Pak kush e di se disa këngë të bukura që ne i konsiderojmë thjesht “popullore”, si “Lulja me erë”, “Zanusha”, apo “Turtullesha”, në të vërtetë e kanë një nënshkrim: janë krijuar nga mjeshtri i madh i muzikës, nga etnomuzikologu i shquar shqiptar Ramadan Sokoli.

Njeriun që me studimet e tij vendosi kufijtë etnokulturorë, ndërmjet popujve ballkanikë, që studio me baza shkencore isopolifoninë, që studio si askush folklorin shqiptar dhe nxori nga pluhuri i kohës, vlerën e muzikantëve të hershëm, që studio vallet dhe nxori vlerën shkencore të lahutës, që krijoi një korpus elegant të trashëgimisë kulturore me punën e tij, e kujtojmë në 101 vjetorin e tij të lindjes, duke i dhënë të gjithë respektin që meriton.

Etnomuzikologu i shquar profesor Ramadan Sokoli, u lind 101 vite më parë në djepin e kulturës shqiptare në Shkodër. Shkodra, kjo vatër e qytetërimit të lashtë ka nxjerrë shumë talente të spikatura në fushën e artit, kulturës, letërsisë dhe sportit. Një nga këta pinjollë, është dhe Ramadan Sokoli. Aty ai nisi rrugën e formimit arsimor dhe kulturor, ku pa kuptuar, dalngadalë, do ngjitej në majat më të larta të krijimtarisë shkencore dhe botuese të folklorit dhe muzikës. Dirigjenti Zhani Ciko, njëkohësisht ish nxënës i Ramadan Sokolit, është ndër ata artistë që flet me shumë respekt dhe konsideratë për mësuesin dhe artistin e madh duke e kujtuar atë.

“Ramadan Sokoli është një figurë komplekse, është një figurë që nëpërmjet prirjes, nëpërmjet trashëgimisë së një familje të ardhur nga një derë e madhe e historisë së Shkodrës, iu përkushtua muzikës dhe në muzikë diti që edhe në rrethana të favorshme, ose të pafavorshme të familjes së tij, të gjejë veten e tij dhe të shpalosë vlera, të cilat mund të merren si vlera njerëzore lapidare. Mjafton të mendojmë se ai studio në Konservatorin e Firences, për flaut dhe më vonë për kompozicion, por pa i përfunduar dot studimet për shkak të luftës…”

“Ai vendosi mos ta humbasë lidhjen e tij me muzikën, por përkundrazi mundi të vetëshkollohet dhe të marrë degën e muzikologjisë, të studiojë, të njohë traditat, të njohë emrat e shquar të muzikës dhe iu fut rrugës së studimeve. Dhe kjo, si të thuash, ia rikonfirmoi vlerat e tij në fushën e muzikologjisë, në kohën kur vendi kishte nevojë për muzikologë, për njerëz të kulturës dhe historisë së lashtë kombëtare, të gjitha këto të lidhura me muzikën, kur kishte pak specialistë, për të mos thënë, asnjë që të ishte në këtë fushë”.

Ai gjatë gjithë jetës së tij, deshmoi parreshtur nëpërmjet hulumtive, ndjenjat kombëtare. Profesori hulumtoi e studjoi muzikën, vallet, legjendat, zakonet, gjuhën, veshjet, arkitekturën, artin, zejtarinë, kanunin, etj, që nga prehistoria e deri në ditët tona, Në tërësinë e korpusit të veprës së tij, si një shkencëtar, folklorist, etnomuzikolog, estet, antropolog, kompozitor, pedagog, etj., Sokoli ngriti në këmbë një projekt krejt të veçantë.

E ndërsa sot Ramadan Sokoli, mban titullin 'Oscar Mondiale del Folklore", ekspertiza e tij e thellë në lëmin e muzikës, si për asnjë muzikolog tjetër shqiptar, njihet edhe nga BIA (instituti Amerikan I Biografive) dhe universiteti i Cambridge-it.

Por jeta e tij nuk ishte e lehtë. Ndonëse u formësua dhe ishte studiues i përmasave të tilla, ai u bojkotua nga regjimi i para viteve ’90, që i gjithë korpusi i veprës së tij shkencore të mos dilte në Perëndim.

Megjithatë kurrë nuk u dorëzua. Si një profesionist i vërtetë, ai bëri një punë gjysëm shekullore, gjatë të cilës, kompozoi, studioi, hulumtoi, zbuloi figura të ndritura të mbuluara nga pluhuri i shekujve e i harresës. Krijoi një korpus të tërë në muzikë, duke filluar që nga kompozimet e këngëve në moshë të re, tek veprat instrumentale, shpesh pa iu përmendur emri.

