Ka startuar Mural Fest në Tiranë duke sjellë një numër të konsiderueshëm prej 20 artistësh nga vende të ndryshme të botës që do të pikturojnë dhjetë mure të Tiranës.

Këto godina, nga më të lartat, do të vishen me ngjyra nga më të ndryshmet, duke sjellë një pamje tjetër në artin publik në kryeqytet.

Kurator është piktori Helidon Haliti, ndërsa të ftuar janë artistë të huaj me zë. Projekti do të zhvillohet te Komuna e Parisit, Rruga e Kosovarëve, në unazën e vogël dhe në qendër në Tiranë, në godina që shkojnë deri në 60 metra. Ky projekt, sipas kuratorit Haliti, është një vazhdimësi nga lyerja ekstravagante e viteve 2001 për një rikthim tek pikturimi i pikturës monumentale.

Mbi 108 mijë vizitorë në parqet arkeologjike e muze në 6-mujorin e parë 2021

Mbi 108 mijë vizitorë vizituan parqet dhe monumentet historikë e kulturorë në vend gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2021, duke shënuar rritje, por ende numër relativisht të vogël krahasuar me vitet para pandemisë.

Shifra u bë publike nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti sipas së cilës “jemi ende larg rekordeve të vitit 2019, por pas pandemisë që gjunjëzoi gjithë globin, po ringrihemi plot shpresë”, citon Atsh.

Brenda këtyre muajve 2021 kanë njohur rritje të numrit të vizitorëve, sidomos qytetet pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si Berati e Gjirokastra, por edhe parqet arkeologjike si Apolonia, apo edhe zonat arkeologjike në Tiranë.

Shifrat tregojnë se turizmi kulturor në Berat është në rritje dhe këtë e dëshmon fakti se gjatë muajit korrik Beratin e vizituan rreth 30 000 vizitorë.

Edhe muzetë e Krujës kanë njohur rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me vitin e kaluar. Nga fillimi i vitit, numri i vizitorëve ka pasur një tendencë në rritje nga dita në ditë. Nga janari deri në qershor këta muze i kanë vizituar 13 mijë vizitorë, 2.5 herë më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Grupi arbëresh “Shega”do të performojë në Tiranë

Më 25 gusht 2021, Grupi “Shega” do të zhvillojë koncert tek “Reja” në Tiranë. Koncerti organizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe traditave kombëtare. Grupi i të rinjve arbëresh do të prezantojnë për publikun një mbledhje këngësh në gjuhë arbëreshe nga albumi i tyre i parë.

Grupi “Shega” është themeluar nga një grup të rinjsh nga Hora e Arbëreshëve të Sicilisë. Pak ditë më parë grupi përuroi albumin e tyre të parë me të njëjtin emër. Albumi është një mbledhje këngësh në gjuhë arbëreshe.

Shega është fruti i ri i muzikës arbëreshe: shumësia e kokrrave dhe njësia e frutit kujton një komunitet; atë arbëresh, që pas pesë shekujsh, jo vetëm ruan gjuhën, kulturën e traditat e të parëve, por edhe di të jetë bashkëkohor.

Margariti, ftesë për të vizituar kishat e manastiret tashmë të restauruar

Në ditën e Shën Mërisë, festë e cila ka mbledhur besimtarët në vendet e shenjta, atmosferës i është bashkuar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila solli pamje nga ikona e Shën Mërisë, tashmë e restauruar.

Ajo ftoi qytetarët të vizitojnë kishat e manastiret, që mbajnë këtë emër, restauruar e nxjerrë në dritë, si pjesë e trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore.

Restaurimi i ikonës së Shën Mërisë e vitit 1746, u realizua në laboratorin e restaurimit dhe konservimit të veprave të artit mesjetar. Ikonat që paraqesin Shën Mërinë gjenden pothuaj në gjithë kishat mesjetare në vend.

Sarandë, zhvillohet panairi i suvenireve turistike

U zhvillua në Sarandë, për tre ditë, nga data 19-21 gusht, Paniri i 9 Kombëtar i Suvenireve Turistike, Miqësore me Mjedisin, një event i përvitshëm dhe tradicional.

Në këtë edicion morën pjesë rreth 70 subjekte artizanale nga territore etnokulturore të ndryshme të bashkive në vend, si dhe nga trevat etnike të Kosovës, Malit të Zi.

Panairi i 9-të Kombëtar “Saranda, 2021″ synonte të promovojë resurset e traditës së artizaneve shqiptare në fushën e punimeve të dorës, me realizime të artikujve në material të llojeve të ndryshme. Në panair janë prezantuar punime të qëndisjes me dorë, punime në tezgjah, punime arti në gjilpërë dhe endje, në filigram, bizhuteri shqiptare, krahas veshjeve kombëtare që përbëjnë gjithmonë një magji më vete.

Panairi u organizua nga Agjencia Joniane e Mjedisit në Sarandë me mbështetjen e Bashkisë së këtij qyteti. Eventi përfshihet çdo vit në kalendarin e aktiviteteve të Sarandës dhe shërben si një atraksion më shumë për turistët që vizitojnë gjatë sezonit të verës këtë qytet.

Kalaja e Borshit i nënshtrohet mirëmbajtjes

Kalaja e Borshit, apo siç njihet ndryshe Kalaja e Sopotit, që ndodhet në majë të fshatit Borsh, i është nënshtruar procesit të mirëmbajtjes. Çdo vit kjo kala vizitohet nga turistë të shumë që kryesisht zgjedhin të bëjnë pushimet në bregdetin e Borshit.

Borshi është një nga zonat turistike më të bukura të Rivierës Shqiptare, me ullishte që shtrihen deri afër detit e me një panoramë mbresëlënëse. Por kjo zonë ofron edhe turizëm historik e kulturor, sic është kalaja e Borshit. Së fundi, Kalaja së Borshit i është nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes, për ta bërë më të aksesueshme për vizitorët që paraqesin interes.

“V në kub”, një komedi për gratë, hap sezonin në Fier

“V në kub” është shfaqja më e re e zhanrit komedi që çeli siparin e projekteve të reja artistike në skenën e teatrit “Bylis” në Fier, duke përcjellë mjaft emocione tek artëdashësit.

Me regji të artistit shkodran Bruno Shllaku komedia ka në qendër të saj jetën sentimentale të tre grave të reja, me profesione të ndryshme në kërkim të dashurisë së tyre. Ato me lojën e tyre sjellin jetën sentimentale, kërkimin drejt lumturisë, vështirësitë që hasin për të gjetur lumturinë e tyre. Shfaqja trajton barazinë gjinore dhe shumë probleme aktuale të kohës. Në role interpretojnë aktoret fierake Mimoza Marjanaku, Rudina Nallbani dhe Miola Sitaj.

Përgatiti: N. Kraja