Tiranës.

Muret e Tiranës, kryesisht fasadat gri të pallateve të larta, i kemi parë të pikturuara gjatë kohëve të fundit me fëmijë, të rinj, kafshë, personazhe filmash, etyde nga jeta familjare brenda rutinës së përditshme, etj. Të pikturuara në përmasa gjigande, duket sikur jeta normale ka dalë nga kufizimet e zakonshme të shtëpisë dhe ka fituar hapësira më të gjëra urbane, duke u bërë pjesë e jetës së përbashkët të qytetit dhe hapësirës publike. Shpejt këto piktura në mure, janë shndërruar në pasuri shpirtërore të qytetarëve, duke i dhënë stil dhe karakter qytetit. E tillë është magjia e artit urban, që prej disa vitesh i ka kthyer muret në telajo, duke iniciuar atë që njihet si “MurAl Fest”.

Edhe këtë vit ngjyrat e MurAl Festit, kanë nisur ta ndezin Tiranën. Janë 20 artistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët i janë bashkuar projektit për të pikturuar në dhjetë mure të tjerë të Tiranës.

Këto godina, nga më të lartat, do të vishen me ngjyra, duke sjellë një pamje tjetër në artin publik në kryeqytet.

Aktiviteti ka nisur me datën 25 gusht dhe do të përfundojë me datën 1 tetor. Kuratori i Muraleve, piktori Helidon Haliti, i diplomuar për pikturë, në specialitetin “Monumentale”, është zgjedhur për të drejtuar këtë projekt impresionues për rrugët e kryeqytetit shqiptar. Menjëherë pas shpalljes zyrtare të fillimit të punës, ai ka bërë të njohur për mediat detaje të projektit.

“Vendosëm këtë këtë vit ta bënin bashkë me Dekor Tiranën. Mu kërkua të bëj kuratorin dhe unë atë e ndaj me një nga djemtë më me eksperiencë që e kam njohur në vitin 1998, Kirjakos Iosifidis, i cili është ai që ka krijuar revistën e parë “Carpen Diem”, me eksterieret e pikturimit, ku ka përfshirë edhe Tiranën atëherë kur projektin e bënte Edi Rama me Anri Salën. Është një vazhdimësi shumë interesante nga lyerja ekstravagante e viteve 2001 për një rikthim të një pikturimi të pikturës monumentale”, shprehet kuratori Helidon Haliti.

“Kuratorët e këti viti, e kanë parë zhvillimin e këtij qyteti si zhvillimin e një femre të bukur, e cila nis rugëtimin e saj me ëndrra që nga rinia e hershme”, shton më tej Haliti.

Muralet tematike e kanë ndryshuar tërësisht fytyrën e Tiranës, e cila sot është një nga kryeqyetete me më shumë ngjyra në Evropë. Në fakt, përgjatë rrugëve të Tiranës, ndodh shpesh të hasësh në vepra arti shumëngjyrëshe, një pjesë e të cilave fillimisht u krijuan nga artistë lokalë të rrugës, por që shumë shpejt u mbështeten nga Bashkia dhe sot nga një ngjarje spontane, kemi të organizuar një aktivitet të rëndësishëm, ku artistë të njohur, marrin rolin e kuratorit, ndërsa artistë nga bota, vijnë për të realizuar muralet nëpër rrugët e Tiranës.

“Janë ndër dhjetë artistët më në zë të huaj duke nisur nga Case nga Gjermania, Manomatic nga Spanja, Same 84 nga Greqia, ËD nga Indonezia,Mattia Campo nga Italia apo Ëuper nga Serbia”, shton kuratori.

Kuratori Helidon Haliti tregon se, çfarë i bashkon këta artistë të rinj, është pasioni për artin në përgithësi dhe artin e grafitit në veçanti dhe se artistët vijnë për të pikturuar, për kënaqësinë e tyre.

“Ata e shohi si një sfidë për tí pushtuar këto mure dhe ky është feat back –u që ato marrin”, thotë Haliti.

Nëse përqendrimi më i madh i këtyre punimeve deri më tani, gjendej në Bllok, lagjia më snobe e Tiranës, në Rrugën Myslym Shyri, një nga rrugët më elegante të qytetit dhe në Bulevardin Bajram Curri, rruga që kalon përgjatë lumit Lana, tani projekti do të shtrihet tek “Komuna e Parisit”, “Rruga e Kosovarëve”, në unazën e vogël dhe në qendër në Tiranë, në godina që shkojnë deri në 60 metra.

Me tendencën e re të pikturimit të mureve, i gjithë qyteti është një përzierje ngjyrash, shkrimesh, mbishkrimesh: është e pamundur të mos jesh i magjepsur nga stili i Tiranës i cili, edhe pse i ndryshëm nga kryeqytetet e tjera të Evropës Lindore, ka një bukuri unike dhe të paimitueshme.

Dhe energjia në këto sheshe dhe rrugë është e dukshme. Bumi turistik i bregdetit jugor ka arritur të tërheqë vizitorë dhe turistë edhe në kryeqytet. Nga ana kulturore dhe krijuese, Tirana po bëhet një pol tërheqës për artin bashkëkohor, falë galerive të shumta të artit, por edhe botës shumëngjyrëshe të artit të rrugës.

Tematika e përzgjedhur në muralet e realizuara deri tani në Tiranë është mjaft e gjërë. Kryesisht ato japin mesazhin e vazhdimësisë, duke shprehur vlerat njerëzore dhe shoqërore si dhe duke respektuar identitetin multikulturor.

MurAL Fest Tirana është një kontribut unik, i cili i ka dhënë dhe do t’i japë qytetit një nxitje për transformimin e Tiranës në kryeqytetin e artit dhe kulturës, një urë tregimesh të reja vizuale në Ballkan, si dhe bashkëpunime të pandërprera.

Jeta e përditshme me rrugët dhe historitë e saj, janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe riEvidentuar një përzierje të gjuhëve, me qëllim krijimin e identitetit dhe ridizenjimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re.

Muralet si këto që po pikturohen në Tiranë konsiderohen atraksione turistike, pasi shumë njerëz udhëtojnë drejt Berlinit apo Lisbonës vetëm për të parë artin publik në fasadat e ndërtesave.

Nëse pallatet e Tiranës, dikur bënë bujë se u lyen me ngjyra, tani arti është ulur këmbëkryq në rrugë, pasi sot fasadat dekorohen me piktura të detajuara, abstrakte a realiste. Për të parë sesi arti urban ka zbritur në rrugë, mjafton të vini në Tiranë ku në fillim të muajt tetor do të kemi edhe dhjetë mure të tjerë të pikturuar.

Neritana Kraja