Ndërtesë karakteristike (Albinfo)

Ndërtesë karakteristike (Albinfo)

Vithkuqi është një depo gjigante historike dhe kulturore që nuk shteron kurrë, një thesar ende i pa eksploruar mirë, jo vetëm për periudhën mesjetare dhe Rilindjen, por edhe më pas duke vazhduar traditën me vizionin, horizontin kulturor dhe largpamësinë e banorëve të tij.

Historia

Vithkuqi është një vendbanim i lashtë ilir. Ndonëse pak i eksploruar ai daton si qendër e banuar nga periudha e parë e hekurit deri në shek II-të p.e.s. Dëshmi për këtë janë kalatë që janë vendosur për të ruajtur trevën, si ajo e Boshanjit, Bellovodës dhe e Leshnjës, si dhe tumat në lagjet e vjetra të Vithkuqit: Qyran dhe Qyrshas.

Në dokumenta ai përmendet si vendbanim në Principatën e Muzakajve, qysh në shek XV, por dokumenti më i rëndësishëm është që Vithkuqi ka qënë vendbanim qysh në shek XII-të, sepse në këtë kohë është ndërtuar dhe e para kishë në Vithkuq, ajo e Shën Thanasit, e cila daton në 1162-shin. Në regjimin osman Vithkuqi është regjistruar si pronësi myrk dhe më vonë vakëf i Mirahor Iljaz Beut (1484-1504).

Pamje nga Vithkuqi (Wikipedia)

Pamje nga Vithkuqi (Wikipedia)

Regjistrimi i parë kadastral i 1568-1570 jep të dhëna se Vithkuqi ka pasur popullsinë më të dendur dhe janë të regjistruara 343 familje të krishtera. Në shek XVII-XVIII njihet si qytet i zhvilluar dhe në kulmin e lulëzimit të tij ka patur 24 lagje me një popullsi që luhatet nga 12000-15000 banorë. Përveç kishës së parë (Kisha e Shën Thanasit) aty ndodhen edhe 17 kisha të tjera, 3 manastire dhe një qendër Mitropolie.

Ndërkohë ka ekzistuar një shkollë, sipas të dhënave, e barazvlefshme me atë të Voskopojës. Në vitet 1781-1819-1823 qyteti i Vithkuqit pësoi tre prishje të mëdha, të cilat e katandisën atë në një fshat të vogël me vetëm 13 familje. Rreth 1856-ës Vithkuqi e mori veten dhe u shfaq si një fshat me 150 shtëpi dhe me tre lagjet e sotme. Popullsia e Vithkuqit migroi e gjitha brenda dhe jashtë vendit, duke formuar dhe fshatra të shumtë me popullsi krejt vithkuqare (Mandrica në Bullgari, Lehova në Greqi, etj).

Vithkuqi mund të indentifikohet edhe si fshati i kishave e manastireve, për shembull, sepse dikur ka pasur më shumë se 24, e sot ka plot 14 të tilla. Të gjitha të veçanta, monumente kulture të shpërndara hijshëm, mes gjelbërimit që ofron pamje të rralla.

Kostume popullore Vithkuq

Kostume popullore Vithkuq

Kulturë dhe traditë

Pesha dhe rëndësia e një vendi nuk është vetëm te bukuritë e tij natyrore, por më tepër nga njerëzit dhe shkalla e zhvillimit të tij, nga historia, kultura dhe tradita e trashëguar në shekuj.

Vithkuqi ka patur burra me peshë, patriotë kalibri si Evstrat Vithkuqari, Kostë Cepi, Spiro Dine, që i kanë bërë nder jo vetëm atij vendi por edhe gjithë kombit shqiptar, si dhe plot figura të tjera. Një figurë e ndritur e Vithkuqit, është Naum Veqilharxhi, rilindasi i parë. Letra enciklike e tij është promemoria dhe dokumenti i parë i platformës politike të lëvizjes së re që po lindte në gjirin e intelektualëve shqiptarë.

