Nëse këtë verë do të udhëtoni në Shqipërinë e Jugut me fëmijët tuaj dhe dëshironi të ndaleni për disa minuta për të pushuar, para se të arrini në destinacionin përfundimtar të itinerarit tuaj, mos harroni të bëni një ndalesë brenda Parkut Kombëtar Llogara. Ky vend ndodhet përgjatë rrugës së Rivierës, që lidh Vlorën me Sarandën, një nga fshatrat më të njohur në bregdetin e jugut të Shqipërisë, i njohur për plazhet e bukura dhe jetën e natës gjatë muajve të verës. Rruga që lidh të dy vendet, është pak të thuash thjesht spektakolare: nga kodrat përreth Orikumit, një fshat bregdetar në periferi të Vlorës, papritmas kalon, madje pa e kuptuar, në pyjet me bredha dhe pisha dhe peisazhet malore dhe pastaj, menjëherë gjendesh përballë, me pamjet tipike mesdhetare, ku hapësira e pemëve të ullirit dhe agrumeve alternohen me plazhe që të lënë pa frymë.

Nisuni me makinën tuaj pa hezitim për në majën e Llogarasë. Rruga e bukur dhe plot freski do ju kënaqë ju dhe fëmijët tuaj. Rruga që të çon në Qafën e Llogarasë është një rrugë dredha-dredha, që ngjitet në mbi një mijë metra lartësi dhe mbikëqyr bregdetin Jon të Rivierës Shqiptare. Qafa është pika më e lartë, por edhe më spektakolarja, sepse edhe thjesht për pamjen nga maja e Llogarasë ia vlen të udhëtosh.

Qafa e Llogarasë është e vendosur në mes të vargmalit Cerauni, që fillon nga Gadishulli i Karaburunit dhe ngrihet gjithnjë e më shumë duke shkuar drejt jugut, duke arritur 2,044 metra mbi nivelin e detit në pikën e tij më të lartë.

Dikur ky varg malor e izolonte këtë pjesë të bregdetit shqiptar nga pjesa tjetër e Shqipërisë, por sot Qafa e Llogarasë ka hyrë në të gjitha aspektet mes atraksioneve turistike të Shqipërisë, veçanërisht për dashamirët e treking-ut dhe ushqimit të mirë.

Kur të mbërrini në pikën më të lartë të rrugës, si me magji do ju shfaqet para sysh deti. Pikërisht aty do të shihni bashkimin e Adriatikut të kaltër me Jonin blu në të gjelbër. Vija e horizontit duket sikur bashkohet me detin dhe do të merrni ndjesinë e parajsës. Shfrytëzoni mundësinë për të soditur Rivierën nga kjo pikë, duke u ndalur në ballkonet panoramike. Ka disa lokale të këndshme ku mund të ndaloni për ujë të freskët, birrë, ose kafe. Dhe nëse e keni ndarë mendjen për të drekuar aty, rakia e mirë dhe mishi i pjekur në hell ju përshëndesin.

Deri në vitin 2009 rruga që të çonte në Qafën e Llogarasë ishte e ngushtë dhe jo në gjendje të mirë por sot, falë investimit të madh që Shqipëria po bën në turizëm, sipërfaqja e rrugës është e asfaltuar mire, edhe pse në dimër zinxhirët e gomave të makinës për shkak të ngricave dhe borës, janë të domosdoshme.

Fshati turistik LLogara

Qafa e Llogarasë, megjithatë, nuk është vetëm porta hyrëse për në Rivierën Shqiptare, e përbërë nga plazhe me ujëra të kristalta dhe fshatra të harruara. Këtu është një nga parqet më të bukura shqiptare, i cili meriton një qëndrim fundjave në Shqipëri.

Dhe pikërisht për këtë arsye, në fakt, aty do të gjeni edhe shumë turistë, sidomos shqiptarë, të cilët shijojnë atmosferën e relaksuar të këtij vendpushimi malor vetëm disa hapa larg detit, mes pyjeve të dendura me pisha, erës së freskët dhe kuzhinën e mirë.

Struktura më e njohur është Llogara Tourist Village. Në fakt këtu ka një kopësht të madh ku disa ekzemplarë të shkëlqyer të drerëve që enden lirshëm dhe duken si Bambi të vërtetë. Fëmijët mund t’u afrohen atyre dhe lejohet t’u japin ushqimin special që shitet po aty.

Akomodimi në vilat e drurit ngjan me një përrallë të vërtetë. Në mesin e korrikut, qëndrimi për një natë, për një familje me dy fëmijë, kushton 80 euro. Një pishinë e brendshme, fusha golfi, fusha tenisi, restorant me gatime tradicionale, janë pjesë e kënaqësisë që merrni ndërsa fëmijët tuaj do të takojnë dhjetëra drerë. Po kështu kafshë të tjera pylli, pjesë e kopshtit zoologjik të strukturës, janë në funksion të vizitorëe të vegjël.

