Posteri i filmit “Njëqind e tetë”

Posteri i filmit “Njëqind e tetë”

Filmi “Njëqind e tetë”, premiera e të cilit u shfaq më 13 maj në provincën Sichuan, rrëfen historinë e 108 foshnjave të lindura gjatë tërmetit që ra në Wenchuan të Sichuan-it.

Më 12 maj 2008, në orën 4 pasdite, dy orë pas tërmetit të madh të rënë në Wenchuan, me fuqi 8 ballë sipas shkallës Rihter, gati u rrëzua godina e Spitalit të Lindjeve dhe Shëndetit për Nënat e Fëmijët në qytetin Shifang të provincës Sichuan, që ndodhej afër epiqendrës së tërmetit. Në këtë spital kishte 18 gra shtatzëna që do të lindnin së shpejti. Për drejtoren e spitalit Gui Fengchun, e vetmja alternativë ishte tempulli "Arhat", që ndodhej afër spitalit dhe që u ruajt për mrekulli gjatë tërmetit.

Tempulli "Arhat" në Shifang

Tempulli "Arhat" në Shifang

“A do të pranojë gra shtatzëna tempulli?” kishte merak Gui.

Budizmi ka disiplinë të rreptë dhe ruajtja e distancës me femrat, gjakun dhe mishin ka qenë prej kohësh besimi i murgjve budistë.

Më në fund, ky tempull i lashtë, i ndërtuar në vitin 709 të erës sonë, hapi dyert dhe pranoi këto gra të veçanta.

Kreu i tempullit "Arhat", mjeshtri Suquan, tha me dhembshuri: “Tabuja numër një për budistët është mosshpëtimi i atyre që ndodhen në rrezik vdekjeje. Disiplina fetare s’ka peshë përballë vuajtjeve të qenieve të gjalla.”

Në fakt, përpara ardhjes së grave shtatzëna, tempulli "Arhat" priti mbi 600 të prekur nga fatkeqësia. Murgjit u ofruan atyre të gjitha produktet e përdorimit të përditshëm në depon e tempullit, përfshirë jorganë, jastëkë, ushqime dhe ujë të pijshëm.

Nga 12 maji deri më 1 gusht 2008, tempulli "Arhat", me dyer të hapur, pranoi gjithsej 1476 banorë të prekur nga tërmeti. Është vështirë të përfytyrosh që një tempull i vogël të mbante aq shumë njerëz.

Ndër ta, 108 ishin foshnja të lindura në këtë tempull.

Ku të vendosej shtëpia e lindjes? Kjo ishte një tjetër vështirësi për drejtoren Gui Fengchun. Pjesa dërrmuese e ndërtesave në tempull ishin me tulla e tjegulla dhe mund të shembeshin në çdo çast pas tërmetit. Ndërsa në çadrat e përkohshme në oborrin e tempullit, pëlhura nuk mund të pengonte erërat e forta të hynin brenda gjatë stuhive.

Në momentin urgjent, mjekët e shndërruan mensën me strukturë drurit në shtëpi lindjeje. Murgjit u vendosën të kapur dorë për dorë në një rresht, duke formuar një mur njerëzor, për të mbrojtur këtë maternitet të përkohshëm.

Më 13 maj, në orën 7 e 36 minuta, e qara e një foshnje vajzë u dëgjua në tempull. Ajo ishte e para foshnjë që lindi në tempullin "Arhat".

Prindërit e fëmijës iu lutën mjeshtrit Suquan t'i vinte emrin. Mjeshtri e quajti ”Zhen Wen”, në përkujtim të përvojës së lindjes gjatë tërmetit. Në gjuhën kineze, “Zhen” do të thotë tërmet, ndërsa “Wen” shënon Wenchuan-in.

Në një mesazh të shkurtër me celular për miqtë e saj, drejtorja e spitalit Gui Fengchun shkroi: “Tërmeti na rrëmbeu shumë të afërm dhe bashkatdhetarë, por jetët e lindura në tempull u sollën shpresë familjeve dhe kombit tonë.”

Pas lindjes, lehonat kishin nevojë për mish që të kishin qumësht për foshnjat. Për të garantuar shëndetin e lehonave e të foshnjave, mjeshtri Suquan ra dakord që të afërmit e lehonave të gatuanin mish në tempull.

Në këtë tempull mbi njëmijëvjeçar, u ndie aroma e mishit për herë të parë. Shumë murgj, që nuk kishin nuhatur erë mishi për dhjetëra vjet, vollën.

Meqenëse në tempullin "Arhat" kishte kushte për lindje, shumë gra shtatzëna nga zonat përreth shkuan atje për të sjellë në jetë fëmijët e tyre.

Foshnja e fundit u lind në tempullin "Arhat" më 7 gusht, një ditë para hapjes së Lojërave Olimpike të Pekinit 2008. Deri kur spitali u zhvendos prej aty, në tempullin "Arhat" lindën gjithsej 108 foshnja.

Banorët i falënderuan mjeshtrin Suquan dhe murgjit e tempullit "Arhat", jo vetëm për dhembshurinë e tyre, por edhe për shpresat e jetës që u sollën njerëzve pas një katastrofe natyrore.

Më 12 maj 2009, për kremtimin e përbashkët të njëvjetorit të lindjes, 108 foshnjat u mblodhën përsëri në tempullin "Arhat".

Në dyvjetorin e lindjes, fëmijët filluan të mësonin këngën e ditëlindjes në tempull.

Në ditëlindjen e tretë, prindërit e fëmijëve, me 108 copa nga çarçafi i secilës foshnjë kur ato lindën, qepën një rrobë si dhuratë për mjeshtrin Suquan.

Në pesëvjetorin e lindjes, mjeshtri Suquan përgatiti një tortë të madhe për fëmijët.

Në moshën 10 vjeçe, fëmijët u mblodhën për të xhiruar këtë film.

Kanë kaluar 13 vjet nga tërmeti i Wenchuan-it. Foshnjat e dikurshme janë rritur. Ato lindën në vuajtje, por kanë dëshmuar edhe shpresat e jetës.

Emri i filmit, “Njëqind e tetë”, është numri i foshnjave që lindën në tempullin "Arhat". Ky numër ka rëndësi të veçantë edhe në budizëm, 108 arhatë, 108 shqetësime, 108 rruaza budash etj. Ky numër i mrekullueshëm është edhe një metaforë për mrekullinë e jetës. (Wang Lei/ Artan)