Mes gjithë këtij korpusi të gjerë, ai spikati me studimin dhe vlerësimin që I bëri folklorit shqiptar. Si studiues, ai ishte një nga qëmtuesit kryesor të materialit folklorik shqiptar, ndërsa si krijues, spikati me krijimin e disa këngëve brilante, me frymë poipullore autentike, të cilat janë kënduar e këndohen, pa u përmendur kurrë autori i tyre. Në Shkodër, por edhe më gjërë, ato kanë hyrë në repertorin e gjërë të këngës qytetare dhe këndohen në cdo gëzim familjar. Nuk ka dasëm apo festë ku nuk këndohet “Lulja me erë”, apo “Zanusha”, këngë që ngrenë peshë entuziazmin e njerëzve. Ai shkruante vetëm për ato gjëra që i linin mbresë.

Me skrupulozitetin e tij shkencor, ai, trajtoi me kompetencë dhe shkencat albanologjike duke paraqitur mbi 1200 punime në fusha të ndryshme. Në vitet ’50 drejtoi dy ekspedita ndërkombëtare etnomuzikologjike me studjues të huaj, në Jug dhe në Veri të Shqipërisë.

Në vitin 1950 me ardhjen e ekspeditës së parë të studimit të folklorit shqiptar, një ekspeditë e përbashkët gjermano lindore dhe shqiptare, Ramadan Sokoli u caktua si specialist i palës shqiptare, pra në kontaktet me kryesuesit e kësaj ekspozite. Vajtjet e përbashkëta për të qëmtuar folklorin tonë, për të mbledhur dhe për ta sistemuar, i dhanë dorë shumë. Po kështu, të merrej me festivalet folklorike si një specialist. Edhe shërbimin ushtarak që e bëri në Gjirokastër, i shërbeu për të njohur polifoninë, të cilën e studio dhe e nominoi duke thënë: kjo është polifonia jonë. Pra ishte i pari që definoi këto fusha, kur nuk kishim asnjë specialist që të merreshin me to”.

Ramadan Sokoli, ishte nga studiuesit e parë të Polifonisë Sonë Popullore – ku nëpërmjet studimit të thellë e shkencor ka hedhur dritë mbi cilësitë dhe tiparet dalluese të të kënduarit me shumë zëra.

Ramadan Sokoli, sot mbahet si simbol i kulturës foklorike. Këtë diapazon të gjërë nga Jugu në Veri, ja jepte formimi I tij, por edhe studimi dhe njohja e gjërë e kulturës, zakoneve, traditave dhe folklorit, nga ekstremi i viseve jugore deri në skajin më verior. Ky diapazon e bën profesor Ramadanin një enciklopedi të folkut shqiptar.

Ishte shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare që e ndërkombëtarizoi figurën dhe dijet e gjera të etnomuzikologut Sokoli.

“Ai ishte një njeri që e pëlqente të përkorën, dhe gjithashtu I realizoi parametrat e tij. Sigurisht zhvillimet pas viteve 90 I krijuan një hapësirë tjetër Ai u hodh në fushën ku kishte grumbulluar material dhe mundi të botojë në fushën e historiografisë kombëtare duke folur për figura të ndryshme, brenda dhe jashtë territorit shqiptar, sic është 16 shekuj muzikë, një botim që hap shtigje, hap horizonte, dhe që vllerëson figura që janë të pazëvëndësueshme. Nga njëra anë është I pari që studio prurjen muzikore të Fan Nolit, gjithahstu krijimtarinë muzikore për Skënderbeun, nga autorë nga më të ndrsyhmit. Iu përkushtua shumë këtyre temave, deri në botimet e fundit të viteve 2000 kur edhe mosha kishte avancuar…”

Ramadan Sokoli u lind në Shkodër më 14 qershor të vitit 1920, në familjen patriotike dhe atdhetare të Sokolave. Arsimin fillor dhe të mesëm i kryen në qytetin e Shkodrës. Në vitet 1940-1944 kryen studimet e larta muzikore në Firence, Itali. Pas mbarimit te Luftes se Dyte Boterore Ramadan Sokoli burgoset dhe pas 10 viteve burg lirohet me nderhyrjen e Llazar Siliqit. I jepen disa pune si filliim dhe pastaj meqe nuk kishte ne radhet e partizaneve muzikologe e lejon te beje detyrën e pedagogut të Folklorit Muzikor Shqiptar në Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve, degë të cilën e krijoi ai vetë. Ai është një ndër figurat e shquara të kulturës kombëtare shqiptare. Në krijimtarinë muzikore, Ramadan Sokoli ka shkruar këngë për fëmijë, të rritur, si dhe pjesë instrumentale.

Sivjet kujtojmë 101 vjetorin e lidnjes së mjeshtrit të madh, I cili u nda nga jeta në vitin 2008.

Neritana Kraja