Filmat shqiptarë, të realizuar nga aktorë që kanë lënë gjurmën e tyre në botën e filmit në Shqipëri, mund të jenë një shoqërues shumë i mirë nostalgjie, për t’ju rikthyer edhe një herë historive që ato rrëfejnë dhe sidomos lojës së bukur, në mënyrë shumë origjinale dhe emotive.
Këta filma janë pjesë e nostalgjisë për njerëzit që i kanë parë në vite, por janë edhe mundësi eksplorimi dhe njohje për brezat e rinj, të cilët shfaqin interes për t’i parë dhe komentuar.
Arkivi Qendror i filmit vendi ideal për edukimin e brezit te ri
Iris Elezi, drejtore e Arkivit Qendror të Filmit prej kohësh është vënë në krye të punës, jo vetëm për mbrojtjen fizike, por edhe pasqyrimin e punës së madhe që është bërë pas çdo metri film në bobinë.
Ajo thotë se filmat përveç vlerës artistike, kanë vlerë dokumentare dhe histirike. Tregon se si kineastët tanë, me pak mundësi teknologjike, por me shumë dëshirë për punën, arritën të prodhojnë filma që publiku ka dëshirë akoma t’i shohë.
Ndërsa zonja Elezi bën thirrje për një hulumtim sa më të madh të këtyre filmave, duhet theksuar se kjo gjë do ishte e pamundur pa ndihmën konkrete dhe të jashtëzakonshme të Republikës së Kinës.
Vetëm para disa muajsh, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit u sollën paisje bashkëkohore të cilat janë të domosdoshme për ruajtjen e materialeve filmike.
Kjo u mundësua falë një dhurimi që u bë personalisht nga ambasadori kinez në Tiranë, Zhou Ding në mjediset e Arkivit.
Si rrjedhojë e kësaj ndihme nga Kina, rezulton se nga nëntori i vitit të kaluar, Arkivi zotëron thithësit e lagështirës, i cili maturon nivelet e duhura, sipas standardeve të Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit (FIAF).
Thithëset e lagështisë, kompresorët, ndihma të tjera në formë konsultash, të gjitha janë ndihma konkrete të ardhura nga Kina, për të shpëtuar filmat shqiptarë, për të cilët vendi mik ka një lidhje të veçantë.
Ky interes është shtuar edhe nga brezi i ri në Shqipëri.
Duke parë interesin në rritje të filmave tek të rinjtë, por edhe si përpjekje për të ruajtur çdo vlerë, Arkivi i Filmit, krahas punës për ruajtjen e filmit, i ka kushtuar kujdes edhe ekspozimit të tij, pasi ky arkiv ruan thesare të tëra nga prapaskenat e xhirimeve, një punë tejet profesionale.
Gjatë muajit mars, Arkivi hapi një ekspoze mjaft interesante me fotografi të marra nga xhirimet e filmave. Drejtoresha Iris Elezi flet për këtë argument.
Kinostudio Shqiperia e Re
“Arkivi Qendror Shtetëror i filmit, duke parë më në fund të gjitha imazhet e ruajtura në fototekën e Arkivit, sepse ne nuk kemi vetëm koleksionin tonë në shirit filmik, për të gjithë filmat e prodhuar, kemi edhe një hapësirë me mijëra imazhe, dhe më në fund kemi arritur që në këto 7 muaj ta inventarizojmë, që nga marsi kemi arritur të kemi një ekspozitë me imazhe të përzgjedhura nga fototeka jonë. E pikërisht për këta njerëz që e duan kinemanë dhe duan të kuptojnë më shumë, se përveç nostalgjisë, kjo është detyra jonë, të shkojmë drejt studimit të kësaj nostalgjie. Përse këta filma na prekin, përse flasim për këto figura, ose kush janë Joni Deep-ët e kinemasë shqiptare. Ajo çfarë është interesante nga ajo që kemi përzgjedhur është se në ekspozitë do të shihni pak përshembull nga sektori i zdrukthtarëve, ata që ndihmonin që skenografia jonë të dukej bukur, kemi mundësi të shohim një nga grimieret tona duke bërë makeup për Roza Anagnostin në një nga filmat… Pra kemi zgjedhur disa imazhe që do na çojnë akoma më afër këtyre yjeve që na bëjnë të ëndërrojmë”.
Po cilët janë disa nga filmat që të rinjtë pëlqejnë të shohin? Larg propagandës, ideologjisë apo kornizave, të rinjtë preferojnë filma socialë, romantikë apo të zhanrit të komedisë. Ja një listë me titujt e tyre.
“Zonja nga qyteti” aq i famshëm është ky film, sa edhe brezat e rinj e njohin Violeta Manushin si Teto Ollga. Pëpjekjet e saj për një burrë të mirë për vajzën, u bënë kaq të dashura për shqiptarët, sa mjafton të përmendësh titullin, për të vijuar me batuta pa fund.
“Përrallë nga e kaluara”, nga regjisori Dhimitër Anagnosti, është një film që mund ta shohësh me dhjetëra herë e që asnjeherë nuk të mërzitet. Ai është një prej brilantëve të kinemasë shqiptare. Aty interpretojnë një kast i mrekulueshëm aktorësh duke filluar me Xhevdet Ferrin, Hajrie Rono, Robert Ndrenika, Elvira Diamanti. Filmi ka një atmosferë unike jo vetëm për shkak të batutave që ne i dimë të gjithë dhe i përdorim, por edhe e gjithë mënyra ne të cilën Anagnosti e ka sjellë dhe e ka ndërtuar.