Ndërsa fëmijët këtu zbulojnë natyrën dhe gjallesat e saj, të moshuarit gjejnë qetësinë, freskinë dhe gjelbërimin që duan. Pisha, bredha, ajër të pastër dhe shmangie nga vapa mbytëse e verës.

Struktura, përveç që është një nga hotelet më të famshëm në rajonin e Vlorës, por ka edhe një restorant dhe bar, ideal për tu freskuar ndërsa prisni të ktheheni dhe të zhyteni sërish në ujërat kristalë të Detit Jon.

Çfarë të bëni tjetër në Llogara

Sot, turistët zgjedhin Parkun Kombëtar Llogara për të bërë aktivitete ekstreme si hedhje me parashutë në plazhin Palasë, por edhe për t'u çlodhur në hijen e pemëve që simbolizojnë këtë park kombëtar, mund të ndaloni e të bëni fotografi, ose të bëni eskursione të gjata në këmbë.

Në fakt, në ditët e nxehta të verës shqiptare, shumë turistë vendosin të qëndrojnë në Qafën e Llogarasë për të shijuar klimën e freskët, duke përshkuar shtigjet e parkut. Sapo të vini nga Vlora, do të gjeni një zyrë turistike me disa harta të parkut dhe stafin në gaditshëmri për t’ju dhënë informacionin që ju duhet.

Në majë të Qafës së Llogarasë do të gjeni gjithashtu hotele dhe fshatra turistikë që janë shumë mirë të organizuar për fëmijë, si dhe restorante me hapësira lojërash për të vegjëlit. Dhe vetëm një ndalesë në restorant është një nga gjërat që ju këshillojmë të mos e humbisni gjatë udhëtimit tuaj, pasi në Llogara mund të shijoni tre nga specialitetet shqiptare: kos me mjaltë, mish qengji (Harapash) dhe çaj mali.

Nëse vendosni të bëni disa ditë në Parkun Kombëtar të Llogarasë do të gjeni një mijë hektarë pyje me pisha dhe bredha që ju presin, ku jetojnë mbi njëqind lloje zogjsh dhe shumë kafshë të tjera. Brenda parkut ka rrugë me shkallë vështirësie të ndryshme, nga fillestarët, tek ekspertët. Këtu mund të shihni "pishën flamur" ose pishat flamur, janë pisha, trungjet e të ciave janë përkulur në formën e një flamuri nga forca e erës dhe janë bërë simbol i Parkut. Një arsye më shumë për tu ndalur këtu, është se Jul Çezari vendosi të fuste legjionet e tij, mu në Qafën e Llogarasë, pasi kishte zbarkuar në Palasë, në Rivierën Shqiptare. Me këtë ndalesë do ju duket vetja si personazh i historisë së lashtë.

Çfarë të bëni tjetër pranë Qafës së Llogarasë

Nëse Parku Kombëtar Llogara është në të gjitha aspektet një destinacion i përsosur për një pushim malor në Shqipërinë e Jugut, nuk mund të harrojmë se disa minuta me makinë nga Llogaraja janë disa nga plazhet më të bukura në Shqipërinë e Jugut. Një ndër vendet që sugjerojmë, në afërsi, është Palasa dhe plazhi i Çezarit

Plazhi shumë i gjatë i Palasës është gjëja e parë që do të shihni, duke u nisur nga Llogara drejt Rivierës Shqiptare. Megjithëse do të ishte më e saktë të thuash që ky plazh në Shqipërinë e Jugut do të jetë mirazhi juaj, ndërsa, kurbë pas kurbë, do të zbrisni poshtë e poshtë, ngjyrat e bardhë, e gjelbër e blu alternohen mes tyre ndërsa joshja për një zhytje në detin e mrekullueshëm të Rivierën shqiptare është tepër e fortë.

Megjithëse një kompleks i madh turistik është ndërtuar vitet e fundit, plazhi Palasë është ende shumë i bukur, i bërë me guralecë të bardhë dhe një det blu të rrahur nga era. Nëse ndaloni këtu, mund t’i riktheheni sërish historisë. Ishte ky plazhi, në të cilin zbarkoi Jul Çezari, duke ardhur nga Brindizi, me ushtarët e tij, duke shmangur flotën e Pompeit që patrullonte Gadishullin e Karaburunit dhe më pas duke u ngjitur në qafën e Llogarasë. Në diellin e Mesdheut dhe brigjet tona të bukura shqiptare, historia e lashtë na vjen e afërt dhe reflektuese.

Neritana Kraja