Në kulturën tradicionale kineze, ushqimit i është kushtuar gjithmonë një rëndësi e veçantë. Gatimi në Kinë është pjesë e një historie mijëravjeçare, sipas këtij stili, është i shkëlqyer, sepse ushqimet gatuhen shpejt dhe pjesa më e madhe e vlerës së tyre ushqyese ruhet. Llojshmëria e gjeografisë, e klimës, zakoneve etj. të Kinës gjen jehonën e saj edhe në polifoninë e kuzhinës kineze. Sipas një vëzhgimi të kohëve të fundit, në Kinë ekzistojnë jo më pak se 5000 lloje gjellësh, që e bëjnë atë sigurisht një ndër kuzhinat më të pasura në botë, për të mos thënë më të pasurën. Kjo llojshmëri e kuzhinës kineze është gjithashtu pasqyrë e historisë mijëravjeçare të Kinës. Kuzhina në Kinë është një ndërthurje harmonike e ngjyrave, aromave, shijeve, formave dhe finesës. Ajo është e lidhur ngushtë edhe me jetën shpirtërore të njerëzve dhe është e pranishme në festa, rite të shenjta, në ceremoni dasme etj. Kuzhina kineze është gjithashtu e lidhur me mjekësinë kineze, sepse ajo është një kuzhinë e shëndetshme, që u fal njerëzve forcë e energji. Te kinezët ekziston prej kohësh mendimi se lloji dhe sasia e ushqimit që marrim është i lidhur me shëndetin tonë.

Kinezët dhe ushqimi, një lidhje e veçante mijëravjeçare

Që para mijëra vjetësh, Konfuci ka thënë se ushqimi është nevoja e parë e njerëzve. Ndonëse nuk mund të thuash nëse nga respekti për filozofin e madh apo është thjesht për rastësi, por kinezët e shohin ushqimin jo vetëm me respekt të madh, po edhe me pasion. Dhe, ashtu si edhe në çdo aspekt tjetër të jetës së përditshme në Kinë, filozofia është e pranishme edhe në artin e gatimit. Ushqimet në kuzhinën kineze tradicionalisht u përkasin dy kategorive: ushqime kryesore dhe ushqime shtesë, dhe dallimi ndërmjet tyre pasqyron parimin e baraspeshës ndërmjet yin-it dhe yang-ut. Kuzhina kineze është një kuzhinë e shëndetshme, me perime të servirura thuajse të gjalla për të ruajtur vlerat, mishin e prerë në copa të vogla për ta përtypur lehtësisht, peshkun dhe orizin e zier në vend të bukës. Kinezët tregojnë për të respekt, por edhe pasion të madh. Filozofia kineze na mëson se si të dallojmë ushqimet yin (të ftohta) dhe yang (të nxehta)Shumë fruta e perime i përkasin yin-it, meqë ato janë të lëngshme e të buta, me një efekt rifreskimi që ushqen aspektin femëror të natyrës sonë. Ushqimi yang është i skuqur, i nxehtë, ku spikat përgjithësisht mishi, që fuqizon aspektin tonë mashkullor. Ashtu siç yin-i dhe yang-u përplotësojnë njëri-tjetrin në filozofi, ashtu bëjnë ato edhe në ushqim. Ndaj kinezët nuk i hedhin salcë soje orizit, meqë të dy i përkasin grupit yang e ngrënia e tyre bashkë krijon mosbaraspeshë.

Për këtë arsye, kinezët nuk përdorin kurrë ushqime që i përkasin të njëjtit grup, pasi për ta kjo krijon mosbaraspeshë në organizëm. Për kinezët, ushqimi është edhe mënyra më e mirë për ta mbajtur larg mjekun. Në mjekësinë e tyre tradicionale pothuajse çdo lloj ushqimi i atribuohet nga një vlerë e caktuar.

Dieta që këshillohet prej tyre përfshin pesë shije: të thartë, të hidhur, të ëmbël, të athët e të kripur, dhe katër tipare: e ftohtë, e nxehtë, e ngrohtë dhe e freskët. Pesë shijet përcaktojnë se si ndikon ushqimi mbi organizmin. Për shembull, ushqimi i athët ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe në çlirimin e energjisë jetike qi. Katër tiparet janë të frytshme në mjekimin e sëmundjeve nëpërmjet të qenit të përkundërt në natyrë me to dhe secila prej katër stinëve është e bashkëshoqëruar me një organ të veçantë. Vera i përgjigjet zemrës, vjeshta mushkërive dhe pranvera mëlçisë. Kështu, meqë zemra nga natyra është e nxehtë, është e këshillueshme që të hahet ushqim i ftohtë dhe i hidhur në verë. Po ashtu p. sh., sipas mjekësisë tradicionale kineze, gështenjat janë nga natyra të ëmbla e pak të ngrohta, dhe janë ushqim i mirë për mushkëritë e veshkat. Ato gjithashtu sigurojnë energji thelbësore për metabolizmin dhe qarkullimin e gjakut e forcojnë funksionet riprodhuese.

Për kinezët kuzhina e tyre është "perla më e shkëlqyer " e kulturës mijëravjeçare të Kinës dhe ata me të drejtë janë shumë krenarë. Në Kinë ushqimi nuk shërben vetëm për të mbushur stomakun; ai është plot me kuptim e domethënie. Këtë mund ta vësh re lehtë gjatë kremtimeve të festave të ndryshme. Çdo gjë që shtrohet në tryezë ka domethënien e vet: portokajtë e pulat për të uruar fat; peshku pasuri; gështenjat të ardhura më të larta etj. Të sapomartuarit hanë toptha me oriz veshtullor, me shpresën që kështu martesa e tyre do të jetë e ëmbël dhe harmonike; mbi shtratin bashkëshortor ditën e dasmës ata gjejnë arra, hurma Arabie, karamele dhe portokaj të lënë nga prindërit - urimi i këtyre të fundit që të sapomartuarit të lindin sa më shpejt një djalë.

Rregullat e mirësjelljes në tryezë parakuptojnë gjithashtu që edhe çdo i ftuar në banket të mbushë gotën e atij që ka pranë dhe ta tokë të tijën me të dikujt tjetër. Tokja e gotës është mjaft e përhapur ndër kinezët, por meqë në një tryezë njerëzit janë shumë larg njëri-tjetrit për ta bërë këtë, ata mund ta trokasin gotën në sipërfaqen e qelqtë të pjesës që rrotullohet në qendër të tryezës.

Në shumë vende, njerëzit shkojnë në restorant jo vetëm për të ngrënë, por edhe për të kaluar kohën së bashku, për të biseduar e ndonjëherë edhe për të kërcyer. Sigurisht e njëjta gjë ndodh edhe në Kinë, por njerëzit këtu shkojnë në restorant me qëllimin kryesor për të ngrënë. Prandaj orari kur restorantet janë të hapur përkon me kohën e ngrënies dhe nuk është e lehtë të gjesh një restorant hapur pas orës 22.00, sepse pjesa më e madhe e kinezëve kanë ngrënë tashmë. Paralelisht, në restorantet kineze ndeshesh edhe me një problem tjetër, që në restorantet evropiane thuajse nuk njihet fare: këtu njerëzit porositnin shumë pjata. Arsyeja nuk është vetëm dashuria e kinezëve për ushqimin, ose edhe mundësia për ta bërë këtë, meqë këto restorante janë më të lira se simotrat e tyre perëndimore e më tej.

Gazmend Agaj