“Apasionata”, një romancë ku Kastriot Çaushi dhe Matilda Makoçi vijnë me një kimi shumë të mirë. Eshtë një film romancë, që ia vlen për tu parë, ndoshta pse ka pak intrigë brenda, sepse shoqëria e dy shokëve ngatërrohet në një trekëndësh të supozuar dashurie. “Apasionata” është një film që i ka qëndruar kohës dhe mund të shihet edhe në ditët e sotme.
“Çifti i lumtur”, mbetet gjithnjë një film për t’u parë, për energjinë që ka, për atmosferën, për guximin për të përcjellë një mesazh, në raport me romancën.
Në kinemanë shqiptare, para viteve ‘90, ende shumë gjëra nuk shfaqeshin me guximin e duhur, ishte gjithçka brenda një kornize. Kurse me këtë film të Piro Milkanit ne ndeshim personazhe shumë simpatikë që luhen ga personazhe si Bep Shiroka, Tinka Kurtit, të cilët e ndërtojnë historinë në një mënyrë brilante. “Çifti i lumtur” është një ndjesi shumë e mirë, një film që duhet parë, nëqoftëse duam batuta, duam të qeshim, duam të gëzojmë.
Ndricim Xhepa dhe Rajmonda Bulku gjate filmit Duaje Emrin Tend.
“Duaje emrin tënd”, në këtë film Ndriçim Xhepa, ishte në kulmin e preferencave si aktor dhe interpreton krahas emrave të tjerë. Dallohet për origjinalitetin dhe staturën e një aktori absolut. Xhepa është një nga yjet e kinemasë shqiptare edhe në raportet e sharmit mashkullor. Në film interpretojnë edhe Kristaq Skrami dhe Rajmonda Bulku. Një treshe shumë e bukur aktorësh që shkelqejnë me sharmin e tyre të kohës, kanë krijuar një trinom elegant.
“Treni niset në shtatë pa pesë”, ka si protagonsitë sërish Ndriçim Xhepën, me Eva Alikajn, mes të cilëve luhet një kimi mjaft e mirë. Në film kemi prezent edhe Xhevdet Ferrin, i cili është një nga figurat më të dashura në kinema. Me një lojë të besueshme dhe të natyrshme, Eva Elikaj në këtë film është çelësi i suksesit.
“Unë e dua Erën”, një film i regjisorit Albert Minga. Kolonat zanore të filmit i ka realizuar Kujtim Prodani dhe sjellin një ndjesi shumë të mirë. Dyshja e Luiza Xhuvanit me Ndriçim Xhepën që nuk e kanë për herë të parë në këtë film, janë fantastikë. Brishtësia që e ka karakterizuar Luiza Xhuvanin, në mënyrën se si i ka sjellë gjithmonë rolet e saj, role që e kanë prezantuar gjjithmonë atë në staturën e një vajze të brishtë, të dobët, që ka gjithmonë diçka për të zgjidhur, të bën ta adhurosh aktoren.
“Hije që mbeten pas”. Mbetemi sërish tek aktorët Ndriçim Xhepa dhe Xhevdet Ferri. Nga intriga e filmit, tek aktorët që interpretojnë, janë të gjithë absolutë. Ky film është një sfidë e fituar. Aktorët janë kaq natyralë, kaq të adhurueshëm. Protagoniste në film është Matilda Makoçi, një yll i viteve ’80, në këtë film prezantohet me një nga rolet e saj më të mira.
“Jeta në duart e tjetrit”, me aktorët Eva Alikaj, Kristaq Skrami, Bujar Asqeriu. Një histori mjaft e guximshme për kohën. I gjithë fakti i të qenit pedant në atë rol që kishte Bujar Asqeriu, arroganca që kishte personazhi i tij, e sjell Asqeriun në një interpretim absolut. Një personazh i urryer, që ia ka dalë të urrehet edhe nga publiku falë natyralitetit të interpretimit të rolit të tij.
“Telefoni i një mëngjesi”, kemi përsëri protagonist Ndriçim Xhepën në rolin e një gazetari shumë të guximshëm, për t’i çuar disa gjëra deri në fund. Ky film ka nuancat e një trilleri psikologjik, pasi e gjitha është një lojë me mendjen. Aktorë të tjerë janë Bujar Lako, Bujar Asqeriu dhe Marjeta Ljarja.
“Edhe kështu, edhe ashtu”, një komedi që sjell shumë të qeshura, që duhet parë. Është Robert Ndrenika që sjell një personazh butaforik, Mirush Kabashi, i cili spikat në zhanrin e komedisë, Sesilia Plasari, e cila me këtë film la një gjurmë të mirë. Këtu interpreton edhe Frederik Ndoci i cili mbulon edhe tërë kolonën zanore të filmit, me këngët e kënduara pre tij.
“Shah mat”, një film ku interpreton Bujar Kapexhiu, një figurë absolute. Jo vetëm protagonist por edhe skenarist, me batuta të holla dhe fine. Humor për tu vlerësuar. Ky film të sjell të gjithë atmosferën që të duhet në një moment të caktuar.
Xhanfise Keko gjate punes me femijet
Së fundmi, të gjithë filmat e regjisores Xhanfize Keko. Janë kryesisht filma me protagonistë fëmijët dhe prindërit e tyre. I gjithë raporti që ajo krijon me fëmijët është i mrekullueshëm.
Neritana Kraja