Gjatë pandemisë spektaklet “u shuan” dhe vuajtën jo pak mungesën e komunikimit me publikut, duke ndikuar dhe në fianancat e kësaj industrie. Sa e ka ndjerë pandeminë dhe si ka mbijetuar spektakli shqiptar ?

Intervistë me skenaristin, producentin dhe gazetarin Pandi Laço, autor i programeve të suksesshme televizive “Maratona e këngës”, “Këngët e shekullit”, “Histori me zhurmues”, “Gjeniu i vogël” dhe aktualisht i spektaklit muzikor "Këngë moj".

Pandi Laço

Pandi Laço

CMG: A mund të bëhet spektakël në pandemi?

Pandi Laço: Spektakli televiziv, ashtu si të gjitha format e artit dhe kulturës , ka qenë i prekur gjatë periudhës së pandemisë. Aktivitetet kulturore dhe artistike siç dihet janë ndërprerë. Klasa artistike është më shumë e cënuar dhe më shumë e dëmtuar gjatë këtyre muajve nga pandemia, nga izolimi sepse janë ata që nuk kanë punuar pothuajse fare dhe janë detyruar që “të tresin” dhjamin e akumuluar gjatë viteve.

CMG: Në programet e Radio Ejani për muzikën përkatësisht “Muzika Shqip” dhe “Bio Folk” shumë këngëtarë kanë shprehur të paduruar për të kaluar kjo situatë, të dëmtuar ekonomikisht por dhe të imazhit të tyre. Ata na kanë treguar përpjekjet e tyre titanike për të ruajtur kontaktet me publikun gjatë pandemisë.

Pandi Laço: Duhet të kemi parasysh që spektakli televiziv është një formë që krijon shumë pak të ardhura për artistët, sepse të ardhurat kryesore ata i kanë nga koncertet, eventet, qoftë edhe dasmat apo ditëlindjet.

Por në spektakël ata janë prezent gjithmonë dhe është pjesë e kontaktit të tyre me publikun në studio apo jashtë saj. Edhe spektakli televiziv deri diku ka qenë i cënuar nga pandemia. Meqënëse spektakli televiziv mund të realizohet edhe pa publik dhe shumë programe bëhen në studio pa publik. Po kështu edhe një talk show mund të realizohet pa publik, si dhe një spektakël koncertal.

Deri diku ne kemi mundur t’ja dalim dhe të realizojmë këto programe. Kuptohet që nuk është ajo atmosfera që duhet për t’i dhënë impulsin artistit për të qenë totalisht në adrenalinë, për të qenë i motivuar për të dhënë maksimumin. Fakti që ne arritëm të realizojmë një spektakël si “Këngë moj” tregon që mund të gjenden forma të ndërsjella për të realizuar komunikimin midis televizionit me teleshikuesin.

Këngë moj ekipi realizues

Këngë moj ekipi realizues

CMG: Me kalimin e kohës dhe uljen e frikës ndaj pandemisë tashmë po realizohem spektakle siç është Festivali i Këngës në RTSH, në një format ndryshe. Spektakli “Këngë moj” që po realizoni ju i kushtohet muzikës shqiptare, këngëtarëve më të njohur dhe realizohet nga ekipi juaj me një background të gjatë, ku bëni pjesë ju, vëllai juaj regjizori Bledi Laço dhe kompozitori Adi Hila. Spektakli transmetohet në televizionin “Vizion Plus”. Le të flasim për spektaklin.

Pandi Laço: Po. Spektakli “Këngë moj” është një format shumë impenjativ sepse përveç kohës në të cilën po kalojmë është impenjativ sepse jo të gjithë artistët janë në gjenjen e tyre më të mirë për të marrë pjesë në një spektakët të tillë. Kemi patur raste që kemi bërë planifikimin e një nate spektakli me artistë të ftuar dhe në momentin që do të fillonim provat kanë ardhur njoftime se nuk ndjeheshin mirë, apo kishin simptoma të virusit dhe nuk kanë marrë pjesë.

CMG: Spektakli juaj është i përjavshëm?

Pandi Laço: Spektakli është i përjavshëm prandaj thashë që është impenjativ. Është i mbështetur mbi një band, mbi një orkestër. Madje ka ndodhur që orkestrantët të jenë sëmurur dhe i kemi zëvendësuar.

CMG: Flasim për spektaklin. Cilët këngëtarë marrin pjesë, këngët...

Pandi Laço: Është një program që i përfshin të gjithë artistët dhe bën historinë e muzikës shqiptare, duke përshirë muzikën tradicionale, folklorin, muzikën qytetare, muzikën e lehtë, muzikën e kultivuar, muzikën për fëmijë, muzikën e filmave. Pra përfshin të gjitha zhanret e muzikës shqiptare dhe të gjithë artistët, që janë në aktivitet sot në Shqipëri.Ne çdo natë kemi një tematikë të caktuar.

Këngëtarët pjesmarrës të spektaklit Këngë moj

Këngëtarët pjesmarrës të spektaklit Këngë moj

CMG: Sa do të zgjasë spektakli?

Pandi Laço: Ne kemi realizuar një sezon të parë, që nga tetori deri në janar, dymbëdhjetë netë dhe nga shkurti deri në qershor janë gjashtëmbëdhjetë netë. Domethënë njëzetetetë netë tematike të muzikës shqiptare. Por është vërtet impenjativ përveç të tjerash sepse realizohet "live".

CMG: Mund të na thoni disa nga emrat e këngëtarëve më të njohur që marin pjesë në spektakël?

Pandi Laço:Jo më larg se dje ishte një natë ikonash, legjendat e muzikës, ata që kanë bërë historinë e muzikës dhe në këtë natë merrnin pjesë emra si Justina Aliaj, Irma Libohova, Kozma Dushi, Bashkim Alibali, Afërdita Zonja. Liljana Kondakçi. Por janë edhe Eli Fara, Aurela Gaçe, Maja, Ylli Baka etj. Pa ekzagjerim mund të jenë rreth njëqind artistë të cilët janë përfshirë në këtë projekt.

CMG: Ju si e keni kaluar pandeminë ?

Pandi Laço: Për mua përveç impenjimeve që kam patur në këtë projekt muzikor ka qenë një vit i frytshëm dhe një vit goxha produktiv, sepse kam patur mundësinë që të merrem më shumë me veten, me pasionet që kanë qenë të fshehura brenda vetes sime. I jam rikthyer të shkruarit, jo vetëm vargje poezish, apo tekste këngësh, por edhe prozë.

Për fat gjatë kësaj periudhe më shërbeu pandemia për të shkruar një roman, i cili ka lidhje me pandeminë. Është një histori dashurie .

Intervistoi Eda Merepeza

Skenaristi Pandi Laço në intervistë për CMG

Skenaristi Pandi Laço në intervistë për CMG