Vithkuqarët janë njerëz të dashur, të sjellshëm, me kulturë të trashëguar, por edhe të importuar nga Evropa, sidomos nga Amerika. Veshja karakteristike e burrave dhe e grave ka qenë shumë e bukur. Gratë vithkuqare punojnë shumë bukur e me finesë leshin, i cili përveç veshjeve shërben për të bërë qilima, velenca etj. Mikpritja, bujaria dhe ngrohtësia janë atmosfera që krijojnë vithkuqarët për mysafirët.

Sa i përket traditës në muzikë, kënga popullore vithkuqare vazhdon të ruhet edhe sot e paprekur, pavarësisht ndikimeve të huaja. Ajo këndohet nga vajzat dhe djemtë e rinj në gëzimet e tyre familjare, e shoqëruar nga vallja e “Dados”, e cila njihet si vallja tipike e këtij fshati.

Vithkuqi është i njohur edhe për organizimin e shumë festave tradicionale që kanë më shumë karakter fetar, si Panairi i Shën Pjetrit më 29 qershor dhe Shën Nikodhimi, që është dhe festa e shoqatës “Vëllazëria Vithkuqare” më 10 korrik.

Fshati Vithkuq (Konica.al)

Fshati Vithkuq (Konica.al)

I strukur mes kodrave të buta, përbri pyjeve të dendur të ahut dhe dushkut, 25 km larg qytetit të Korcës, Vithkuqi ngjall vazhdimisht kërshëri e mister për ekzistencën e tij.

Vizita në këtë fshat mund të konsiderohet si nga më mbresëlënëset, teksa një bukuri e virgjër të ndjek në çdo rrethinë të tij, duke të ofruar një panoramë përrallore.

Në Vithkuq mund të zgjedhësh të ecësh në rrugicat gjarpëruese dhe të shijosh mrekullinë e pazakontë të natyrës, bukuri këto të lidhura ngushtë me trashëgimninë kulturore dhe historike të fshatit. Shumëllojshmëria e peizazheve historike e kulturore i japin indentitet Vithkuqit.

Për nga rëndësia ai rreshtohet në fshatrat më të bukura të Korçës, duke krijuar trinomin e turizmit kulturor malor me Dardhën dhe Voskopojën.

Pjesë e rëndësishmet e zhvillimit të turizmit në Vithkuq është dhe thesari historik që ndodhet në këtë fshat, i cili nuk është i pakët. Ai fillon që nga antikiteti e deri në mesjetën e vonë për të ardhur deri në ditët tona. Aty ka shumë monumente kulturore, ngjarje dhe figura historike që i kalojnë përmasat e një fshati apo qyteti.

Një ndër to dhe që ia vlen të vizitohet është Kisha e Shën Mëhillit e cila ka afreske në dy shtresa, të cilat mbajnë firmat e David Selenicasit, dhe të vëllezërve Zografi. Përbri kishës së 'Shën Mëhillit", mes varrezave të fshatit të bën kureshtarë një varr me një kryq të madh në të cilin shkruhej “Varri i Pagëzimit”.

Dimri në Vithkuq

Dimri në Vithkuq

Përveç klimës së freskët, bukurive natyrore, një tjetër atraksion për turistët është edhe Uji i Ftohtë, i cili gjendet në të paktën 100 kroje dhe shpesh nuk nguron të ndalesh aty për të shuar etjen. Por turistët joshen edhe nga banesat karakteristike të ndërtuara prej guri, dhe të përshtatshme për t’u akomoduar.

Nga Vithkuqi nuk mund të largohesh pa vizituar edhe lagjen e përtejme, aty ku është xhiruar pjesa më e madhe e filmit "Beni ecën vetë'. Pavarësisht viteve, banorët e këtij fshati, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë figurantë në film, nuk ngurojnë të tregojnë me emocion momentet e xhirimeve, që shpesh kërkohen nga turistët.

Ndërkohë e vecantë dhe mjaftë e pasur është dhe kulinaria e këtij fshati me pastërmatë, trahanatë, mishin e pjekur, turshit, kakrorët me miell misri e gruri, tava me qumështor etj... Ushqimi në këtë zonë është një traditë e vjetër e gjithë krahinës, një ndërthurje midis tradicionales, autentikes dhe shkëmbimeve kulturore të ndryshme.

Elida Lazi